Kushtet, më mirë se negociatat të hapeshin sot

Jun 27, 2018 | 19:03
SHPËRNDAJE

prec-zogajPREÇ ZOGAJ

Samiti i ministrave të Jash tëm të vendeve të BE-së ka vendosur dje që të mos hapë këtë vit negociatat për Shqipërinë, duke e shtyrë këtë proces në qershor 2019. Kryeministri dhe Qeveria dështuan për hapjen e negociatave në afatin e parashikuar dhe trumbetuar prej tyre, pra më 29 qershor 2018. Shqipërisë i është dhënë një afat i ri dhe një paketë kushtesh të reja që de fakto e vendosin në gjendjen e përsëritjes së një provimi, pasi ngeli në klasë në provimin e radhës.

Vendi kishte marrë një rekomandim pa kushte nga Komisioni Europian para nëntë javësh. Periudha nga marrja e rekomandimit deri te mbledhja vendimmarrëse e fundqershorit, e la në vendnumëro qëndrimin e vendeve skeptike për Shqipërinë. Përpjekjet e qeverisë dhe diplomacisë shqiptare për të hequr pengesat nuk sollën ndonjë gjë të re. Zhvillime dhe ngjarje domethënëse që fuqizojnë argumentet pro hapjes nuk pati. Përkundrazi, ka pasur dhe vijon të ketë një seri ngjarjesh dhe skandalesh, të cilat kanë fryrë e kanë shtyrë si një erë e fuqishme në drejtimin e kundërt.

Skandali më i fundit: kapja në Durrës, me indicie të partnerëve ndërkombëtarë, e rreth 5 milionë eurove në një ngarkesë me vetura “Toyota”. Janë para të narkotrafikut nga Shqipëria në Europë, që kthehen në Shqipëri për të financuar ekonominë dhe politikën kriminale këtu. Për këdo që merret me zhvillimet në vendin tonë, kjo është maja e ajsbergut e asaj që ndodh në nivelet e larta të politikës dhe krimit. Megjithatë, duket se Gjermania dhe pas saj edhe Franca, Holanda dhe ndonjë vend tjetër skeptik që nuk e ka manifestuar hapur kundërshtimin, kanë rënë dakord për ta shtyrë datën e hapjes së negociatave që Shqipëria të plotësojë disa kushte.

Që do të thotë “jo” në fakt, duke qenë se në kushte kemi qenë dhe po t’i kishin plotësuar, s’ka nevojë të përsëriten. Por kjo shtyrje për vitin tjetër me kushte, mendoj se është një mënyrë për t’i ruajtur fytyrën në njëfarë mënyre qoftë politikës së zgjerimit, qoftë Komisionit Europian, që ka bërë rekomandimin pozitiv për Shqipërinë. Nga ana tjetër, na jepet një mesazh shumë domethënës ne shqiptarëve për të vazhduar me bindje dhe me ekzigjenca demokratike drejt dyerve të hapura të BEsë.

Kushtet kanë të bëjnë me plotësimin e vetingut për gjykatësit dhe prokurorët e gjykatave më të larta, ngritjen e SPAKU-t, garantimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, hartimin dhe miratimin e reformës zgjedhore; kërkohen gjithashtu përparime solide në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, përfshirë zyrtarët e lartë dhe politikanët, vazhdimin me intensitet të luftimit të kultivimit dhe tregtisë së drogës e tjerë.

Kushtet kanë të bëjnë me plotësimin e vetingut për gjykatësit dhe prokurorët e gjykatave më të larta, ngritjen e SPAKU-t, garantimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, hartimin dhe miratimin e reformës zgjedhore; kërkohen gjithashtu përparime solide në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, përfshirë zyrtarët e lartë dhe politikanët, vazhdimin me intensitet të luftimit të kultivimit dhe tregtisë së drogës e tjerë.

Me fjalë të tjera, në lidhjen e tyre, kushtet përfshijnë përshpejtimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, zgjidhjen ligjore dhe përfundimtare të problemit të madh të zgjedhjeve, goditjen konkrete të krimit dhe korrupsionit në nivelet e larta. Në fakt, duhet ta themi me plot gojën se kushtet janë një gjë më e mirë për vendin sesa po të na jepeshin këtë vit negociatat symbyllur, për arsye gjeopolitike.

Zvarritjet në zbatimin e Reformës në Drejtësi, plus deformimet që janë mjeshtëria e politikanëve vendas, kanë krijuar një vakum që Kryeministri e ka shfrytëzuar dhe e shfrytëzon për të poseduar gjithnjë e më shumë hapësirë në koritat e drejtësisë dhe për ta kapur atë. Në këtë vakum, kur drejtësia e vjetër ka rënë dhe e reja nuk është ngritur, ka ndodhur që rrjetat e hedhura kundër pandëshkueshmërisë dhe paligjshmërisë po tërhiqen pa asnjë lloj peshku, as të madh, as jo të madh. Ky është një kthim i frikshëm prapa, që vjen si një lloj sfide dhe hakmarrje kundër njoftimeve dhe impenjimeve për drejtësinë e re.

Në këtë kontekst, kushtet e zbatimit në një përqindje sinjifikative të vetingut dhe sidomos ngritja e SPAK-ut, plus vënia në funksion e Gjykatës Kushtetuese japin përgjigje për lojën e zotit Rama dhe kujtdo tjetri me Reformën në Drejtësi. Të njëjtën gjë mund të themi për reformën zgjedhore. Ngjarje dhe skandalet e muajve të fundit e kanë lënë pak në hije shkatërrimin e zgjedhjeve përmes shitblerjes së votës dhe dhunimit të tyre në forma të ndryshme. Prishja e zgjedhjeve mbetet terminali i një qeverie të kapur apo në ortakëri me krimin.

BE nuk mund të jetë e verbër dhe t’i dorëzojë qeverisë së shkatërrimit të zgjedhjeve bonuse që frymëzojnë një shkatërrim të ri. Reforma zgjedhore është një mundësi për të gjetur zgjidhjet me të mira ligjore kundër manipulimit të zgjedhjeve. Natyrisht, ajo mund të mbyllë disa shtigje e të çara ku depërton dhe vepron krimi zgjedhor. Por zgjidhja e madhe duhet kërkuar përtej teksteve të shkruara.

Është një temë së cilës do t’i kthehemi. Për momentin, duhet të ndihemi me shpresë që BE po e nxjerr nga sirtari i harrimit apo gjeopolitikës këtë çështje jetike për Shqipërinë. Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni në nivelet e larta janë gangrena e demokracisë. Kalimi nga një stacion i integrimit në tjetrin, nga nënshkrimi i marrëveshjes së StabilizimAsociimit te plotësimi i kushteve të para, nga plotësimi i kushteve të para te heqja e vizave, nga heqja e vizave te marrja e statusit të vendit kandidat dhe nga marrja e statusit të vendit kandidat te hapja e pritshme e negociatave nuk ka sjellë zhvillime pozitive në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Përkundrazi: e ka çimentuar pandëshkueshmërinë. Çmimi që ka paguar e paguan vendi dhe qytetarët është i gjithanshëm dhe prek drejtpërsëdrejti mirëqenien dhe dinjitetin e tyre. Politikanët nuk kanë paguar asnjë çmim. Një ditë prej ditësh ata trumbetojnë si trofe të tyre arritjen me vonesë në stacionin e radhës të integrimit dhe pastaj e bëjnë edhe me keq si shpërdorues të pushtetit. Shqiptarët kanë arsye të mendojnë se për faj të elitave politike integrimi i tyre në BE është vonuar përtej çdo afati.

S’ka më vend për mirënjohje, edhe kur arrijmë ndonjë gjë. Por është rasti të reflektojnë se si forcohet pandëshkueshmëria në pallatet e Tiranës, duke tundur flamurin me yje të BE-së. Edhe BE e ka kuptuar. Kushti i luftës me shembuj konkretë kundër zyrtarëve të lartë të korruptuar vlen për Shqipërinë më shumë se çdo ceremoni e shpifur. Le të jenë kushtet, një nxitje e vërtetë për të gjithë ata që e ndiejnë me zemër dhe e kanë seriozisht integrimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura