Kush po e sulmon deputetin gjerman? Basha nxjerr 3 emrat: Fushatë me paratë e krimit

Apr 21, 2018 | 12:36
SHPËRNDAJE

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka denoncuar dhe denuar ashper sulmet qe sipas tij, Edi Rama po bën nga mediat e kontrolluara prej tij, ne adrese te Kryetarit te Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum.

merkel gynter

Ne nje dekklarate nga selia blu, Basha permendi tre emra, Ramen, Tahirin dhe kryebashkiakun Veliaj, si pjese e ketij sulmi, sipas Bashes, neverites.

Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate që po zhvillohet prej 3 ditësh në media është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar që lidhen drejtpërdrejt me Ramën, Tahirin dhe Veliajn.

“Ai është një nga figurat më të nderuara të Gjermanisë dhe evropës, një njeri që e do dhe mbështet Shqipërinë, por ku të sundojë shteti i të drejtës dhe demokracia, ndaj ka shprehur hapur kritikat. Kritikat e tij janë shprehur Ramës dhe qeverisë dhe nga shumë qeveri të BE, edhe nga SHBA, por në vend që të ballafaqohet me realitetin e vërtetë, që të reflektojë për kritikat Rama ka zgjedhur të prodhojë fushatë shpifjesh kundër kryetarit të cështjeve të BE në Bundestag. Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate, që po zhvillohet prej tre ditësh, është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit që lidhen direkt me Ramën, Tahirin dhe Veliajn”- tha Basha.

Deklarata e plote 

Jam para jush për të dënuar fushatën e akuzave të pabaza dhe shpifjeve të ulëta kundër Gunther Krichbaum. Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut, i cili është vënë nën shënjestrën e një fushate të turpshme dhe e papranueshme.

Kjo fushatë e pistë, e frymëzuar nga sulmet e Kryeministrit Edi Rama në mediat e kontrolluara prej tij, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish Ministrit të Brendshëm, trafikantit ndërkombëtar të drogës, Saimir Tahiri, bie ndesh me çdo vlerë demokratike dhe europiane. Ajo dëshmon mentalitetin kriminal dheautokratik se kritikët dhe ata që mendojnë ndryshe duhet të sulmohen personalisht dhe të denigrohen.

Gunther Krichbaum është një nga figurat politike më të nderuara dhe të respektuara të Europës. Mbi të gjitha, Gunther Krichbaum është një njeri që e do dhe mbështet Shqipërinë. Por ai do një Shqipëri ku të sundojë shteti i së drejtës dhe demokracia. Prandaj ai ka shprehur hapur dhe me ndershmëri mendimet dhe kritikat e tij për të ndihmuar përparimin e Shqiëprisë dhe të integrimit të saj në Bashkimin Europian. Kritikat e argumentuara dhe të paanshme të Krichbaum i janë shprehur Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare edhe nga shumë qeveri të tjera eurpiane,mbrëmë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryesisht hapsirës Euroatlantike.

Por në vend që të ballafaqohet me realitetin e vërtetë që Krichbaum e argumenton në mënyrë bindëse, në vend që të reflektojë për kritikat e drejta të Krichbaum, Edi Rama ka zgjedhur të prodhojë një fushatë shpifjesh dhe lajmesh fallco, fake neës, kundër Kryetarit të Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Europian në Bundestag.

Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate, e cila po zhvillohet prej 3 ditësh në media, është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar dhe që lidhen direkt me Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn. Ky aksion i ulët propagandistik dëmton interesat e shqiptarëve, dëmton interesat e Shqipërisë, dëmton prespektiven e saj. Me sulmet ndaj Krichbaum, Edi Rama vetëm sa po shton rradhët e deputetëve gjermanë në Bungestag që janë pesimistë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vota e të cilëve është e domosdoshme para se qeveria gjermane të japën vendimin e saj për Shqipërinë.

Së fundmi, dua të shpreh neverinë time personale, jo vetëm si politikan, por mbi të gjitha si shqiptar, dhe të dënoj fuqimisht këtë fushatë shpifjesh dhe sulmesh skandaloze kundër dinjitetit njerëzor të një njeriu dhe politikani të ndershëm që punon për interesin e përbashkët europian jo vetëm të Gjermanisë, por të gjithë popujve europianë.

Top Channel: Një pyetje për mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe në pritje të Kuvendit Kombëtar. Demokracia e mbrendshme është lançuar si një festë nga ana juaj në mars dhe lidhur me këto zhvillime, të paktën nga zërat kritikë, duket se nuk janë aspak optimistë që ata janë të përfshirë dhe mund të kenë zërin e tyre në parti. A keni një koment lidhur me këtë?​

Basha: Unë dua të vlerësoj maksimalisht përpjekjet e forumeve të Partisë, të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar, të cilat shpresoj se do të gjejnë shprehje edhe në punimet e Kuvendit Kombëtar, për të mishëruar në statutin e ri, parimet e një partie që synon garë të ndershme, të hapur, trasparente në të gjitha nivelet për këdo, që nga kryetari i Partisë deri tek anëtari më i thjeshtë. Së dyti, jam mirënjohës që është përqafuar platforma që unë e kam shpallur prej vitesh, e kufizimit dhe transferimit të pushtetit në organe kolegjiale, çka ka çuar në forcimin e vemdimmarrjes në Kryesi, në Këshillin Kombëtar dhe në Kuvendin Kombëtar të partisë. Por mund të them pa dyshim, që risia më e madhe, jo vetëm për Partinë Demokratike por për Shqipërinë, është përqafimi pa asnjë dilemë mbrëmë nga Këshilli Kombëtar dhe jam i bindur edhe të dielën nga Kuvendi Kombëtar, i parimit të konsultimit, me parimin një anëtar një votë, me të gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë përpara se të vazhdohet me proçesin e seleksionimit të kandidaturave të ardhshme për Parlamentin e Shqipërisë. Këto janë ndryshime të mëdha, janë ndryshime qe e ndajnë historinë e Partisë Demokratike në dy pjesë. Përqafimi i këtyre standardeve do të imponojë një punë të madhe dhe jo të lehtë dhe jam i bindur se është rruga e duhur për Shqipërinë në rradhë të parë dhe natyrisht është mishërim i aspiratave, shpresave dhe kërkesave të demokratëve. Në këtë kuadër dua të përsëris ftesën time si kryetar i Partisë Demokratike, për çdo demokrate dhe demokrat, çdo qytetar, që të jetë pjesë e këtij projekti transformues për Partinë Demokratike sot dhe parimet e të cilit do të transformojnë nesër Shqipërinë. Kufizimi i pushtetit, çlirimi i politikës nga konflikti i interesit, vendosmëria për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët, janë parimet bazë me të cilat Partia Demokratike do ta udhëheqë vendin larg humnerës ku ndodhet sot, dhe do t’i hapë shqiptarëve mundësi dhe horizonte për t’u ndjerë europianë në vendin e tyre, në vend që të kërkojnë largimin masivisht nga Shqipëria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura