Kush kërcen nap’lonin…

Nov 22, 2020 | 12:26
SHPËRNDAJE

 

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

Titullin e këtij shkrimi ia kam huazuar njërës prej këngëve më të njohura të Shqipërisë së Mesme, e cila është kënduar e kërcyer prej aq kohësh sa nuk mbahen mend sidomos nëpër dasma. Sigurisht, asokohe, kur një dasmor i kërkonte orkestrës ta luante atë, duhej t’i hidhte asaj një napolon flori.

Sa për kujtesë lexueseve e lexuesve të mi qejflinj dasmash, por edhe të tjerëve, po i lejoj vetes t’u them se një nap’lon apo napolon flori ishte dhe vazhdon të jetë një monedhë dikur njëzetfrangëshe me fytyrën e presidentit Napoleon, nipit të Napoleonit I, i cili, duke e imituar këtë të fundit, bëri një grusht shteti më 2 dhjetor 1851 për të qëndruar në pushtet duke u kthyer nga president në perandor në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së dytë Franceze dhe duke u bërë kështu Napoleoni III.

Në betejën që kundërvë aktualisht kryeministrin shqiptar Edi Rama me presidentin po aq shqiptar Ilir Meta, nuk mund të mos bjerë në sy që i pari, pra, Edi Rama, si xhongler i vërtetë në marrëdhëniet e tij me Kushtetutën, të kujton deri diku Napoleonin III, të cilit iu kundërvunë menjëherë Viktor Hugoi me librin pamfletar “Napoleoni i Vogël”, Karl Marksi me librin “18 Brymeri i Lui Bonapartit” si edhe filozofi Prudon me librin “Grushti i shtetit”. Atëherë, le të këndojmë së bashku “Kush kërcen nap’lonin”!

Atyre që, si unë, e kanë lexuar librin e Viktor Hygoit, po u kujtoj se ky autor e sulmon ashpër Napoleonin III duke e cilësuar si “më të poshtërin e të poshtërve”, si “hajdut”, “kriminel” e “batakçi”. A nuk i kanë përdorur disa nga këto epitete edhe eksponentë apo përfaqësues të opozitës së sotme shqiptare në drejtim të kryeministrit Rama? Atëherë, le të këndojmë së bashku “Kush kërcen nap’lonin”!

Atyre që, si unë, e kanë lexuar librin e Marksit, u kujtoj se ky autor e cilëson grushtin e shtetit të 1851 si një kopje të 18 Brymerit të Napoleonit I. Duke iu referuar filozofit Hegel, ai nënvizon që në krye të librit se “gjithë ngjarjet e mëdha dhe gjithë personazhet historike përsëriten në njëfarë mënyre dy herë […] herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë”. A nuk vlen kjo edhe për të ashtuquajturën Rilindje Mav(r)i të Edi Ramës në krahasim me Rilindjen Kombëtare që u kurorëzua më 28 nëntor 1912 me shpalljen e pavarësisë së vendit tonë?

A nuk është Rilindja Mav(r)i e Edi Ramës një dukuri e frikshme që fsheh mjeshtërisht marrjen e pushtetit absolut nën një petk demagogjik e populist, ashtu si ndodhi me Rilindjen e Kuqe të Enver Hoxhës pas çlirimit të vendit më 29 nëntor 1944? A nuk është Rilindja Mav(r)i e Edi Ramës e mbarsur me padrejtësi, korrupsion, narkotrafik, kriminalitet, varfëri, papunësi, mërgim e të tjera plagë shoqërore më tepër sesa Rilindja blu e Sali Berishës apo Rilindja rozë e Fatos Nanos? Atëherë, le të këndojmë së bashku “Kush kërcen nap’lonin”!

Në këtë kontekst të pakontestueshëm mjerimi të përgjithësuar skaj më skaj të shtetit shqiptar të shkalafitur poshtë litarëve të ringut të Rilindjes Mav(r)i të Edi Ramës shtatlartë po aq sa Napoleoni III, kush tjetër përveç atij po kërcen nap’lonin duke i hedhur nap’lona orkestrës së oligarkëve fatlumë? Atëherë, le të këndojmë së bashku “Kush kërcen nap’lonin”! Po, po, le ta këndojmë e ta kërcejmë njëherazi këtë këngë që, me sa di unë, vazhdon kështu: “Bija e kapidonit” etj., etj… Shiko, shiko, kush na qenka ky kapidon apo kapedan ose kapiten? Vetë kryeministri ynë?

Jo? Nejse, po e bija kush mund të jetë? Me sa jam i informuar, ai nuk ka vajzë. Jo? Oh, pak rëndësi ka në fund të fundit, sepse, ku i dihet, mund të jetë ndonjëra nga vartëset e tij besnike që e adhuron atë pa kufi, pa skaj, pa cak e pa limit si baba të kombit. Ndoshta kjo bijë për shpirt është ajo zonja që… që quhet (me “u” dhe aspak me ndonjë shkronjë tjetër)… që quhet… Ah, pleqëri e shkretë, nuk m’u kujtuaka emrin i saj, por mbaj mend që, gojëlirë (me “l” dhe aspak me ndonjë shkronjë tjetër), ajo e ka krahasuar kryeministrin Rama me Skënderbeun, Heroin tonë Kombëtar, krahasim që, me gjasë, i zhvleftëson fjalët e Hygoit, Marksit e Prudonit në drejtim të Napoleonit III.

Ah, edhe diçka tjetër: Meqë ekzistuaka një monedhë floriri dikur njëzetfrangëshe pikërisht me fytyrën e perandor Napoleonit III, jam gati i sigurt se po ajo zonjë që e krahasoi kryeministrin Rama me Skënderbeun, do të propozojë – në marrtë Rama një mandat të tretë – që Banka e Shqipërisë të emetojë një monedhë ose edhe kartëmonedhë me fytyrën e kryeministrit aktual universalisht të adhurueshëm.

Së fundi, për dreq, me afrimin e zgjedhjeve kuvendore të 25 prillit, se si m’u kujtua një thënie e Prudonit, ndoshta fort e vlefshme për popullin tim të urtë, të urtë, të urtë më tepër sesa duhet: “Të mëdhenjtë na duken të tillë, sepse kemi rënë në gjunjë; atëherë le të çohemi!”. Po, po, le të çohemi, jo për të kërcyer duke kënduar “Kush kërcen nap’lonin, bija e kapidonit”, por për të votuar pa u frikësuar, siç na e dikton ndërgjegjja e lirë (me “l” dhe aspak me ndonjë shkronjë tjetër).

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura

baste-665x504