Kuvendi i jep prokurorisë të drejtën të arrestojë Doshin dhe Frrokun. Mungojnë 2 deputetët dhe Meta

Mar 26, 2015 | 13:55
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Përmes një votimi të fshehtë Kuvendi i Shqipërisë me 80 vota ‘pro’ dhe asnjë ‘kundër’ vendosi për heqjen e imunitetit dhe për të lejuar kontrollin personal dhe të banesës së deputetit Tom Doshi. Po ashtu Kuvendi vendosi me 79 vota ‘pro’ dhe 1 ‘abstenim’ për heqjen e imunitetit dhe lejimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit Mark Frroku, gjatë seancës së sotme plenare.

Kuvendi i Shqipërisë

Në votim munguan deputetët e PDIU, kryeparlamentari Ilir Meta, Doshi dhe Frroku, deputetët socialistë Pjerin Ndreu, Ledi Shamku dhe Fidel Ylli.

Votimi në Kuvend erdhi pasi Këshilli i Rregullores dhe Mandateve pas një seancë që zgjati rreth 5 orë, miratoi dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për të vendosur masën e arrestit dhe për të lejuar ushtrimin e kontrollin e banesave ndaj dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku. 

Prokuroria në kërkesën e saj drejtuar Kuvendit theksonte se ndaj Tom Doshit duhet marrë masa e arrestit, sepse disponon lidhje financiare jashtë Shqipërisë dhe për këtë arsye, ai mund të largohet jashtë vendit.

Po ashtu, arrestimi sipas organit të akuzës bëhet dhe për të “dëshmuar forcën e institucioneve ligjzbatuese, në rastet kur vihen përballë sfidave të integritetit dhe profesionalizmit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura