Kushtet/ Rritet siguria nëpër cerdhe, kamera sigurie që në hyrje

Jul 25, 2016 | 9:16
SHPËRNDAJE

Ndryshojnë kriteret e projektimit të çerdheve të reja, qofshin ato publike apo private. Sipas vendimit që ka miratuar këtë javë qeveria, çdo çerdhe duhet të jetë e pajisur me kamera sigurie që në hyrje të saj.

Në relacionin shoqërues të projektvendimit, kjo është një ndër pikat për rritjen e sigurisë së të vegjëlve ndaj personave që vijnë nga jashtë, ndërsa një gjë e tillë nuk kërkohet në ambientet e brendshme.

cerdhe1

Dokumenti i hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban ka marrë në konsideratë sugjerime edhe nga pesë ministri të tjera. Rregullat e reja vijnë pas disa ngjarjeve të pakëndshme me protagonistë fëmijë gjatë vitit të fundit, pikërisht në mjediset e edukimit parashkollor.

STANDARDET E REJA

Dokumenti i detyrueshëm për t’u zbatuar në projektimin apo rikonstruksionin e çerdheve përmban disa kritere që trajtojnë çështjen e sigurisë së të vegjëlve, komoditeti, ngrohja e deri te ngjyrat dhe mobilimi. Në çdo ambient ka një numër të përcaktuar mjedisesh, përveç atyre të dedikuara posaçërisht për fëmijët.

Gjashtë prej tyre të detyrueshme dhe duhet të plotësojnë standarde të përcaktuara: kuzhinë, lavanderi, dhomë zhveshjeje për kujdestarët, hapësirë polifunksionale, infermieri dhe dhomë psikologu. Rregullat duhet të kihen parasysh edhe nga ata që janë në proces ndërtimi apo rikonstruksioni të çerdheve.

“Standardet të konsiderohen të detyrueshme për çerdhet e reja ose gjatë rikonstruksionit të tyre. Ato nuk aplikohen në çerdhet ekzistuese përveçse në rastin kur ato hyjnë në procesin e rikonstruksionit”, përcaktohet qartë në dokumentin e miratuar nga qeveria.

Ai detajon dhe përshkruan hapësirat e nevojshme sipas llojit, madhësisë dhe specifikimeve në përputhje me standardet europiane. Kjo ndodh në kushtet kur ndërtimet e çerdheve janë bërë të pabazuara në standarde projektimi, duke sjellë mungesë të cilësisë dhe sigurisë në shërbimin e ofruar.

SIGURIA

Me qëllim që të vegjlit të jenë të sigurt brenda çerdheve, MZHU në bashkëpunim me ministritë e tjera që dhanë disa sugjerime, i kanë kushtuar rëndësi të veçantë sigurisë. Një kamerë sigurie në hyrje dhe sinjali akustik është kërkesë për monitorimin e të gjithë personave që hyjnë në çerdhe, ndërsa nuk specifikohet që kjo pajisje të jetë edhe në ambientet ku të vegjlit qëndrojnë.

“Këto kamera nevojiten kur hyrja e qendrës nuk duket nga personeli i sigurisë së ndërtesës ose nëse vlerësimi i riskut të sigurisë parashikon monitorim me video të hyrjes. Sistemi me qark të mbyllur duhet të mbulojë hyrjet, daljet dhe zonat e jashtme të lojës”, përcaktohet në rregulloren e re për çerdhet. Gjithashtu, të gjitha pikat e hyrjes duhet të kenë sinjal alarmi dhe pajisje mbylljeje të vonuar për pikat dalëse.

KUSHTET PER PROJEKTIMIN E ÇERDHEVE TE REJA

1. Rezistencën dhe qëndrueshmërinë mekanike;
2. Sigurinë nga zjarri;
3. Higjienën, shëndetin dhe mjedisin;
4. Sigurinë në përdorim;
5. Mbrojtjen nga zhurmat;
6. Kursimin e energjisë dhe ruajtjen e ngrohtësisë.
-Çerdhet duhet të pozicionohen mundësisht afër zonave të banimit dhe të jenë lehtësisht të aksesueshme nga popullata e interesuar për shërbim.
-Sipërfaqja totale e pronës për ndërtimin e çerdhes duhet të llogaritet të paktën 40 m² për fëmijë, gjithsesi jo më pak se 1500 m² në total.
-Koeficienti i shfrytëzimit duhet të jetë jo më shumë se 35%.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura