“Kursyen qytetarët dhe nisi shiu”/ Qeveria nxjerr jashtë loje ERE-n, Rama shtyn vendimin për rritjen e çmimit të dritave

Oct 1, 2022 | 7:21
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI

Qeveria shtyn vendimin për rritjen e çmimit të dritave për abonentët familjarë.

Si në rastin kur u paralajmërua rivendosja e fashës dhe faturim me çmim tregu për ata që harxhojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj, edhe në rastin e tërheqjes nga vendimi, lajmi nuk është përcjellë nga Enti Rregullator i Energjisë por nga vetë Kryeministri Rama.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë tha se nga përmirësimi i nivelit në Fierzë, por edhe kursimi është arritur të sigurohet sasia e nevojshme e energjisë për muajin tetor.

Në këto kushte, fasha apo pragu 800 kilovatë nuk do të aplikohet këtë muaj, siç edhe u vendos nga ERE pak ditë më parë. “Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 KWh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç’është sot, pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.

Nga ana tjetër, ditët e fundit kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetëditëshit të parë të tetorit.

Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, të cilën s’e ka krijuar qeveria, po qeveria e ka barrën ta menaxhojë sa më mirë të jetë e mundur, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kë të mos hyjë në fuqi në muajin tetor”, tha Rama duke lënë të kuptohet se vendimi vlen vetëm për këtë muaj.

BLERJET E KESH

Por ndërsa sipas Kryeministrit sasia e nevojshme e energjisë është siguruar nga kursimi dhe përmirësimi i niveleve në Fierzë, të cilat kanë sjellë një rënie të kërkesës nga 17 mijë MWH në 11 mijë MWH, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë të ditur se ka përmbyllur procedurat e tenderimit duke siguruar 74 500 MWH energji të nevojshme për muajin tetor. Kjo blerje i ka kushtuar KESH jo pak, por rreth 34 milionë euro.

“Rezultatet e tenderit për blerje energji elektrike për periudhën 01-31 Tetor 2022.

KESH ka blerë energji elektrike për furnizimin e klientëve universale në sasi prej 74,500 MWh me një çmim mesatar të ponderuar 455,24 Eur/MWh”, thuhet në njoftimin zyrtar. RAMA Rivendosja e fashës sipas qeverisë prek vetëm 4 për qind të abonentëve. Por, në fakt, gjatë stinës së dimrit për shkak edhe të ngrohjes, numri i familjeve që do të përballen me një faturë të kripur parashikohet të jetë së paku dyfish më i lartë.

Sipas Entit Rregullator të Energjisë, nga rreth 830 mijë abonentë janë mbi 71 mijë prej tyre që gjatë stinës së ftohtë kanë një konsum energjie mbi pragun e caktuar 800 kilovatë. Në përgjigje të akuzave të opozitës se energjia sigurohet përmes burimeve hidrike, Kryeministri tha se sistemi ynë energjetik siguron vetëm 75 për qind të nevojave.

“Disa ndër ne këtu në Shqipëri thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta. Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji. Ne siç e keni parë po ecim, dhe po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10-vjeçari, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend energjitikisht sovran si dhe eksportues neto të energjisë. Por pikërisht se hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte”, tha Kryeministri, teksa garantoi më tej mbrojtjen e çmimit të energjisë së konsumatorëve familjarë e të bizneseve dhe furnizimin e pandërprerë të tyre me energji.

ÇMIMI

Një javë më parë, Enti Rregullator i Energjisë vendosi të miratojë propozimin e qeverisë që për çdo kilovat të harxhuar mbi 800 kilovator çmimi nga 9.5 lekë do të bëhet 42 lekë (pa përfshirë TVSH-në).

Nga kjo lëvizje parashikohej që të siguroheshin 1.8 miliardë lekë më shumë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një fond ky që do të përdorej nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për blerjen e energjisë në treg të lirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura