Kushti për Shqipërinë në negociatat me BE, zbulohen 14 emrat për në Gjykatën Kushtetuese/Tabela

Oct 20, 2020 | 17:15
SHPËRNDAJE

Ringritja e Gjykatës Kushtetuese është konsideruar si një moment kyç për progresin e Shqipërisë në integrimin në Bashkimin Europian. Ishin ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri, të cilët apeluan që puna për bërjen funksionale të institucionit gjyqësor më të rëndësishëm në vend, të marrë një tjetër ritëm.

betimi-elsa-toska-1-1-1

KIM

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkroi se pas publikimit të listave të kandidatëve nga Kuvendi dhe Presidenca, tashmë KED duhet të shpejtojë me verifikimin e kandidatëve. Sipas ambasadores amerikane në vendin tonë, nuk duhet humbur më kohë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet funksionale deri në fund të këtij viti.

“Presidenca dhe Parlamenti tani kanë publikuar listat e tyre përkatëse të kandidatëve për Gjykatën Kushtetues. Ne i duartrokasim ata që iu përgjigjën thirrjes për të shërbyer. Ne inkurajojmë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi të veprojë shpejt për të vlerësuar kandidatët. Shqipëria duhet të ketë Gjykatën e saj Kushtetuese deri në fund të vitit”, shkroi në “Twitter” Yuri Kim.

SORECA

Ndërkohë, shefi i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca u shpreh dje nga Kukësi, se ringritja dhe bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti është një nga kushtet që Shqipëria duhet të përmbush para konferencës së parë ndërqeveritare.

Sipas Soreca-s, Tirana zyrtare do të ketë mbështetjen e Brukselit, por është më shumë rëndësi që të bëhet ky hap në atë që quhet ndryshe edhe si faza finale e reformës në sistemin e drejtësisë.

“Europa është pranë Shqipërisë. Shqipëria shumë kushte i ka përmbushur dhe është shumë afër plotësimit të tyre dhe drejt vendimit përfundimtar. Fokusi i Shqipërisë duhet të jetë te Gjykata Kushtetuese, pasi është një hap i rëndësishëm për ecjen e vendit përpara. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria të bëjë segmentin e fundit me qëllim që Këshilli Europian të bëj hapin pozitiv”, u shpreh ambasadori i BEsë, Luigi Soreca.

PROCESI

I nisur në vjeshtën e vitit të shkuar, pas ngritjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në fundin e vitit 2018, procesi për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese ka mbetur në numrin katër. Kaq është numri aktual i anëtarëve të kësaj Gjykate që janë emëruar, 2 nga Parlamenti, 1 nga Presidenti dhe kryetarja Vitore Tusha që ishte e vetmja që mbeti nga përbërja e vjetër e trupës së kësaj gjykate. Tashmë pritet të zgjidhen edhe tri emrat e tjerë që i takojnë përkatësisht 2 Presidentit dhe 1 Kuvendit.

Për vakancën e dytë që i takon Presidentit, deri më tani ka mbetur në garë vetëm juristja Sonila Bejtja. Ndërsa për vakancën e tretë që i takon kreut të shtetit, në listën e paraqitur disa ditë me parë, kishin paraqitur interes 10 aplikantë. Sakaq, për kandidaturën e tretë që duhet të vijë nga Kuvendi, në listën e shpallur dje nga Kuvendi kishin shprehur interes vetëm 3 kandidatë. Këta emra tashmë do i nënshtrohen procesit të verifikimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili më pas do i dërgojë Kuvendit dhe Presidentit emrat e kualifikuar.

Dje, drejtuesit e katër institucioneve të reja të drejtësisë, KPA-së, KLGJ-së, KLP-së dhe ILD-së, zhvilluan një takim me qëllim diskutimin e sfidave dhe përgatitjet që këto institucione kanë ndërmarrë për procedimet dhe gjykimet e çështjeve të juridiksionit disiplinor.

Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla si dhe drejtuesit e këtyre institucioneve kushtetuese, Naureda Llagami, e KLGJ-së, Genti Ibrahimi i KLP-së dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, gjatë këtij takimi, nënvizuan rëndësinë që ka juridiksioni disiplinor krahas atij të rivlerësimit (procesi i vetingut) për kthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Për këtë qëllim, ata vlerësuan se është e nevojshme që të ndërmerren masa për të parandaluar sjellje abuzive të gjyqtarëve/prokurorëve, si edhe marrja e masave disiplinore nëse vlerësohet se këta janë shkelës të ligjit.

Drejtuesit e institucioneve kushtetuese, theksuan se procedimet dhe gjykimi disiplinor duhet të zhvillohen bazuar në parimin e procesit të rregullt ligjor dhe parimet e tjera të parashikuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për këtë qëllim, ata u angazhuan për shkëmbimin e informacioneve dhe njohurive për praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së në lidhje me procedimet disiplinore të gjyqtarëve/prokurorëve. Gjithashtu, drejtuesit e këtyre institucioneve kushtetuese u angazhuan për një koordinim dhe ndërveprim në të ardhmen ndërmjet tyre.

9 ANETARE duhet të ketë Gjykata Kushtetuese. Sipas procesit të përcaktuar në Kushtetutë, përbërja e kësaj gjykate duhet të jetë 3 të votuar nga Parlamenti, 3 të dekretuar nga Presidenti dhe 3 të zgjedhur nga anëtarët e spikatur në Gjykatën e Lartë.

4 ANETARE ka aktualisht Gjykata Kushtetuese. Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferrllari janë anëtaret që kanë filluar punën në këtë institucion, por që për të marrë vendime, atyre minimalisht duhet t’u bashkohen edhe 2 anëtarë të tjerë.

KANDIDATËT PËR NË GJYKATËN KUSHTETUESE –

Vakanca për mandatin e lënë nga Besnik Muçi, e shpallur nga Presidenti më 22 nëntor 2019 (propozimi i dytë)

Sonila Bejtja (kandidatja e vetme e kualifikuar nga KED)

– Vakanca për mandatin e lënë nga Besnik Imeraj, e rishpallur nga Presidenti më 16 tetor 2020 (propozimi i tretë)

Aplikantët që kanë shprehur interes

Aleksadër Toma

Altin Binaj

Aldona Sylaj

Ardita Buna (Alsula)

Eugen Papandile

Ilir Haznedari

Klajdi Mone

Orkida Totojani

Përparim Kalo

Shaqir Hasanaj

– Vakanca për mandatin e lënë nga Fatos Lulo e shpallur nga Kuvendi më 24 tetor 2020 (propozimi i tretë)

Aplikantët që kanë shprehur interes

Altin Binaj

Ardita Buna Alsula

Ilir Haznedari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura