Cilët mjekohen në fillim, ata që janë më rëndë, apo ata që kanë shanse mbijetese? Flet Presidenti i Akademisë së Etikës në Mjekësi: Ja si veprohet

Mar 24, 2020 | 12:11
SHPËRNDAJE

Kriza Corona është edhe krizë e shëndetësisë. Në rast të një fluksi masiv të të sëmurëve kush do trajtuar në fillim – ata që kanë nevojë më urgjente apo ata që kanë më shumë shanse mbijetese? Përgjigje jep etika.52885454_303

Deutsche Welle: Mjekë dhe infermierë nga Italia raportojnë të tronditur, se në krizën e Coronës jo për të gjithë pacientët ka kujdes adekuat shëndetësor. A ka linja orientuese etike për një mjek që duhet të vendosë, kujt duhet t’i ndihmojë?

Georg Marckmann: Ka disa linja orientuese për situata kategorizimi (Triage) në mjekësi si edhe në raste katastrofash, në rast të një numri masiv të të lënduarve, e bëhet vlerësimi i pacientëve në kategori. Ajo që nuk kemi janë rekomandimet për një situatë, si po ndodh tani në Itali, që për shkak të përhapjes së Covid-19 ka kaq shumë pacientë që kanë nevojë për trajtim intensiv dhe intubim, saqë kapacitetet e mjekësisë nuk mjaftojnë.

Triage, është një fjalë që vjen nga mjekësia e luftës – kategorizim. Në cilat grupe ndahen pacientët?

Ka disa kategori: të sëmurët me kërcënim akut të jetës, trajtohen menjëherë, trajtimi i të sëmurëve rëndë shtyhet më pas, kurse të sëmurët lehtë trajtohen më vonë. Të sëmurët pa shanse mbijetese marrin vetëm mbështetje, trajtim pritës Vendimtarja në situatat me shumë pacientë të sëmurë që ne nuk arrijmë t’i trajtojmë dot më, është se duhet të ndërrojmë strategji, nga një trajtim i fokusuar tek pacienti në një këndvështrim të orientuar nga grupet apo popullsia. Në trajtimin e fokusuar tek pacienti ne përpiqemi që trajtimi të jetë optimal për mirëqenien e shëndetit të tij në pajtim me vullnetin e pacientit individualisht. Në një trajtim të orientuar nga grupi ne përpiqemi të sigurojmë që brenda një grupi popullsie të mbahet sa më i ulët numri i të sëmurëve dhe vdekjeve. Kjo i vën nën presion personat veprues, sepse ata nuk janë të mësuar me këtë. Normalisht përpiqemi të bëjmë më të mirën për pacientin individualisht. Ndërsa në situata kategorizimi nevojiten linja të tjera orientuese. Por rregull bazë është që të veprosh në atë mënyrë që të mbijetojnë sa më shumë njerëz, sepse kjo është në interesin e përgjithshëm.

Italien - Bergamo - Coronavirus (Imago/S. Agazzi)Bergamo – ushtria transporton arkivolët e të vdekurve nga Covid-19

Ju jeni president i Akademisë së Etikës në Mjekësi. Çfarë mund të bëjnë specialistët e etikës në pandeminë e Coronës për spitalet?

Ne nuk fillojmë nga zero: Shoqata austriake e Mjekësisë Intensive ka dhënë rregulla për zbatimin e terapisë intensive për pacientët e Covid-19. Edhe Zvicra. I ri është një rekomandim nga SHBA me një katalog për komitetet e etikës dhe këshillat e etikës. Aktorët në terren nuk duhet t’i lemë vetëm në situata të tilla. Nga ana etike këshillohet që të përpilosh rekomandime, si të veprohet në rast të zvogëlimit të resurseve. Kjo është për të gjithë një situatë e jashtëzakonshme. Ne kemi një sistem shëndetësor të pajisur mirë, në të cilin si rregull nuk duhet të bëjmë një zgjedhje mes disa pacientëve që kanë nevojë për trajtim. Edhe për besimin e popullsisë është e rëndësishme, që ne të përcaktojmë kritere dhe procedura, si veprohet në rast të ngushticës së kapaciteteve të trajtimit intensiv.

Në rast të një krize, kur mungojnë shtretërit intensivë dhe intubimi, do duhet të trajtohen ata që kanë nevojë më urgjente apo ata që kanë më shumë shanse mbijetese?

Ne kemi gjithmonë një ndarje në bazë të urgjencës. Kush është i sëmurë rëndë ka qasje në resurset intensive. Në situata, kur kapacitetet nuk mjaftojnë, atëherë ne kalojmë në një kategorizim në bazë të suksesit të shërimit. Kështu është në rast Triage dhe katastrofash dhe do të ishte e mirëargumentuar në një situatë, ku do të kishim shumë pacientë që kanë nevojë për intubim dhe kur nuk mund të trajtohen të gjithë me respiratorë. Por prioritet duhet të ketë gjithmonë që të përpiqemi të zgjerojmë kapacitetet. Kjo po bëhet intensivisht tani në Gjermani. Kjo kërkohet nga ana etike, ashtu si edhe përdorimi i kapaciteteve në mënyrën më të mirë, si koordinimi i shtretërve intensivë, mundësisht edhe shkëmbimi i pacientëve. Pacientët me Covid-19 nuk janë të shpërndarë të gjithë njësoj në rajone.

Si mund të përcaktohet pa asnjë dyshim, se cili pacient futet në cilën kategori?

Prognoza për pacientët ka një traditë të gjatë në mjekësinë intensive. Aty ku jemi më pak të sigurtë, është prognoza e pacientëve me Covid-19. Po tani ka të dhëna të para nga Italia, ku ka pasur përpjekje për zhvillimin e kritereve për të bërë një vlerësim të gjendjes së pacientëve të sëmurë rëndë dhe probabilitetin e vdekjes.

Georg Marckmann, Medizinethiker | Ludwig-Maximilians-Universität München (Yves Krier)Georg Marckmann

Për cilat kritere bëhet fjalë?

Duhet të vlerësosh shanset për suksesin e shërimit të pacientëve që trajtohen në mënyrë intensive. Një kriter këtu është shkalla e rëndë e sëmundjes akute të frymëmarrjes. Përveç kësaj duhet pasur parasysh, nëse sëmundje të tjera shoqëruese e keqësojnë prognozën e pacientit, si është gjendja e përgjithshme e tij, nëse dikush është shumë i brishtë nga shëndeti. E rëndësishme është të përcaktosh, cilat kritere nuk luajnë rol: për shembull statusi familjar, statusi social apo sfondi kulturor. Askush nuk është që nga fillimi i privilegjuar apo i lënë mënjanë, kjo vlerësohet në bazë të kritereve etike dhe mjekësore. Besoj, se në Gjermani kemi një sistem mjekësor mjaft të zhvilluar, ku mund të mobilizojmë disa rezerva, për të trajtuar si duhet pacientët me Covid-19. Përveç kësaj kemi një sistem funksionues të shoqatave mjekësore të specializuara, që janë mjaft aktive.

Prof. Dr. med. Georg Marckmann është drejtues i Institutit për Etikën, Historinë dhe Teorinë e Mjekësisë në Universitetin e Mynihut Ludwig-Maximilians. ai është president i Akademisë së Etikës në Mjekësi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura