DEBATET NE KOMISION/ Tom Doshi: Bami, video në Prokurori ku rrëfen se i kërcënuan fëmijët. Një prokuroreje i dolën lot nga sytë

Mar 26, 2015 | 17:04
SHPËRNDAJE
UPDATE/ Në Këshillin e Rregullores për Mandatet dhe Imunitetet deputeti Tom Doshi solli fakte të reja ndaj çështjet që kërkon të hetojë Prokuroria. Doshi para prokurorëve të çështje, tha se Durim Bami është kërcënuar nga një person i forcave RENEA i maskuar me kapuç se nëse do të fliste rrezikonte fëmijët dhe familjen. 

Tom Doshi ne mbledhjen e Keshillit te Mandateve
Doshi akuzoi prokurorinë se ka manipuluar faktet dhe i kërkoi asaj që të përfshijë në dosjen e tij edhe këtë deklarim të Durim Bamit, deklarim i cili është regjistruar me leje në gjykatës dhe që prokurorët e kanë parë gjatë hetimit bashkë me Doshin.
Deputeti Doshi tregoi edhe njëherë takimet dhe denoncimet që ka bërë rreth përpjekjeve që janë bërë për eliminimin fizik të tij të mbetur në tentativë.

Mbledhja e Keshillit per Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet

Debatet ne Keshillin per Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin:

Adnan Xholi: Nëse do pretendohet që do dalin akte të hetimit të kësaj çështjeje, nuk mund të bëhen publike akte të tilla. Diskutantët t’i referohen vetëm kërkesës. Nëse do kemi raste të tilla të ndërpresim seancën.

Tom Doshi: Unë kam qenë në rolin e dëshmitarit, nuk ka më sekret hetimor. Provat jepini këtu.

Adnan Xholi: Për sa i përket provave, dyshimeve të arsyeshme i kemi të përmbledhura në relacionin e paraqitur në Kuvend.

Tom Doshi: Çdo provë aty e keni manipuluar. Kërkesa për përgjim ambiental mes meje dhe Durim Bamit është bërë me kërkesën time.

Adnan Xholi: Pikërisht kjo përbën një sekret hetimor.

Tom Doshi: Tërhiqni kërkesën që keni bërë, nëse nuk doni që të dalë sekreti hetimor.

Adnan Xholi: Nuk kemi asnjë arsye për të tërhequr kërkesën.

Tom Doshi: Ai e ka manipuluar marrëveshjen që kemi bërë. Është e rëndësishme që të dinë shqiptarët çfarë është bërë në atë ballafaqim. Ai ka ardhur të më arrestojë, unë mos të flas.

Arben Ristani: Procedura nuk është pjesë e sekretit hetimor.

Adnan Xholi: Në këtë moment nuk po flitet për procedurë por për sekret hetimor.

Tom Doshi: Nuk kam bërë dëshmi të rreme. Meqë ajo kërkesë është me vendim gjykate, e di shumë mirë se çfarë është thënë, tërhiq kërkesën, nëse nuk e tërheq unë do ju tregoj shqiptarëve se çfarë është thënë në atë ballafaqim.

Vangjel Dule: Zoti Doshi jeni njohur me kërkesën e Prokurorisë. Do t’ju lutesha të paraqisni mendimit tuaj, por pa cenuar atë aspekt që nuk e lejon ligji.

Tom Doshi: Në këtë rast Prokurori i Përgjithshëm ka cenuar ligjin dhe ka manipuluar ligjin..

Kastriot Islami: Kam disa pyetje për zotin Doshi, ose avokatët e tij. Pyetja e parë ka të bëjë me qëndrimet e tij, janë disa akuza, njëra për vrasje tjetra për sajesë për vrasje, të cilat janë përjashtuese të njëra-tjetrës. Nëse njëra qëndron atëherë tjetra automatikisht nuk mund të vazhdojë. Zoti Doshi për akuzën që ka bërë për kallëzim për vrasje ia ka treguar Kryeministrit, kryetarit të Parlamentit me dy variante, ministrit të Brendshëm drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe e ka bërë publike në një mënyrë të caktuar. Nuk ka ndodhur asgjë deri sa kjo s’është bërë publike dhe ka filluar kryesisht kur është bërë publike.

Pyetja e tretë: Do doja të dëgjoja konkretisht, zoti Doshi ia keni bërë dijeni Kryeministrit për këtë ngjarje, sa herë dhe cili ka qenë qëndrimi dhe reagimi i tij? Që nga momenti që ju e vutë në dijeni dhe deri në momentin që u përjashtuat nga PS, a ka pasur tentativa për t’ju bindur për të mos e bërë publike ngjarjen dhe ta zgjidhnit në mënyra të tjera A keni biseduar me Kryeministrin opsionin e porositjes së vrasjes, me ato që ka paraqitur Prokuroria si kallëzim kryesisht, nga Meta, nëse po kur dhe çfarë përgjigje keni marrë nga Kryeministri? Po opsionin e porositjes së vrasjes nga Berisha a e keni biseduar me Ramën, kur dhe çfarë përgjigje keni marrë nga Kryeministri?

Tom Doshi: Ngjarja është e vërtetë. Unë nuk kam bërë një sajesë. Në gusht 2014 ka ardhur Mark Frroku që më ka informuar për këtë rast. Kam bërë një takim me Durim Bamin. Më 30 gusht kam takuar Kryeministrin. Kemi qenë në një analizë në Durrës. Në pushim të mbledhjes ia kam sqaruar dhe më ka thënë shprehimisht: Tomë të ka ruajt Zoti për bamirësitë që ke bërë. Dhe më ka thënë prandaj e la Ilir Meta Parlamentin atë ditë që shkuat të “Il Gusto”, për të krijuar opinionin. Pra, bindja e Edi Ramës ishte që ishte e vërtetë. Në datën 6 shtator kam takuar Edi Ramën dhe Sajmir Tahirin në Durrës. Në datën 6, Saimir Tahiri ka takuar Durim Bamin te shtëpia ime në Durrës. Ja ka shpjeguar të njëjtat gjëra siç janë shpjeguar në video dhe siç m’i ka shpjeguar mua. Pas atij takimi, pas dy -tre ditëve, Durim Bami ka shkuar te Ministria e Rendit pa prezencën time, ka dalë dhe e ka marrë drejtori i Policisë së Tiranës, prezent ka qenë drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe ministri. Ky takim është bërë pa prezencën time. Dhe siç e thotë dhe Prokuroria janë bërë shpjegimet siç janë bërë në video. Në një takim tjetër, pas këtij takimi, kam qenë dhe unë prezent, drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka shkruar me shkrim dore rreth 9 faqe, dëshminë prapë të njëjta siç i ka dhënë Durimi në video. Në datën 3 shtator, unë kam takuar prokurorin e Përgjithshëm. Këto janë që më pyete për Ramën dhe ta shpjegova. Më 11 nëntor deri më sot, s’kemi folur më bashkë. Pasi presioni Ilir Metës ishte shumë i madh dhe Meta dyshonte sikur Rama po më mbështeste për ta zbardhur dhe … ishte në presion dhe Rama zgjodhi të mbështeste Metën.

Kastriot Islami: Cili ishte reagimi i Ramës?

Tom Doshi: Ta thashë tha të ka ruajtur zoti. Dhe tha që Ilir Meta la Parlamentin dhe erdhi të takonte te “Il Gusto” që të krijonte opinionin se Meta ishte miku im. Më datën 3 shtator i kam thënë prokurorit të Përgjithshëm dhe kjo është… dhe ka thënë prit 4 -5 ditë. Dhe unë i thashë nuk ia kam thënë as Kryeministrit. Më tha më prit 4-5 ditë. Pas 48 orësh i ka shkuar Toni i kombinatit Durimit dhe i ka thënë: -Tom Doshi e ka marrë vesh dhe duhet ta vrasësh brenda 24 orëve. Po se vrave morëm fund! – Po si ta vras?- i ka thënë ai. Kaq e thjeshtë është -Po çke ti vrite dhe ditën se kemi Ilirin mbrapa. Nuk bëhesh për burg. Kjo është e vërteta dhe sajesë këtu nuk ka dhe nuk kam pse të bëjë sajesa. Se ti e di shumë mirë, marrëdhënien me Kryeministrin e kisha shumë mirë, me Ilir Metën e kisha shumë mirë. Më 30 korrik kemi festuar bashkë me kolegët ditëlindjen e Taulant Ballës. Mbas dy javësh, marr informacionin se kanë paguar lekë për të më vrarë. Unë më 1 shtator jam takuar me Monikën dhe me Ilirin. Ishte për mua diçka e papritur. Që një njeri që të hash e të pish me të, të bisedosh për politikën e shumë planesh. Të paguante në darkë, unë haja drekë me të dhe në darkë merrja vesh se donte me vra. Sajesë këtu nuk ka pse. Prokurorin e kisha mik, Kryeministrin po, kryetarin e Parlamentit po. Për çfarë duhet ta bëja këtë sajesë. Sot ju e dini të gjithë se kolegët e mi kanë frikë të më marrin në telefon. Se e merr vesh Edi Rama për Ilir Metën. Prokurori i Përgjithshëm më ka hapur luftë sepse informacionin ia kam dhënë Prokurorit të Përgjithshëm dhe ai kërkon të më fusë në burg. Atëherë, prandaj e kam bërë publike sepse nuk kam pasur frikë. Se po të kisha frikë do të rrija si të tërë, o bobo do më vrasi Iliri. Kështu zgjodha rrugën t’i denoncoj publikisht. I them gjithë shqiptarëve, ose e mbyllni këtë çështje këtu, këtu nuk ekziston as organi i akuzës, nuk ka më drejtësi nuk ka më asgjë. Pra dhe dëshmitari është manipuluar. Është bërë një presion psikologjik, deri aty sa t’i vrasin fëmijët. Fëmijët vetëm një organizatë kriminale si ISIS e bën. Këtë e ka bërë kjo organizata që e drejton Ilir Meta. I ka shkuar polici i RENEA-s me maskë në dhomën e izolimit dhe i ka thënë: Po fole fëmijët i ke në këtë adresë. Me rrugë që vetë Durimi s’i dinte si adresë. Po fole, ata do të zhduken, do të vriten. Si do të fliste Durimi. Dhe atë e di shumë mirë ai prokurori atje dhe ai oficeri sepse e kemi parë bashkë videon, transkriptin. Kjo është e vërteta që ta marrin vesh shqiptarët. Dhe ai vjen sot e më akuzon mua për dëshmi të rreme. Kjo është e vërteta dhe unë i kërkoj Prokurorisë të vijë këtu dhe të tregojë videon të marrin vesh shqiptarët. Tjetra, i thash Durim Bamit meqë je në këto kushte t’i them prokurorëve të të çoj në spital. Jo më thotë sepse atje ka ilaçe dhe të vrasin. Ky njeri që sajoi si nuk shkonte në spital. Njerëzit sot mundohen me miqësi të shkojnë në spital, kurse ai nuk shkonte në spital. E di tha se çfarë ka ndodhur te makina ime, e di ti se i ke parë transkriptet. Ky është një turp i madh i Prokurorisë që çon këta përfaqësues këtu. Që ai ka drejtuar hetimet dhe ai vetë më ka thënë me gojën e vet, që jo për një javë që ka kërkuar Edi Rama, sepse Edi Rama mendonte se do të mbyllej të enjten, do të kalojnë nja 10 të enjte dhe s’mbyllet. Janë pyetur 45 vetë. Nuk është marrë asnjë tabulat, nuk është bërë asnjë hetim. Pra ishte çdo gjë e shpejtë për t’u mbyllur, sepse këtu ishin aktorë shumë të rëndësishëm të politikës dhe këtë unë e kam pritur, por jo të më akuzonin për sajesë. Këtë nuk e duroj. Të sajoj unë këtë ngjarje, mbi çfarë baza e sajova.

Vangjel Dule: Respektoni procedurën…

Kastriot Islami: Kam bërë një pyetje, po argumentin për organizimin e vrasjes nga Berisha e keni diskutuar me Kryeministrin. Cili ishte reagimi?

Tom Doshi: Ditën që kam takuar Metën dhe Monikën te Sheratoni rreth 4 orë. Në darkë jemi takuar me Edi Ramën dhe Sajmir Tahirin. Dhe në bisedën që ishim të gjithë bashkë, unë doja të largoja vëmendjen që unë dyshoj te Iliri, i thashë që meqë te ai lokal shkonin dhe njerëz të PD, thashë kushedi mund të jenë dhe në krahun tjetër. Jo se kam akuzuar Berishën

 

Tom Doshi ne Keshillin e Mandateve

Kastriot Islami: Cili ishte reagimi i Kryeministrit?

Tom Doshi: Të thashë që më 30 gusht e besoi.

Eduard Halimi: Një provë të cilën e kemi në dispozicion nga Prokuroria, videon e regjistruar nga Doshi me Durim Bamin, ku mbështetën e gjithë akuzat e Prokurorisë. Këtë e kemi sepse e ka nxjerrë z Doshi. Sot na del një provë tjetër bombë. Një provë bombë. Një video me vendim gjykate, thotë z Doshi, sipas të cilit asaj që pretendon z Doshi, gjithë dëshmia e z Bami qenka e manipuluar. Z.prokuror pyetja që kam unë është, a ekziston kjo video? Një video e regjistruar me vendim gjyqësor me një përmbajtje të tillë ose jo? A ekziston kjo video? Pyetja e dytë. Z.Doshi pretendon se ka tabulate. A ka tabulate të komunikimeve. Ai i ka Prokuroria këto tablate të komunikimeve. Nëse ekziston kjo provë, sigurisht që Këshilli do të dojë ta shikojë. Në gjykimin tim, një provë e tillë me vendim gjyqësor, sipas të gjithë neneve procedurale, sigurisht është tejet e rëndësishme për thelbin e pyetjes. Jo për sa i përket procedurës, e thashë ju hetimet të vazhdoni t’i bëni për këtë deputet dhe për çdo deputet tjetër. Këtë ta keni të qartë ju dhe gjithë shqiptarët nuk pengojmë ne asgjë. Unë dua të di për thelbin. E keni ju këtë provë e dispononi?

Altin Binaj: Për shkak se çështja është akoma në hetim. Kemi një sërë provash, të cilat nuk mund t’i bëjmë publike për momentin. Për shkak dhe të ndalimeve ligjore të parashikuara në nenin 223/3 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilën është vendosur dhe shkruarja e depozitimit të akteve. Ka një sërë provash hetimore. Por ato të cilat janë shumë të nevojshme dhe që krijojnë dyshimin e arsyeshëm të parashikuar në prova sipas parashikimeve ligjore të neni 238 i kemi parashtruar në relacion.

Eduard Halimi: Unë e kam të qartë se mbreti i pyetje jam unë, mbreti i përgjigjeve është prokurori. Unë ta kërkoj atë provë duhet të di nëse ekziston. Nëse nuk ekziston nuk kam se si e kërkoj. Nëse ekziston unë e kërkoj…

Tom Doshi: Ekziston …

Eduard Halimi: Tomë po bën dhe prokurorin….

Altin Binaj: Nëse doni t’ju themi gjithnjë se kemi goxha prova. Me elementë totalë … Themi se kemi goxha prova hetimore zotërinj deputetë…. si kjo provë dhe të tjera përbëjnë sekret.

Eduard Halimi: E tha përgjigjen, pra e ka këtë provë ka dhe prova të tjera por se e mban sekret. Kështu që do të diskutojmë më pas për këtë pjesë.

Eduard Halimi: Z. Doshi kam disa pyetje të cilat nuk më dolën gjatë dëshmisë suaj apo të avokatëve tuaj. Lidhur me një takim të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, me familjarët e deputetit tjetër, të cilit po ashtu i rrezikohet jeta, Z Mhill Fufi. Jeni në dijeni që kryetari i Kuvendit është takuar me familjarët e z. Fufi. Nëse po ose jo çfarë informacioni keni mbi këtë takim takim. Nëse është, pse sipas jush ishte i nevojshëm një takim i tillë? E dyta: Po juve ju kanë thirrur personalisht apo keni pasur ndërlidhje familjare. Pra, është ndjekur një standard tjetër. Sa herë jeni takuar me kryetarin e Kuvendit Meta në lidhje me këtë ngjarje. Nëse po ku, kur dhe për çfarë keni biseduar? E treta keni deklaruar porositësi i vrasjeve për ju dhe deputetit Fufi është Ilir Meta. Cili është sipas jush motivi? A ka ndonjë motiv për këtë ngjarje sepse nuk e kemi të qartë? E katërta, ju deklaroni se nuk keni besim te Prokuroria dhe keni kërkuar hetim ndërkombëtarë. Çfarë dyshimi, argumentesh provash keni që keni dyshim te Prokuroria se nuk mund ta hetojë deri në fund këtë çështje?

 

Deputetet e PD-se ne Komisionin e Mandateve


Tom Doshi: Për mua më e rëndësishme është pyetja e fundit se përse nuk kam unë besim te Prokuroria. Si të kem besim unë te Prokuroria kur natën që unë publikova videon me Durim Bamin, Eugen Beci transferohet në Elbasan dhe ishte mik i ngushtë i Tonit të kombinatit dhe rrinin gjithë ditën bashkë, i cili është mik i ngushtë i prokurorit të Përgjithshëm dhe kryetarit të Kuvendit. Kam punuar me prokurorët për 8 ditë bashkë dhe kisha besim se gjërat po merrnin rrugë pozitive, që unë ia di për faleminderit dhe ia them publikisht që pranoi që të bëhej përgjim ambiental me kërkesën time me vendim gjykate. Për këtë, unë i jam mirënjohës prokurorit. Bëmë dhe ballafaqimin me Durim Bamin, edhe me një person tjetër, edhe me Mark Frrokun. Pas 3-4 ditëve u zbardh transkripti. Ngaqë nuk kisha besim te prokurorët, as te kafet, saqë vinin katër kafe për të marrë unë njërën prej tyre, i mblodha të katër prokurorët dhe dy oficerët e Policisë Gjyqësore dhe i thashë se do t’ju them një detaj shumë të rëndësishëm. Durim Bami, i thashë, është kërcënuar me fëmijët! Dhe njëri i thotë: Burrat e huaj janë atje! Kjo është shumë e rëndësishme për ju, që duhet t’i merrnin Durim Bamit në mbrojtje familjarët që ka në Nikël. Këtë shqetësim ma ka shprehur dhe vëllai i Durim Bamit sepse kanë shkuar makina të ndryshme vërdallë tyre. Këtë ia kam shprehur edhe prokurorit, sepse unë jam malësor dhe duhet të themi të vërtetën.

Vangjel Dule: Zoti Doshi mos e personalizoni diskutimin.

Tom Doshi ne Keshillin e Mandateve

Tom Doshi:  Jo jo, njërin e njoh që është malësor, tjetrin nuk e njoh, por kemi ndenjur bashkë 8-9 orë. Jam çuditur me Prokurorinë për akuzën që më është bërë, duke pasur një material shumë të vlefshëm që ishte përgjimi ambiental. Përgjimi është bërë me kërkesën time, aparaturën e kam vendosur në trup vetëm për të zbardhur të vërtetën. Këtë duhet ta dinë të gjithë shqiptarët. Përveç kamerave që kishte dhoma, kam vënë aparaturën në trup sepse nuk kisha besim. Kjo është bërë me vendim gjyqi. Unë kërkoj që kjo të zbardhet dhe ta shohim se kush është e vërteta. Pse Durim Bami është kërcënuar me fëmijët e vet?! Pse Durim Bamin kanë dashur ta eliminojnë në 15 shkurt?! Pse Tonin e kombinatit donin për ta vrarë në 1 shtator?! Por këta ishin dëshmitarët kyç të porosisë dhe kur unë e mora vesh këtë gjë, ata duhet të zhdukeshin që të mos kishte më prova të gjalla që mund të flisnin. Si shkon polici i RENEAs te dhomat e izolimit të Durim Bamit dhe i jep adresën se ku ndodhet familja e tij?! Dora e kujt është kjo? Pse nuk merren kamerat te Drejtoria e Policisë?! Pas kërkesës që unë bëra, ju (prokurorëve) më thatë se do t’i bëjmë kërkesë që të na i vejnë në dispozicion. E bëtë kërkesën? Nuk e keni bërë! Kjo është e vërteta të nderuar deputetë dhe shqiptarëve që na ndjekin Live. Prokuroria ka manipuluar provat dhe nëse duan ta zbardhin ndërkombëtarët ta zbardhin, nëse nuk duan le ta mbyllin çështjen. Është rasti që ndërkombëtarët të sjellin ekspertë të huaj, sepse Prokuroria jonë është e mbytur në llum. Edhe këta që janë këtu. Le të vijë materiali i plotë, siç ju thashë më lart, ta shohim të gjithë bashkë dhe të nxirrni përfundimin se kush është sajuesi, unë apo prokurorët? Pse të mos shkojë prokurori i Përgjithshëm te Krimet e Rënda?! Ka shkuar Kryeministri, kryetari i Kuvendit, ministri i Brendshëm. Sepse do të linte gjurmë në deponimet e tyre. Kur të pyetej nëse unë ia kisha shprehur shqetësimin tim prej kohësh, ai do të përgjigjej, Po. Atëherë përgjegjësia do të binte mbi prokurorin e Përgjithshëm. Në vend që të bënte këtë, prokurori i Përgjithshëm nxjerr urdhrin e arrestit ndaj meje. Përse Prokuroria nuk merr filmimet e kamerave të aeroportit të Hanoverit, kur Spartak Braho ka takuar Tonin?! Kur nuk duan ta zbardhin, thonë se nuk është e nevojshme. Kryetari i komisionit të Sigurisë Kombëtare shkon dhe takon një kriminel. Sot e keni lënë të lirë në Tiranë, por Toni ka dhe shoqërues.

Kreu i komanduar i Prokurorise se Krimeve te Renda, Adnan Xholi, duke folur gjate mbledhjes se Keshillit per Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ne Kuvend

Eduard Halimi: Lidhur me deputetin Fufi, keni një informacion për ne?

Tom Doshi: Deputeti Fufi, Mhillin, nuk e kam biseduar ndonjëherë këtë çështje. Më ka ardhur vëllai i vet, pasi e kishte thirrur Ilir Meta, përmes një miku të tij që ka qenë prefekt në Fier, Bujar Hasën. Më ka ardhur te Sheratoni dhe më tha se e kishte thirrur Ilir Meta dhe i kishte thënë se më mirë këto punë i di Toma. Unë ia shpjegova se si ishte ngjarja, këtë gjë ia ka thënë dhe Durimi. Kjo është e vërteta, po të duan ta zbardhin i kanë provat. Durim Bami duhej të merrej si dëshmitar jo si vrasës. Ai ka takuar ministrin, drejtorin, mua si deputet dhe nuk kishte pse përfshihej në atë nen që e kanë vënë këta. Po t’i thuash se do dënohesh me 30 vjet burg, se do të të vrasim fëmijët, është normale dhe mund të ndryshonte thëniet. Çdo njeri do ta mohonte. Te videoja është e pastër dhe e vërteta ashtu siç i thotë ai pa presion dhe pa kërcënim. Ajo video u tregon shqiptarëve se çfarë bëhet te Prokuroria, te Policia dhe te ky shtet. Prandaj ju si komision duhet të ngulni këmbë që ta shikoni, pastaj të çoni kërkesën që të më fusni edhe në burg, nuk e kam problem. Atëherë nuk e di se kush do akuzohen, unë apo prokurorët që kanë manipuluar çështjen.

Arben Ristani: Zoti Doshi, ju keni thënë që keni vënë në dijeni ministrin e Brendshëm. Çfarë veprimesh ka bërë ai pasi është njohur me ngjarjen?

Tom Doshi: Jua thashë, ai është takuar dy herë me mua, një herë në Ministri dhe një herë në Durrës, dhe pas kësaj kjo çështje ka mbetur e vdekur. Ai thoshte që duhet të shkonte Bami që të bënte kallëzimin, por nuk ishte mundësi për të filluar hetimin. Unë i thosha që personi që ka marrë porosinë nga Ilir Meta është Toni, dhe Toni ishte në Gjermani, ndërsa Saimiri më thoshte se Toni është në kërkim. Por rezultonte se Toni kishte hyrë dy herë para Vitit të Ri nga Kapshtica dhe nuk e kishte ndaluar askush dhe kur erdhi herën e fundit, na doli se Toni nuk ishte fare në kërkim. E gjithë kjo mban një erë të keqe, sepse këta janë të implikuar të gjithë brenda, prandaj këta nuk duan ta zbardhin. Më sill videon dhe shiko se çfarë kallëzimi të rremë kam bërë unë.

Arben Ristani: Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Braho ka thënë se ju jeni marrë nën mbrojtje fizike. Keni pasur ju mbrojtje nga shteti?

Tom Doshi ne Keshillin e Mandateve

  

Tom Doshi: Nuk kam pasur asnjë mbrojtje. Të gjitha janë mashtrime, që nga kryetari i Kuvendit, kryetrari i Komisionit të sigurisë të gjithë kanë mashtruar.

Arben Ristani: Si është bërë regjistrimi i Bamit që ka thënë se është kërcënuar për të dhënë dëshmi të rreme?

Tom Doshi: Kjo është bërë me kërkesën time, në prani të katër prokurorëve, një nga këta është dhe prokurori i Krimeve të Rënda që kemi përballë. Është pranuar kërkesa, në një nga zyrat që dispononin këta është vërë përgjimi ambiental me kamera, unë kam vënë aparaturën në trup, përgjues tjetër dhe e kam takuar Durim bamin dhe i thashë gjithë kohën thuaj të vërtetën. Në një moment më tha s’mund të flas. E pyeta pse nuk mund të flasësh?! Ai ma bëri me dorë dhe më bëri shenjë për fëmijën. Më tha se i kishte shkuar një polic i Forcave Speciale me kapuç, këtë e kemi parë dhe me prokurorët dhe i është bërë dhe transkripti, që i kishte thënë: burrat e huaj janë atje, fiks te vendi që as unë nuk e di. Pra nuk dinte adresën ku e kishte tezen gruaja e vet. Më pas unë u çova në këmbë dhe i thashë a të çoj në spital ty? Ai më tha jo, sepse atje ka ilaçe. Kur u çua në këmbë, Bamit i dolën lot nga sytë, këtë e pamë katër prokurorë dhe një prokurore, të cilës i shkuan edhe asaj lot nga sytë. Këto gjëra i bën vetëm organizata e ISIS që vret fëmijë, i thashë unë prokurorëve. Kur u çova në këmbë, Durimi më tha se ti e di mor burrë se në çfarë kushtesh jam unë, dhe nuk mund të flas, ti e di se çfarë më vunë te X5. I kishin vënë 860 gram. tritol. Jam në kushtet kur do të vrisnin mua dhe fëmijët.

Fatmir Xhafaj: Përse zoti Doshi nuk ndoqi një rrugë normale të procedimit për këtë çështje, konform ligjit pse nuk iu drejtua Prokurorisë, por e bazoi këtë te raportet personale?

Tom Doshi: Unë e takova prokurorin e Përgjithshëm ku e vura në dijeni me ngjarjen. Ai më tha më lër 4-5 ditë kohë që të merrem me këtë punë dhe pas 48 orëve, porositësi shkoi prapë te personi që duhet ta kryente këtë punë, duke i thënë eliminojeni se personi e ka marrë vesh. Unë e humba besimin te Prokuroria, siç e humba edhe sot. Te cili prokuror do shkoja unë? Unë shkova te prokurori i Përgjithshëm, ai më shiti dhe nxori sekretin e çështjes. Kjo është lufta mes meje dhe prokurorëve sot. Duke mos pasur besim te Prokuroria, unë u detyrova që të bëja regjistrimin e Bamit që ta kisha si provë. Por mua sot nuk po më japin videon që u bë me vendim gjykate. Po vunë dorë dhe te kjo videoja, prokurorët do të kenë pasoja penale. Pse do Ilir Meta dhe prokurori i Përgjithshëm që të futem unë në burg, ngadalë se shteti nuk funksionon kështu, ka dhe organe të tjera shteti. Prokuror, ke manipuluar provat dhe për këtë ngarkohesh me përgjegjësi penale dhe do të përgjigjesh. 

 

Komisioni

 Kastriot Islami: Ju thatë se zoti Rama dhe Meta kanë qenë shoku dhe miku yt, po ashtu keni pasur miqësi me prokurorin e Përgjithshëm, ndërsa akuzoheni për vrasje. Mos vallë shoqëria shumë e madhe me këta është dhe motivi i këtyre akuzave?

Tom Doshi: Sa i përket Kryeministrit nuk është se kam pasur ndonjë gjë, e kam pasur dhe kryetar partie, por dhe mik. Pas këtyre ngjarjeve në gusht, filloi pakënaqësia ime ndaj tij për qëndrimin që po mbante dhe që nga 11 nëntori 2014 nuk kam komunikuar më me të. I kam shkuar në zyrë dhe i thashë se nuk dua të rrëzoj qeverinë, por ai nuk mund të jetë kryetar Parlamenti, një njeri që ka dashur të vrasë dy deputetë. Shkaku përse, por mua është videoja Meta-Prifti, ndërsa për Fufin është ngjarja që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit, jo se janë përfshirë Fufët, por si ngjarje sepse kanë pasur probleme me njëritjetrin dhe njëri ka mbetur i vdekur. Por gjithçka ishte për mandatin që mori Fufi. Por donin edhe të jepnin një mesazh se kush merret me Metën, nuk ka jetëgjatësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura