Kuvendi i Shqipërisë me 40 deputete, 22 në mandatin e parë

Dec 10, 2017 | 13:57
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi/ Kuvendi i Shqipërisë ka 40 deputete gra, numri më i lartë i grave që nga viti 1992 kur u zgjodh parlamenti i parë pluralist.

Një deputet i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Bujar Muça dha dorëheqjen dhe mandatin e tij do ta marrë një deputete, Elena Xhina, duke e çuar në 40 numrin e deputeteve gra në parlamentin shqiptar.

25198916_10155981234221692_493075623_o

Por ajo që bie në sy në këtë përqindje të lartë të grave që hynë në parlamentin shqiptar, 28.57%, por ende jo 30%, numri i atyre që kanë marrë mandatin e tyre të parë është më shumë se gjysma. Janë 22 deputete që hyjnë për herë të parë në këtë parlament, ose 55% e tyre, ndërsa 18 deputetet e tjera kanë më shumë se një mandat.

Partia Socialiste nga 22 deputete gra, 10 prej tyre janë për herë të parë pjesë e parlamentit shqiptar. Almira Xhembulla, Edlira Bode, Elisa Spiropali, Elona Hoxha, Klotilda Bushka, Milva Ekonomi, Ogerta Manastirliu, Senida Mesi, Tatiana Piro dhe Vilma Bello janë deputetet socialiste që kanë marrë mandatin e tyre të parë.

Partia Demokratike, nga 11 deputete gra, nëntë prej tyre janë në mandatin e tyre të parë. Dhurata Çupi, Grida Duma, Izmira Ulqinaku, Rudina Hajdari, Fatbardha Kadiu, Lindita Metaliaj, Nadire Meçorapaj, Orjola Pampuri, dhe Valentina Duka janë deputete e reja të Partisë Demokratike.

Lëvizja Socialiste për Integrim, me 11 deputete gra në kuvendin e Shqipërisë, vetëm dy prej tyre kanë marrë mandatin e parë. Floida Kërpaçi dhe Nora Malaj janë dy deputetet e reja të LSI-së.

Ndërsa Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka numrin më të lartë të deputete gra, 2 nga 3 deputetë që ka në Kuvend, ose 66.6%,  Reme Lala dhe Elena Xhina janë në mandatin e tyre të parë.

Profesionet e deputeteve të reja janë kryesisht juriste dhe ekonomiste, disa prej tyre dhe Doktore Shkencash, specialiste të marrëdhënieve ndërkombëtare, psikologe por dhe mësuese. Nuk mungojnë dhe studentet në listën e deputeteve që hyjnë për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë.

Por nga parlamenti janë larguar deputete me më shumë se tre mandate, si Jozefina Topalli, Arta Dade, Valentina Leskaj apo dhe Majlinda Bregu.

Kuvendi i Shqipërisë i kaluar kishte 19 deputete gra ose vetëm 13 për qind. Pas dorëheqjes së pjesës më të madhe të kabinetit qeveritar nga posti i deputetit, numri i grave në parlament u rrit në 29 ose në rreth 21 për qind. Kuotat gjinore u vendosën për herë të parë në Shqipëri në ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2008, të vlefshme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Por prurjet e reja, kryesisht ato deputete që vijnë për herë të parë në parlament, tregojnë se partitë politike po e shohin perspektivën tek rregullimi i raportit gjinor, por dhe ripërtëritja e përbërjes së deputeteve gra në parlament dhe jo tek riciklimi me disa mandate të njëpasnjëshme i pak individëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura