‘Kushtetuesja’ shqyrton padinë për financimin e partive/ Avokati i PR sqaron: Kush përfiton para nga buxheti i shtetit dhe pse kundërshtojmë argumentet e KQZ dhe Kuvendit

Jun 17, 2021 | 13:41
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar sot padinë e Partisë Republikane dhe disa partive të tjera në lidhje me financimin e partive politike, parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Në përfundim të seancës, avokati i PR, Dardan Mustafaj tha se kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e mënyrës së llogaritjes së parave që ato do të marrin si pjesëmarrëse në zgjedhje përmes koalicioneve.

Në një deklaratë për mediat, ai argumenton se nuk është e drejtë që partitë politike që nuk marrin mandat në koalicion në zgjedhjet e ardhshme të mos përfitojnë  asnjë financim nga buxheti i shtetit.

“Behej një diferencim i madh mes partive që merrnin pjesë në koalicion dhe partive që garonin të vetme. Këto ndryshime janë bërë vjet në shtator dhe janë bërë brenda një jave dhe ishin ndryshime të cilat rëndojnë financimin nga shteti të partive politike që marrin pjesë në koalicion në raport me ato që janë jashtë koalicionit. Partitë politike që nuk marrin mandat në koalicion në zgjedhjet e ardhshme nuk do të përfitojnë asnjë financim nga buxheti i shtetit.

Një parti që merr 6 mijë vota, kalon pragun dhe në gjithë Shqipërinë merr 30 mijë vota, por nuk arrin të sigurojë mandat do të siguroje financim për 30 mijë vota. Ndërkohë që një parti që është në koalicion nuk ka siguruar dot mandat, por ka siguruar 30 mijë vota ajo merr zero financim. Kjo situatë është e padrejtë, cënohet barazia e votës dhe krijohet një situatë e padrejtë edhe brenda një koalicioni.  Kjo situatë e pabarabartë është antikushtetuese dhe që duhet të korrigjohet nga Gjykata”, tha avokati.

PR KUNDËR ARGUMENTEVE TË KQZ DHE KUVENDIT

Avokati po ashtu kundërshton argumentet që u paraqitën nga Kuvendi dhe KQZ, pasi ndërhyrja e ligjvënësit është antikushtetuese.

“Argumentet që u paraqitën nga Kuvendi dhe KQZ në vlerësimin tonë nuk qëndrojnë. Një prej të cilave ishte që këtë situatë duhet ta rregullonte ligjvënësi pasi partitë në një koalicion mund të mos merren vesh. Por në këndvështrimin tonë nuk duhet të ndërhyjë ligjvënësi. Kjo ndërhyrje është antidemokratike dhe antikushtetuese sepse cënon barazinë e votës”.

KU SHKOJNË VOTAT?

Avokati u shpreh se votat shkojnë tek ato parti që kanë siguruar një mandat, por jo vota të mjaftueshme.

“Shkojnë tek ato parti që kanë siguruar një mandat, por jo votat e mjaftueshme. Pra ajo parti që ka siguruar 1 mijë vota, por që ka siguruar një mandat falë pozicionimit në listë. Ajo do të përfitoje 10546 vota financim, ndërsa partia poshtë asaj që ka siguruar 10 mijë vota, por që nuk ka siguruar mandat apo nuk përfiton asnjë financim”, shprehet ndër të tjera Mustafaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura