“Kushtet e marrëveshjeve mund të ndryshojnë”- Covax flet për shpërndarjen e vaksinave antiCovid: Ka shumë pasiguri, në gjysmën e dytë të 2021 do të furnizohen…

Jan 21, 2021 | 14:14
SHPËRNDAJE

Atalayar_Vacuna-COVID-19

Platforma e shpërndarjes së vaksinave anti-Covid, Covax, me të cilën ka nënshkruar marrëveshje edhe Shqipëria, ka deklaruar së fundmi se synimi i saj është të shpërndajë 1.8 miliardë doza të vaksinës për vendet e varfra në muajt e parë të 2021.

Siç shkruan The Guardian, Covax “shpreson t’i qëndrojë marrëveshjeve të furnizimit për vendet më të pasura në gjysmën e dytë të vitit 2021”.

Por Covax, e krijuar për të siguruar qasje të barabartë në vaksinat kundër Covid-19 dhe që drejtohet nga aleanca e vaksinave Gavi, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) , etj, ka nënvizuar se kishte shumë paqartësi që ndikonin në prokurimin dhe furnizimin me vaksinat Covid-19.

Covax paralajmëron madje se kushtet e marrëveshjeve “mund të ndryshonin”, sipas Reuters.

Këto 1.8 miliardë doza do të shpërndahen përmes asaj që është quajtur ‘angazhimi paraprak në treg (AMC) në 92 vende “të kualifikueshme” (qe permbushin kriteret) dhe do të korrespondojnë me mbulimin e vaksinimit të rreth 27% të popullsisë në këto vende, tha aleanca Gavi në parashikimin e përditësuar për Covax.

“Parashikimi ynë tregon se ne duhet të përmbushim kërkesat për vaksinë që kanë përcaktuar pjesëmarrësit (e marrëveshjes) dhe që kanë bërë parapagimin, në gjysmën e dytë të vitit 2021,” thuhet në deklaratën e aleancës Gavi.

Disa marrëveshje furnizimi janë ende në negociata dhe disa prej vaksinave kandidate ende nuk janë aprovuar për t’u përdorur nga rregullatorët e ilaçeve ose OBSH.

“Ka shumë pasiguri që ndikojnë në furnizimin me vaksinat Covid-19 në 2021, jo vetëm rreth kapacitetit prodhues, rregullimit, disponueshmërisë së fondeve, kushteve përfundimtare të kontratës dhe gatishmërisë së vetë vendeve për të filluar programet e tyre kombëtare të vaksinimit Covid-19”, thuhet në deklaratën e Covax, shkruan The Guardian.

“Sasia e prodhimit do të ndikohet nga faktorë të shumtë, të cilët nga ana tjetër do të ndikojnë në vëllimin dhe kohën e furnizimit”, mbyllet reagimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura