Kush do ta marrë PD-në dhe pse kjo është pyetje koti

Sep 24, 2021 | 9:05
SHPËRNDAJE

ERMAL HASIMJA

ermal-hasimjaShqipëria ka opozitë politike në mes të një konflikti vëlla(babë) vrasës dhe një opozitë morale të shpërndarë në universitete, media, kafe dhe aeroporte. Opozita politike është ajo formale, PD, LSI dhe gjithë gjallesat satelitore simbiotike që pushteti i ka lënë në pritje të një oferte më të mirë. Kjo opozitë ka qëllim absolut pushtetin. Lufta civile në PD e vërteton plotësisht këtë.

Kjo nuk ka lidhje me interesat e vendit, por me pushtetin brenda PD-së. Duke përjashtuar Berishën, Basha mori një vendim kundër bindjeve, ose të paktën kundër frikës së vet, ndërsa Berisha, ai që e vuri dhe kurrë nuk e përzuri Bashën, tashmë papritur zbuloi se ky qenka poliagjent i Ramës, Sorosit dhe (disa) amerikanëve që nuk e duan. Ndërsa opozita morale, ajo që gjykon se problemi nuk është një parti apo tjetra, por mungesa e moralit në politikë, është sot e dëshpëruar, e çorientuar dhe e paorganizuar.

Kjo opozitë nuk e gjen veten askund. Shpresa e saj e vetme deri tani ishte minimaliste: të paktën të ikin hajdutët në pushtet. Tani që u vërtetua se rilindja është e aftë të marrë mandat të ri, pothuajse pa u lodhur dhe me luksin e arrogancës, kjo opozitë është akoma më e pezmatuar. PD-ja do ta zgjidhë në një mënyrë a një tjetër konfliktin e brendshëm. Dikush do të jetë gjithsesi kryetar i PD-së, i cilësdo PD. Por kjo nuk i bën asnjë punë opozitës morale, sepse kjo opozitë nuk ka të njëjtët objektiva me opozitën formale. PD-ja në dy pjesët e saj përfaqëson Bashën e Berishën, por nuk përfaqëson më “duart e pastra”, të përndjekurit, lirinë dhe demokracinë.

Ajo përfaqëson 2 grupe që luftojnë se kush do të marrë të drejtën për të qenë në vendin e duhur kur Rama të lodhet me pushtetin, ndërkohë që Ramën ka më shumë gjasa ta mposhtë prostata apo Alzajmeri sesa opozita. Opozita ka vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet: bashkimin me opozitën morale të vendit. Kjo është sfidë e vështirë duke pasur parasysh se PD-ja ka bërë dhe po bën gjithçka për të vërtetuar se nuk e ka shumë merak moralin në politikë.

Në 2005, Berisha krijoi iluzionin e një aleance me opozitën morale të vendit, iluzion të cilit i dha dërmën brenda pak kohësh. Në 2021 është e pamundur që t’u shesësh shqiptarëve iluzione. Madje, është e vështirë që t’u shesësh edhe shenjtorët, në kushtet kur askush nuk beson më tek askush. Shqipëria nuk është e djathtë. Shqiptarët dalin të majtë nga materniteti. Që e djathta të fitojë, do të duhet të bashkojë votat e atyre që presin radhën për t’u zënë vendin socialstëve në plaçkitjen e asaj që mbetet me votat e atyre që pikërisht duan të votojnë që plaçkitja të përfundojë.

Duhet të bashkojë gjithashtu edhe votat e atyre që nuk duan të dëgjojnë më për politikën. Prandaj, pyetja se kush do ta marrë PD-në nuk ka asnjë kuptim për opozitën morale të vendit. E vetmja rëndësi e kësaj pyetjeje është e natyrës sportive. Pyetja e vërtetë është a mundet PD-ja që, përtej Bashës e Berishës, të gjenerojë një udhëheqësi morale për të bashkuar të pabashkueshmet.

 

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/