Kush e lëndoi Pavlina Evron?

Mar 24, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

RAUF DIMRAJ

   Ish-kampionia, përfaqësuesja dinjitoze e Shqipërisë, ka vetëm pak muaj që kryen detyrën e konsulles shqiptare në Greqi. Çuditërisht, emërimi i saj dikujt i prishi humorin dhe reagoi në një mënyrë që lëndoi jo vetëm Pavlinën, por edhe ne, kolegët e saj të fushës së sportit. Rasti i saj na bën të qëndrojmë për të shprehur qasjen tonë, duke u bazuar vetëm mbi fakte, për t’i dhënë vendin e merituar dhe respektin që u përket subjekteve të fushës së edukimit fizik dhe sportit.
Nevojitet të theksohet që në krye të herës se “alergjia” ndaj këtij emërimi e ka origjinën në mentalitetin e gabuar se fusha e edukimit fizik dhe sportit përfaqësohet nga njerëz me nivel të kufizuar e mediokër kulturor. Këtij koncepti arkaik i është bashkuar së fundi edhe një profesor i shquar i mjekësisë sonë, që konkludon se 1 euro investim në mjekësi është më i vlefshëm edhe sesa 1 euro investim në arsim.
Përtej rastit Evro, kjo mënyrë arsyetimi e vlerësimi pas viteve 1990 ka shkaktuar një diskriminim të gjerë për fushën e edukimit fizik dhe sportit: kuadri i fizkulturës u injorua, orët e fizkulturës u pakësuan, baza materiale e palestrave, ambientet dhe oborret e shkollave u grabitën kudo. Si rrjedhojë, praktika fiziko-lëvizore e popullatës sonë u katandis në masën 4%, ndërkohë që vendi fqinj, Maqedonia, e praktikonte fizkulturën në masën 16%, ndërkohë që në Finlandë ushtrohen 92% e popullsisë. Si rrjedhojë, në vendin tonë lindën këto pasoja të dëmshme: fëmijët aktualisht janë më sedentarë dhe më të dhjamosurit e gjithë historisë së ekzistencës së popullit tonë; sëmundjet kardiovaskulare të popullsisë janë rritur me 25%; numri i vdekjeve të njerëzve të sëmurë nga kanceri është rritur me 30%; numri i pacientëve që shtrohen në spital për sëmundjen e diabetit është dyfishuar, krahasimisht me vitet ‘90 etj. etj.
Është fakt se mësuesi i edukimit fiziko-sportiv, në ndryshim me shumë subjekte të tjera të jetës sonë shoqërore, ushtron profesionin e tij i udhëhequr nga parimet e shkencave: biologji, fiziologji, anatomi, psikologji, pedagogji, biomekanikë, auksologji, mënyrë e të ushqyerit, metodologji stërvitore etj. Është e qartë se aplikimi i shkencës në sport nënkupton përdorimin e procedurave të studiuara, njohjeve, cilësive intelektuale dhe zbatimeve të përshtatshme në praktikë, të studimeve dhe eksperimenteve shkencore botërore e të vendit tonë, duke i mundësuar shoqërisë sonë ndryshime shumë të favorshme, në shumë aspekte të jetës: shëndetit, edukimit, kulturës, biznesit, personalitetit, përfshirë zhvillimet sociale, të marrëdhënieve midis shteteve e kombeve etj.
Pavlina Evro është mësuese e edukimit fizik. Për më tepër ajo është e para sportiste shqiptare, që u stërvit me ngarkesa bashkëkohore, nga trajneri Pirro Kasati dhe mjeku Isuf Salice. Ajo u stërvit me vetëmohim, me volume të mëdha pune dhe përvetësoi metodologjinë shkencore stërvitore të nivelit të lartë; u kurorëzua kampione absolute, fitoi shumë medalje nderi në arenën ndërkombëtare përgjatë viteve 1983-1991 dhe përfaqësoi e publikoi fuqishëm cilësinë e sportit tonë jashtë shtetit.
Pavlina për shumë vite i demonstroi me sukses njohuritë e saj teoriko-praktike edhe si trajnere në vendin fqinj, Greqi.
Greqia, sikundër e dimë, është një shtet që ka kulturë shumë të gjerë e të thellë të jetës njerëzore, përfshirë edhe kulturën më antike, atë të lëvizjes fiziko-sportive. Atje ka shkolla që trajtojnë dhe kontribuojnë me cilësi për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës e infrastrukturës edhe së kësaj fushe e funksionojnë një numër i shumtë shoqatash e pjesëmarrësish, që zhvillojnë më tej infrastrukturën e biznesin në sport, frymën olimpike, miqësinë, argëtimin dhe gëzimin e publikut, madje me cilësi botërore, për të cilat ne kemi shumë nevojë. Të gjithë jemi të njohur me arritjet sportive cilësore të Greqisë, ku kanë spikatur kampionë në nivelin olimpik dhe botëror. Janë shumë domethënës edhe titujt kampion bote të disa sportistëve tanë, në flakjen e shtizës e në peshëngritje, rezultate që ata i arritën vetëm kur shkuan dhe u stërvitën në Greqi.
Greqia u shpall në vitin 2008 Kampione Europe në futboll. Sportistët në botë janë diva.
Për ta përmbledhur, duam të themi se Greqia është një shtet europian, prej të cilit mund të mësohet, të shkëmbehet e të përfitohet shumë, edhe në fushën tonë të edukimit fiziko-sportiv, e cila përbën një shtyllë themeli për një shtet human.
Pavlina është e çliruar nga kufizimet, ka eksperimentuar dhe ka zgjeruar njohjet dhe idetë; në detyrën e re, ajo është në gjendje të pasqyrojë botën tonë të brendshme, të modelojë identitetin tonë kombëtar; të mundësojë bashkëpunime efikase e të ndërtojë lidhje me Greqinë, për përmirësimin e organizimeve me vizion ndaj punës konkrete, të marrëdhënieve sociale, të konditave tona ambientale, duke synuar në rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë komunitare, për të ardhmen dhe përmirësimin e mirëqenies sonë.
Duke përfituar nga rasti, e gjykojmë tepër të rëndësishme të prezantojmë e të thithim vëmendjen e publikut edhe për këtë kontribut shumë të vlefshëm që mundësohet nga kuadri ynë i edukimit fiziko-sportiv, si një potencial i vyer i shoqërisë sonë:
Nuk janë poliambulancat moderne, spitalet e sofistikuara dhe ilaçet e shkëlqyera, që formojnë cilësinë e shëndetit publik, por janë kontributet efikase dhe eficiente të mësuesve të edukimit fiziko-sportiv, që mbjellin edukatën dhe praktikimin e individualizuar të lëvizjes fizike, prej moshës së kopshtit e në vijim dhe garantojnë mbrojtjen, zhvillimin e shëndetit e të marrëdhënieve social-intelektuale dhe rritjen e jetëgjatësisë së shoqërisë sonë.
Për sa shprehëm më sipër, ne mësuesit e fizkulturës, sportistë të dikurshëm dhe aktualë, e përshëndesim me sodisfaksion e ndihemi të stimuluar nga vendimi i qeverisë shqiptare për emërimin e znj. Pavlina Ylli në detyrën e konsulles shqiptare në Greqi. Theksojmë se Shqipëria në të kaluarën ka emëruar sportistë cilësorë, edhe në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Angli.
Gjithashtu jemi maksimalisht të vlerësuar e të përkrahur nga vendimi historik i qeverisë së Shqipërisë, që për herë të parë miratoi rritjen e kohëzgjatjes së zhvillimit të mësimit të edukimit fiziko-sportiv në shkolla, te të gjitha klasat 1-12, me tri orë në javë.
*Zv.ministër i Arsimit dhe Sporteve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura