Kushtetuesja, tri kandidate për 2 vende vakante. Debat te Ligjet, Gjoni: Jeni nga Partia e Punës, Braho: Je karagjoz

Oct 30, 2019 | 12:56
SHPËRNDAJE

Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji do të jenë tri gjyqtaret e ardhshme të Gjykatës Kushtetuese.

ligjet1

Tri kandidatet zhvilluan dje seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për të bindur deputetët se cila prej tyre do të zërë dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, të cilat zgjidhen nga Parlamenti.

Arta Vorpsi
Arta Vorpsi

Ato treguan vizionin e tyre për Gjykatën Kushtetuese, e cila prej 2 vitesh është jofunksionale. Arta Vorpsi, që raportoi e para te Komisioni i Ligjeve, është e vlerësuar me më shumë pikë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Vorpsi kërkoi që të jetë ajo e përzgjedhura e Parlamentit për një nga vendet vakante për shkak se puna e saj ka qenë e lidhur me të drejtën kushtetuese.

Fiona Papajorgji
Fiona Papajorgji

“E kam pasur të lidhur punën time si juriste ngushtësisht me të drejtën publike dhe specifikisht me të drejtën kushtetuese dhe të drejtat e njeriut”, tha Arta Vorpsi. Kandidatja tjetër, Elsa Toska, shpalosi vizionin e saj për rolin e Gjykatës Kushtetuese. “Në vizionin tim, Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet neutralizuese e debateve politike dhe publike”, tha Toska.

Elsa Toska
Elsa Toska

Edhe kandidatja Papajorgji tha se Gjykata duhet të ketë një fytyrë të re. “Ka ardhur koha që Gjykata Kushtetuese duhet të kalojë në një stad të ri, në rrugën drejt europianizimit”, tha Papajorgji. Deputetët e maxhorancës ishin krejtësisht të qartë në lidhje me tri kandidaturat për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese që zgjidhen nga Parlamenti. I vetmi që kishte disa pyetje në formë shqetësimesh ishte deputeti i ardhur nga listat e LSI-së, Ralf Gjoni. Shqetësuese për opozitën e re ishte që Vorpsi, Toska dhe Papajorgji nuk kanë kaluar testin për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës.

“A jeni pranuar ju në Shkollën e Magjistraturës pas përfundimit të procesit të testimit tuaj?”, ishte pyetja që u adresoi Gjoni.

DEBATI

Mbledhja e ditës së djeshme e Komisionit të Ligjeve nuk ka kaluar pa debat. Ka qenë një provokim i deputetit Gjoni, i cili i quajti deputetët e maxhorancës deputetë të Partisë së Punës, që solli nervozizmin e deputetit Spartak Braho. Ralf Gjoni pyet kandidaten Arta Vorpsi: Po të bëj edhe pyetjen e dytë, që të mos reagojnë kolegët e mi të Partisë së Punës. A keni pasur ndonjëherë ndonjë angazhim direkt apo indirekt me ndonjë parti politike në Shqipëri?

Spartak Braho i drejtohet kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, për deputetin Gjoni: Ky është karagjoz, mo ti, ky kujton se është në forumin e komunitetit qendror. Ulsi Manja: Ju kërkoj ndjesë, znj. Vorpsi, por.. Tërheq vëmendjen z. Gjoni që të respektoni Kodin e Etikës, i cili është votuar nga të gjithë ne. Është i detyrueshëm për t’u zbatuar për secilin deputet.

VLERESIMI I KED PER TRI KANDIDATET

1-Arta Vorpsi: 89.642 pikë
2-Fiona Papajorgji: 88.785 pikë
3-Elsa Toska: 85.428 pikë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura