Kushërinjtë e kërkuar për 3.4 milionë eurot, dyshohen dhe për 2 dërgesa

Jun 27, 2018 | 19:25
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Dy kushërinjtë e shpallur në kërkim, të dyshuar si porositës së dy “Toyota-ve” të mbushura me 3.4 milionë euro, po verifikohen edhe për dy dërgesa të tjera parash, të kryera në të njëjtën mënyrë.

Alfred Vladi, njëri nga të kërkuarit
Alfred Vladi, njëri nga të kërkuarit

Burime nga Policia thanë se Alfred dhe Elvis Vladi nuk janë gjetur gjatë kontrollit në banesa apo në ambientet që frekuentonin. Kjo ka ngjallur dyshime se ata edhe mund të jenë “arratisur”, para se të zbuloheshin eurot në Portin e Durrësit.

Të njëjtat burime thanë se që prej datës 21 qershor, kur në Kuvend u bë publik fakti i një automjeti “Toyota”, të nisur nga Gjermania me një sasi të konsiderueshme eurosh, nuk ka asnjë gjurmë të dy kushërinjve nga Dibra. Policia ka verifikuar edhe bizneset e tyre, saktësisht të Alfred Vladit, i cili është ortak me vëllain e Elvis Vladit, që ndodhen në zonën e Laprakës në Tiranë.

alfred vladi elvis vladi

Vladi kishte dy kompani të licencuara për kryerjen e transfertave jobankare, si dhe të dhënies së makinave me qira. Burimet thanë se Elvis Vladi, 38 vjeç, rezulton të jetë ndaluar në vitin 2015 në Britaninë e Madhe për një sasi kokainë, bashkë me një grup shqiptarësh, por në përfundim të hetimeve është lënë i lirë, pasi nuk ka rezultuar të kishte lidhje me drogën. Nga ana tjetër, kushëriri i tij, 33-vjeçari Alfred Vladi, nuk rezulton të ketë pasur probleme me drejtësinë.

POROSITESIT

Kushërinjtë e shpallur në kërkim, Alfred dhe Elvis Vladi, sipas Policisë janë porositës së ngarkesës me sasinë rekord të eurove, që u zbuluan në Portin e Durrësit. Të dy rezultojnë pronarë biznesesh në Tiranë, por njëri prej tyre, Alfred Vladi, ka në pronësi edhe dy kompani që merren me dhënien e automjeteve me qira e këmbim valutor.

Të dyja kompanitë e tij janë regjistruar në vitin 2017. Fusha e veprimtarisë së shoqërisë së parë është: Agjenci udhëtimi, makina me qira dhe huadhënie. Veprimtari e agjentit për transfertë parash në emër dhe në llogari të një subjekti financiar jo bankë. Të gjitha shërbimet e pagesave dhe të transferimit të parave në emër dhe për llogari të një subjekti financiar jo bankë. Veprimtari e agjentit komisioner.

Shërbimet Unionnet-Western Union. Veprimtari e këmbimit valutor. Po kështu, edhe shoqëria tjetër në pronësi të tij me emrin tregtar “Tirana Rental Car”, ka pothuajse të njëjtën fushë të ushtrimit të veprimtarisë. Ndërsa të dyja janë me qendër në zonën e Laprakës, në Tiranë. Të dielën, Policia arrestoi 4 persona në lidhje me ngarkesën e makinave, ku u gjetën rreth 3.4 milionë euro.

Të arrestuarit janë Agim Çeka, 61 vjeç, Edi Lika (Cani), 41 vjeç dhe i biri, Klevi Lika (Cani), 21 vjeç, si dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç. Policia tha se gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip “Bizark”, të drejtuar nga shtetasi Agim Çeka dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota, janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zvicerane të padeklaruara.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura