Kush duhet t’i kërkojë falje profesor Artan Fugës?

Apr 13, 2015 | 11:57
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Duke befasuar opinionin publik me fyerjet nevrastenike kundër prof. Artan Fugës, zëvendësministri i Arsimit Arbjan Mazniku, i ardhur nga “Mjaft” në kabinetin qeverisës, i pamjaftueshëm në logjikë, dëshmoi se cila është fytyra e reformës që po tentojnë t’i imponojnë botës universitare shqiptare.
Gjuha e Maznikut është gjuha e kësaj reforme. Qysh në fillesat e shtetit tonë të pavarur e në vazhdim ka pasur polemika për çështje arsimi e kulture. Asokohe, si sot, përballeshin konceptet liberale europiane të autonomisë me ato centraliste e autoritariste ndërmjet personaliteteve dhe ministrave, zakonisht po personalitete.
Intelektualët flisnin e shtetarët heshtnin dhe reflektonin ose mbanin pozicionet e tyre pa triumf. Ata kishin sens të fortë etik për çka përfaqëson shteti. Jo vetëm nuk fyenin, por as reagonin, ndonëse sistemi politik ishte mbretëri autoritariste. Ndoshta duhet të jemi më seriozë kur flasim për ministrat e Zogut dhe të mos i fyejmë me krahasime!
Polemika e Fishtës me Hilë Mosin, kur tentohej mbyllja e gjimnazit françeskan “Ilirikum” në Shkodër, është tejet e famshme, atëherë poeti plot pezëm shkroi “Gabove Hilë”.
Hilë Mosi e mori me vete atë plagë, por nuk lëshoi zë kurrë kundër poetit kombëtar. Ndërsa sot nuk ke kujt i thua as gabove, sepse “ngrihen këmbët dhe i bien kokës”. Kurrsesi nuk më shkon mendja të krahasoj Hilë Mosin me Maznikun, ngaqë druaj se i shkaktoj idhnim të madh e më lëshon një namë të rëndë nga bota e përtejme.
Qysh kur kanë nisur diskutimet për draftin dhe projektligjin për reformimin e arsimit të lartë, Fuga është shfaqur elegant e sqimatar në diskursin e tij. Ai ka shprehur gjykime profesionale ndaj projektligjit dhe problemeve shqetësuese që mbart, pa cenuar dinjitetin njerëzor të autorëve. Ai asnjëherë nuk e ka ulur regjistrin në nivel personal akuzash.
Arbjan Mazniku si ta ketë, por le ta dijë që një gjest kaq të padenjë ndaj një pedagogu e për më tepër ndaj një eminence si Artan Fuga, në historinë e këtij shteti, asnjë zyrtar a politikan nuk e ka bërë! Ai n’dashtë të turpërohet, n’dashtë të ndihet krenar për këtë gines haxhiqamilist të komunikimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës.
Gjithë sa po ndodh, na bën të dyshojmë se zyrtari në fjalë teshtin dhe ka alergji ndaj librave. Me sa shihet, prof. Fuga ka shkruar si autor më tepër tekste nga çka lexuar gjithë jetën “reformatori i madh”.
Po i kujtoj publikut se Artan Fuga akademik, profesor e filozof, me tituj dhe botime të shumta ndërkombëtare, është pa dyshim një nga asetet më të çmuara të mendimit bashkëkohor shqiptar, krenaria e Universitetit të Tiranës, por edhe i Universitetit të Sorbonës, ku ligjëron si një profesor me emër i tij më këtë titull të mbrojtur po atje.
Ndërsa grupi drejtues i Ministrisë së Arsimit, duke filluar me ministren Nikolla, për të mbërritur shpejt te Mazniku, Malaj etj., me Universitetin i lidh veç koha e largët kur kanë qenë studentë të tij. Katedra, auditori, leksionet, tekstet, marrëdhënia pedagog-student, horizontet, pritshmëritë, alternativat, mundësitë e ballafaqimit të këtij institucioni të dijes me si të ngjashmit e vet në Europë dhe reformimi i tij janë koncepte të panjohura për ta.
Poshtërimi i Universitetit publik me ligj është thelbi i projektit që ky grup i ka dërguar Parlamentit, nënshtrimi i tij ndaj burokracisë dhe maxhorancës politike të rastit.
Për këtë objektiv dëshpërues, Fuga me disa kolegë të Forumit për liri akademike është dhe janë armiku nr.1.
Sipas këtij vullneti politik, Fugës “i ka marrë koka erë”, ndërsa Mazniku e ka kokën në vend dhe mbi ketë dikotomi po realizohet ligji për arsimin e lartë. “Meremetimi e axhustimi” i kokës së prof. Fugës që të “mos i hyjë era” dhe kokave të tjera të Universitetit publik, është fryma e këtij ligji që po na serviret.
Për kë bëhet dhe kujt i shërben një ligj që ka kundra Universitetin publik të vendit, në të cilin studiojnë mbi 70% e studentëve shqiptarë?
Në këtë moment, ajo çka habit dhe shqetëson, është se si Mazniku ka pasur kurajë të fyejë Fugën. Zakonisht vartësit shquhen për kryeulje, për një turp të lehtë që ndan nënshtrimin nga servilizmi, skuqje të lehta kur komplimentohen si modestë që kanë bërë vetëm detyrën dhe mollëza të ndezura e belbëzim kur shefi u hakërrehet! Guximi për të sulmuar një personalitet publik me një staturë europiane, si Artan Fuga, meriton një analizë pas dënimit të aktit.
Personalisht druaj se, kur ata propozojnë, shajnë apo fyejnë, kryejnë një porosi dhe, pasi e bëjnë, presin një kompliment apo një favor dhe pastaj bien në ekstazë duke zbuluar qëllimin e ndeshur benefitet e jetës. Kjo lloj besnikërie është mbijetesa e tyre afatgjatë dhe rrënimi i moralit publik.
Nëse nuk është kështu, Edi Rama ka tri mundësi shfajësimi para shqiptarëve. E para, t’i thotë mjaft Maznikut e ta detyrojë t’i kërkojë falje publike profesor Fugës. E dyta, t’i kërkojë dorëheqjen zv.ministrit të Arsimit. E treta, ta shkarkojë atë duke kërkuar falje ai vetë për aktin e shëmtuar të dhunës verbale.
Në mos, kemi të drejtë ta shohim thjesht si lajmës që ka kryer një porosi, në të cilën përmblidhet vizioni i qeverisë për arsimin e lartë në vendin tonë. Përndryshe, jemi në të drejtë të Zotit të mendojmë se apartçiku ka zbatuar urdhrin dhe Kryeministri urren zërat më të artikuluar të kësaj shoqërie, duke instaluar protestën si të vetmen mundësi komunikimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura