Kushtetuesja pezulloi gjykimin për “30 qershorin”/ Reagon Voltana Ademi: Kam besim se do të jepet drejtësi, raste të tilla të mos përsëritën më

Jun 23, 2021 | 21:04
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi gjykimin për padinë në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

voltana ademi

Me anë të një status në Facebook, Ademi shpreh besim se Gjykata Kushtetuese do të japë drejtësi dhe do të vendoset kthimi në jetë i pluralizmit politik në nivel vendor.

Sipas Ademit, ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit. Ajo shpreson që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës dhe sic thotë ajo, raste si ai i 30 qershorit 2019 te mos perseriten me.

“Në Gjykatën Kushtetuese sapo ka përfunduar seanca plenare për shqyrtimin e kerkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë lidhur me “zgjedhjet” e 30 qershor 2019.

Së pari, dua të falenderoj të gjitha mediat që më kanë ndjekur në këtë betejë për demokracinë dhe pluralizmin vendor.

Së dyti, falenderimi shkon për trupën e Gjykatës Kushtetuese, për kohën dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.

Ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit dhe shpresojmë që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës sonë, në rregullimin e këtyre themeleve që janë tronditur nga “zgjedhjet” e 30 qershorit dhe mos të përsëriten më të tilla raste.

Jemi krenarë nga ana tjetër, pasi është një arritje me vete që ky proces u konceptua dhe u nis nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë civile që ndërhyn për të bllokuar veprime arbitrare të politikës.

Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.

Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën”, shprehet Ademi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura