Kush është trafikanti i drogës që iu bllokuan 2 mln euro pasuri, Prokuroria dyshon se paratë e drogës u investuan në…

Jun 23, 2022 | 12:00
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Menjëherë pasi SPAK kishte dhënë informacion në lidhje me kërkesën për konfiskimin e pasurisë së një fermeri në Kozarë të Kuçovës, për shkak se dyshohej se vinte nga para të aktiviteteve kriminale, u bë me dije se një tjetër operacion ishte ndërmarrë për sekuestron e disa pasurive që kapnin shifrën e 2 milionë eurove.

euro

Hetimi kishte nisur nga seksioni i Pastrimit të Parave në Policinë e Tiranës, duke u finalizuar me ndërhyrje të njëkohshme në Tiranë dhe Gjirokastër. Sipas të dhënave, bëhet me dije se këto pasuri ka dyshime të bazuara dhe faktuara se vijnë nga aktiviteti kriminal i subjektit të hetuar. Policia e Tiranës e ka mbajtur të paidentifikuar publikisht emrin e personit derisa çështja të përfundojë në Gjykatë.

Ai rezulton i dënuar dy herë për trafik droge, më herët në vendin tonë dhe viteve të fundit në Angli, ku edhe ka kryer disa vite burg. Policia e Tiranës bëri me dije se pjesa më e madhe e pasurisë ishte e vendosur në Tiranë, ndërsa në Gjirokastër iu sekuestrua një tokë arë. Një grup hetimor i përbërë nga ekspertë po kalojnë në sitë të gjithë anëtarët e familjes, si dhe lidhje të dyta dhe të treta të familjes së të dënuarit për të zbuluar se në emër të kujt janë kaluar pasuritë e këtij personi.

OPERACIONI

Referuar të dhënave të Policisë, bëhet me dije se ditën e djeshme është finalizuar operacioni policor i koduar “Summer 2022”. Në kuadër të këtij operacioni, Policia njoftoi se janë sekuestruar pasuri që arrijnë vlerën 2 mln eurove, para të cilat dyshohen se rrjedhin nga veprimtari kriminale.

Gjithashtu, uniformat blu bëjnë me dije se nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Summer 2022”, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit R. P., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është arrestuar në vitin 2018, nga autoritetet policore angleze, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2007 është dënuar me 7 vjet burgim nga autoritetet e drejtësisë në vendin tonë, për të njëjtën vepër penale.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro, konkretisht: Një pasuri e paluajtshme (arë), në Valare, Gjirokastër; 5 apartamente në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 3 garazhe në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 1 apartament në Yzberisht dhe 3 automjete. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

HETIMET

Policia e Tiranës bëri me dije se në emër të këtij personi kanë ardhur një sërë materialesh nga drejtësia angleze, në bazë të të cilave ai dyshohet se paratë e gjithë aktivitetit të tij kriminal i ka sjellë në Shqipëri.

Edhe pse as prokuroria dhe as Policia nuk japin informacion në lidhje me identitetin e tij, për shkak se, sipas tyre, përbën sekret hetimor, ata nuk tregojnë as rrugën se si kanë hyrë paratë e aktivitetit të tij në Shqipëri e aq më tepër të hedhura në zonat më të njohura të Tiranës. I dënuari për trafik droge në Shqipëri dhe në Angli dyshohet se pasuritë i ka kaluar në emër të të afërmve të tij e, për pasojë, Prokuroria e Tiranës vijon gjurmimin e tyre në dy qarqe, në Tiranë dhe Gjirokastër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura