Kurset profesionale dynden nga të rinj të diplomuar

Apr 29, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional është më e populluar se asnjëherë më parë. Ajo që bën përshtypje më shumë se të tjerat nuk është mosha e ndryshme e studentëve, por shkollimi i tyre. Një pjesë e mirë e të pranishmëve janë me arsim të lartë.

 

12710916_1072916762770521_113362212898422278_o

Asnjë shpresë pas shkollimit që të gjenin rrugën e duhur të punësimit. Edhe vetë studentët janë të vetëdijshëm se pas viteve të fakultetit ti nuk ke asnjë aftësi konkrete, përveç njëfarë dijeje teorike që ka mangësitë e veta, pa marrë parasysh mangësitë që i lënë studentët.

Qendrën profesionale e shohin si rrugën e duhur, përmes së cilës do të shkojnë te vendi i punës, sepse pas përvojës aty konsiderohet një përvojë e kaluar, si të kishin punuar diku. Ndihet kjo më së shumti te studentët që vijnë nga Fakulteti i Shkencave Sociale. Shumë prej nesh dëgjojmë pa fund studentë të diplomuar në degët që nuk kanë asnjë mundësi konkrete punësimi në treg.

Edhe ata vetë në fund të studimeve e vetmja derë ku mund të trokasin është ajo e shkollave apo OJF-ve, por sa të tillë do të ketë çdonjëra prej tyre?! Nga ana tjetër, fjala e parë që bie në veshin e studentëve është përvoja e punës. Nuk dihet se në ç’kushte e rrethana duhet ta kenë fituar, ama duhet ta kenë me doemos. “Kam mbaruar shkollën e lartë te Fakulteti i Shkencave Sociale, në degën e Psikologjisë.

 

IMG_20160414_114448-1024x768

Më duket shumë i mirë ky kurs, sepse ndryshe nga shkolla, të jep mundësi praktike, na vë në kontakt me organizata të ndryshme përmes së cilave mund të mësojmë, mund të integrohemi dhe ç’është më kryesorja, të punësohemi. Duket sikur fushat sociale të hapin lehtësisht një derë, por terreni nuk është ajo çka kemi menduar”. Kjo është ajo çka pohon një djalë që nuk ka pak që ka përfunduar studimet e larta e megjithatë, nuk ka parë mundësi tjetër integrimi përveç këtij kursi profesional.

Sipas të dhënave statistikore, numri i kursantëve me arsim të lartë është më i madh se ai me arsim 9- vjeçar apo të mesëm. “Quhem Enkeleida Asllanaj, jam 42 vjeç, e martuar me 5 fëmijë dhe banoj në Tiranë. Arsyeja e vetme pse kam ardhur është punësimi. Kam dëshirë të punoj edukatore kopshti. Kam arsim të lartë 3- vjeçar, masterin ende nuk e kam mbaruar, por mendova të provoj shkollimin profesional, pasi të jep një drejtim të caktuar dhe punësimi është më i thjeshtë”.

Rastet si të Enkeleidës, apo të djalit që nuk donte t’i përmendej emri, po shtohen dita ditës, ashtu siç po shtohen edhe gratë e një moshe të caktuar që, megjithëse pak vite i ndajnë nga mosha e pensionit, duan të përfitojnë diçka.

IMG_20160414_114941-1024x768

“Jam Fatbardha Manko, 56 vjeç. Mbas një praktike të madhe jetësore, duke kaluar pak nëpër të gjitha zanatet, duke punuar si banakiere, bufetiere, ndihmës kuzhiniere, dua të trajnohem te kurset e reja që janë hapur. Kisha dëshirë të thellohesha në kategorinë që më pëlqen mua e që unë nuk i dija më parë sepse i konsideroj shumë efikase. Më mirë vonë sesa kurë, sa të mësoj, të mësoj”, tregon Fatbardha për “Historia-ime.com”, e vetëdijshme që mundet të mos e shfrytëzojë aq shumë informacionin dhe përvojën që do të marrë.

Rastet për t’u “specializuar” në rrobaqepësi e kuzhinë janë gjithashtu të shumta, ndërsa vajzat më të reja në moshë i gjen kryesisht te parukeri-estetika. Pjesa më e dobishme, përveç përvojës, është certifikata shtetërore, që njihet edhe në vendet përtej kufijve.

“Quhem Anxhela, jam 20 vjeç, kam mbaruar gjimnazin dhe kam zgjedhur parukeri-estetikën sepse u përshtatet shijeve të mia. Do të largohem jashtë shtetit dhe meqenëse duhej një diplomë shtetërore, ky kurs ishte më i përshtatshmi”.

Historitë dhe motivet se pse kanë zgjedhur shkollat profesionale janë të ndryshme, thelbi është i njëjtë, nuk ka punë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura