Kush ishte Dervish Hatixheja, gruaja që humbi familjen dhe i shpëtoi sëmundjes së kolerës

Sep 26, 2018 | 11:18
SHPËRNDAJE

Sipas historikut të familjes, Hatixheja ishte një nuse e re tiranase me dy fëmijë dhe si shumë gra të tjera të kohës, jetonte nën prangat e një realiteti të ashpër, ku shoqëria e quante normë abuzimin e grave.

Gratë nuk kishin të drejtë, si qenie humane, të mendonin, të ndjenin, të shpreheshin apo të vepronin në drejtim të pasioneve dhe ëndrrave të tyre në jetë. Çdo zgjedhje bëhej për to nga burrat, familja apo shoqëria që komandoheshin nga burrat. Dhe për më tepër, burrat kishin të drejtë të ishin të pasjellshëm dhe jo vlerësues ndaj grave. Por Dervish Hatixheja do ta ndryshonte këtë shoqëri dhe mentalitet të kohës me veprën e saj humanitare ndaj njerëzimit. Fati do donte që shumë nga ata njerëz që nuk e respektonin gruan, do kishin nevojë pikërisht për ndihmën e një gruaje.

Nënë Lakja Sulltana,paraardhëshja e nënë Rukijes
Nënë Lakja Sulltana,paraardhëshja e nënë Rukijes

Që kjo grua do ishte shpëtimtare e jetës së tyre apo do t’i qetësonte shpirtërisht gjatë vdekjes së tyre. Hatixheja do t’i bënte njerëzit ta shihnin gruan me një sy tjetër, madje dhe ta përgëzonin për ato që ajo ishte e aftë të bënte dhe për më tej, edhe ta bënin atë shenjtoren e tyre dhe të faleshin në gjunjë përpara saj. Hatixheja jetoi gjatë viteve 1700, kur Ballkanin e pllakosi epidemia e kolerës. Njerëzit vdisnin rrugëve të pandihmuar dhe mbeteshin dhe të pavarrosur, gjë që kanoste akoma më shumë rrezik për përhapjen e sëmundjes në pjesën e shëndoshë të popullatës.

Hatixheja e humbi familjen e saj nga kolera. Por ajo diti që ta kthente këtë dhimbje në diçka pozitive. Ajo nuk u largua për t’i shpëtuar kolerës, përkundrazi, shpirti i saj e kërkonte që dhimbja e saj shpirtërore të bëhej forca për të ndihmuar të sëmurët me kolerë. Ajo, me shumë kurajë, me gjithë rrezikun që mund të sëmurej vetë nga kolera dhe duke hedhur tej tabutë e shoqërisë, mori iniciativa dhe u vu në shërbim të njerëzve. Ajo i ktheu pronat e saj në varrezë dhe shtëpinë e saj në spital për t’u kujdesur për të sëmurët me kolerë. Të paktën, njerëzit me kolerë të kishin një vend ku të kërkonin ndihmë. Aktiviteti humanitar i

Hatixhesë u dha kurajë shumë grave të tjera, për të tejkaluar limitet e kohës dhe për t’u bashkuar me Hatixhenë për t’u shërbyer njerëzve. Ato, si Hatixheja kishin dëshirë t’u vinin në ndihmë njerëzve. Kështu, Hatixheja nuk ishte më vetëm. Ajo udhëhiqte një grup pune. Në këtë mënyrë, përveç se u vu në shërbim të njerëzimit, në një nga kohët më të vështira, krijoi gjithashtu një lëvizje pavarësie për gratë. Edhe më interesant është fakti që ajo vetë, edhe pse në kontakt të vazhdueshëm me të sëmurët me kolerë, nuk po prekej vetë. Pra, njerëzit shikonin që një mrekulli po ndodhte me të. Hatixheja gjithashtu filloi të shëronte të sëmuret me kolerë, çka u konsiderua një mrekulli tjetër e saj.

Eva nusja e shtëpisë-paraardhësja e nënë Rukijes
Eva nusja e shtëpisë-paraardhësja e nënë Rukijes

Dervish Hatixheja ishte dhe një mjeke popullore e aftë për të shëruar disa lloj sëmundjesh, sidomos të plagëve të rënda. Ajo jo vetëm përgatiste vetë ilaçe me bimë medicinale, por i ofronte ato falas. Nga këto ngjarje, Hatixheja tashmë nuk shihej vetëm si një njeri i zakonshëm, duke u kthyer kështu në fenomen. Ajo jetoi në një realitet spiritual, për këtë arsye nuk u sëmur dhe diti ta përdorë ndërgjegjen e saj për të shëruar njerëzit. Hatixheja fitoi titullin “Dervish” për impaktin e aktivitetit të saj humanitar në ndihmë të të sëmurëve me kolerë, për dedikimin e saj ndaj njerëzve, e për të gjitha veçoritë mbinjerëzore që e karakterizuan. Titulli “Dervish” është një titull shenjtor, që u jepet shumë rrallë grave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura