Kush e certifikon të vërtetën në Shqipëri?

Oct 21, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

GJERGJ META

gjergj meta

Shkrimi nuk ka për qëllim të merret as me… veritas revelata (e vërteta fetare), as me veritas philosophica (e vërteta si proces i njohjes së arsyes), por me veritas juridica (të vërtetën juridike) të gjërave (akuzave më saktë) që çdo ditë artikulohen fort dhe dhunshëm nëpër mediumet tona virtuale, vizive dhe të shtypura. Kush i certifikon ato? Cila instancë na jep kritere objektive dhe instrumentet e duhura që ne të kuptojmë çfarë është e vërtetë e çfarë jo në mungesën (thuajse) totale të sistemit të drejtësisë?

E, megjithatë, nuk mund të shkëputemi, së paku për disa çaste, nga rrugëtimi filozofik i së vërtetës për të folur rreth asaj që është e vërteta juridike, sepse diku ato takohen. Aletheia greke në zanafillë ishte përkimi midis mendimit dhe realitetit (Aristoteli), atë që në mesjetë e quanin adaequatio intellectus ad rem në filozofinë e Shën Tomë Akuinit. Në historinë e mendimit kemi një rrugëtim të gjatë që ka përfshirë konceptin e së vërtetës, me nuanca nga më të larmishmet, për të mbërritur në kohën tone, ku e vërteta ka humbur pothuajse çdolloj objektiviteti, çdolloj përkimi midis mendimit dhe realitetit, duke qenë në dispozicion të individit dhe perceptimit të tij apo aq më keq akoma, në dispozicion të pushteteve të propagandës elektorale për fitimin e pushtetit. Kjo ka sjellë, sipas meje që në fjalorin e Oksfordit për vitin 2016 fjala e vitit të ishte fjala post-truth, e cila tregon gjendjen, sipas së cilës, në një diskutim, që ka lidhje me një fakt apo një lajm, e vërteta është një çështje që ka një rëndësi dytësore. Rëndësia më e madhe i kushtohet ndikimit që ajo do të ketë në vullnetin e atyre që dëgjojnë, në mënyrë që të orientojë votën e tij. Këtu, gjithsesi, hyjmë edhe në dimensionin e dinjitetit të personit njerëzor, që diku matet me kutin e prodhimit e diku me fletën e votimit e kur nuk është as për njërën as për tjetrën, është thjesht një mbetje, por është një çështje më vete.

Diskutimi publik në Shqipëri, ai i studiove televizive apo i xhunglës ndërpartiake, është pikërisht në këtë gjendje, në situatën e post-truth, ku ka pak rëndësi sa e vërtetë është një gjë dhe në ç’raport qëndron me të vërtetën. Rëndësi ka që ata që dëgjojnë të krijojnë në mënyrë të menjëhershme një opinion që çon ujë në mullirin e atij që ngre zërin më shumë. Thjesht e vërteta nuk intereson më. Nëse ka ndonjë interes për të, është tërësisht funksional.

Ne kemi vite që dëgjojmë akuza e kundërakuza, edhe në nivelet më të larta të shtetit shqiptar, ndaj njëri-tjetrit. Janë akuza që rëndom të bëjnë të rrëqethesh. Shumë nga akuzat nuk janë morale apo filozofike e kësisoj tribuna që vlerëson këto akuza nuk janë auditorët e mendimit. Ne si qytetarë nuk kemi një kriter vlerësimi objektiv tjetër (jashtë perceptimit tonë individual) përveç çka na thonë organet ligjzbatuese dhe gjykatat që, nëpërmjet një procesi korrekt, çojnë drejt së vërtetës juridike e shprehur me një vendim, i cili do të kalojë të gjitha shkallët (nëse palët e kërkojnë) deri në Gjykatën Kushtetuese. Por, deri tani, dhe u bë kohë, hallkat që duhet të sanksionojnë të vërtetën juridike janë të shpërbëra dhe të pamjaftueshme për të bërë të vërtetën. Nga njëra anë, nëse nga aktorët politikë dhe vetë populli, është delegjitimuar tërësisht sistemi gjyqësor, nga ana tjetër kemi hyrë në një proces që po vonon shumë ringritjen e këtij sistemi. Post-truth në vendin tonë ka pikërisht këtë të veçantë në krahasim me vende të tjera, sepse ka përfshirë edhe të papërfshirshmen: sistemin e drejtësisë dhe i bën karshillëk atij.

Ne po përballemi çdo ditë, çdo orë e çdo çast me një akuzë të re dhe një kundërakuzë të re. Askush nuk duket se ka për qëllim të vërtetën, por vetëm influencimin e individit apo të grupeve për të arritur me një rezultat në zgjedhjet e ardhshme. A jemi në gjendje të shikojmë se në çfarë situate katastrofike ndodhemi? Justitia et veritas nuk kanë më lidhje me njëra-tjetrën, madje janë lënë në heshtje, në një stol rezervë, si lojtarë të lodhur të një beteje që po bëhet vetëm për të rritur numrin e tifozëve, ku ato nuk i interesojnë askujt. Ka pak rëndësi nëse lojtarët në fushë luajnë mirë apo keq, janë profesionistë apo thjesht gaztorë. Rëndësi ka të shkaktojnë efektin e menduar të llogaritur dhe të dëshiruar te spektatorët.

Një lloj panem et circenses (bukë dhe cirk) moderne. Mungesa e një tribune, ku këto “të vërteta”, të bërtitura fort nga aktorët e aktualitetit, të dalin, është problematike. Vonesat e Reformës në Drejtësi kanë sipas meje vetëm një emër: mohim i drejtësisë. Ka të drejtë ajo regula turis, që thotë iustitia dilata, iustitia negata (drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar). Edhe sa mund të presin njerëz, të cilët kanë shpenzuar vite jetë dhe energji, për një të vërtetë, për një vendim, për drejtësi?

Pyetja se kush e certifikon të vërtetën e gjërave që thuhen sot në Shqipëri, cila instancë, është urgjente më shumë se kurrë. Nuk mund të jetohet në një kaos si ky i tanishmi. Një pjesë e mirë e njerëzve e presin nga ambasadorët e radhës, të cilët, në “respektim” të kodeve ndërkombëtare, thonë me të drejtë: “Organet kushtetuese e kanë në dorë. Pa u krijuar këto, ne nuk mund të themi asgjë”.

T’u lësh ndërkombëtarëve në dorë të vërtetën tënde, do të thotë t’ia lësh në dorë diplomacisë, e cila në historinë e saj nuk është marrë kurrë me të vërtetën, por vetëm me çuarjen e fjalës. Ambasadori është thjesht një lajmës. Vetëm në vende si Shqipëria, atyre u jepet edhe tagri i arbitrit. Ne shpikëm ONM, që është institucioni më i qartë i pazotësisë tonë, i servilizmit dhe i mosbesimit që kemi te vetvetja dhe te njëri-tjetrin. Kjo nuk tregon vetëm fuqinë e shteteve që kanë kancelaritë e tyre këtu, por edhe dobësinë e skajshme tonën. Ne po e humbim gjithnjë e më shumë betejën për të vërtetën, sepse ndoshta nuk e kemi dashur kurrë këtë betejë. Por e vërteta nuk e humb asnjëherë betejën me ne.

Ajo ka një objektivitet të vetin, që ne, sado ta injorojmë apo anashkalojmë, gjithmonë do të na zërë rrugën, sepse është në natyrën e vetë së vërtetës të jetë objektive. Kush pengon natyrën, herët a vonë do të merret përpara prej saj. Natyra nuk fal. Dhe natyra për vetëm përkufizimin e saj nuk është xhungël, por është finalitet: d.m.th., ka një rrugëtim të sajin drejt një qëllimi. Sado ta pengosh, ajo një ditë do të dalë në krye.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura