Kushtetuesja, nesër në seancën e parë pas dy vjet “pushime”! Në muajin shkurt është caktuar shqyrtimi i Ligjit të Pronave

Jan 25, 2021 | 11:24
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Gjykata Kushtetuese nis zyrtarisht nesër seancat e saj plenare pas dy vitesh “pushime” për shkak të “shkrirjes” së saj nga vetingu.

anetaret-gjykata-kushtetuese

Çështja e parë, me të cilën Gjykata Kushtetuese do të përballet në seancë plenare, është kërkesa e bërë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkon “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të togfjalëshit ‘nga Gjykata e Shkallës së Parë, që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit’, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit ‘… i së njëjtës gjykatë’, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/ 2017″.

Kjo çështje rikthen në sallën plenare të mbledhjeve anëtarët e kësaj gjykate, tashmë 7, ndërsa priten edhe 3 anëtarë të rinj si propozime nga Gjykata e Lartë.

Prej më se tri javësh, 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë marrë në shqyrtim kërkesat e mbërritura në këtë gjykatë prej kohësh, ndërsa kanë bërë seleksionimin e tyre, ndërsa në ato raste kur ka pasur mangësi dokumentacioni, kanë kërkuar plotësimin e tyre.

Gjykata Kushtetuese u plotësua në fund të dhjetorit me 7 anëtarë, ku Vitore Tusha është kryetare e komanduar deri në plotësimin e saj me 9 anëtarë, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fjona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja anëtarë. Para kësaj gjykate janë për shqyrtim: shpallja antikushtetuese e zgjedhjeve të 30 qershorit, prishja e Teatrit Kombëtar, Kodi Zgjedhor, ku partitë e opozitës kërkojnë shfuqizimin e disa neneve që pengojnë hapjen e listave, padia e Kryeministrit Rama ndaj Presidentit Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm etj.

VETINGU

Nga nisja e vetingut në mars 2018 me Fatos Lulon,  anëtar i Gjykatës Kushtetuese, mjaftuan 10 muaj që kjo Gjykatë të shkërmoqej, duke mbetur me vetëm një gjyqtar kushtetues. Vitore Tusha, profesoreshë e së drejtës civile, me gradë “Doktor i shkencave juridike” në këtë fushë dhe anëtare e Gjykatës Kushtetuese prej 11 vitesh, është e vetmja që u konstatua e pastër nga procesi rivlerësues.

Njëkohësisht, si nën efektin domino, pas shkarkimit të Lulos nga detyra, u rrëzuan njëri pas tjetrit anëtarët e tjerë: Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari. I humbur doli gjatë rivlerësimit të trefishtë edhe kryetari i kësaj gjykate, Bashkim Dedja, i cili prej tetë vitesh dhe dy mandatesh drejtoi gardianët e Kushtetutës. Me pesë shkarkime nga detyra dhe tri dorëheqje të gjyqtarëve Sokol Berberi, Vladimir Kristos dhe Besnik Imeraj, dy prej tyre pas përfundimit të mandatit dhe njëri, siç deklaroi për arsye personale, Gjykata Kushtetuese hyri zyrtarisht në ditë të vështira.

Megjithatë, parashikimet nga njëra anë dhe shpresën që shoqëronte të tjerët që prisnin për të dalë në veting, furtuna u pa e pandalshme gjatë 2018, kur në bllok u shkarkuan Xhoxhaj, Hoxha e më pas Gani Dizdari.

platforma

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura