Kurrikula me kompetenca: Po teksti i nxënësit?!

Jul 5, 2016 | 9:53
SHPËRNDAJE

PROF. AS. ENKELEIDA KAPIA

Pas shumë dekadash, gju ha shqipe vjen si lëndë më vete në shkollën e mesme në Shqipëri, ndërkohë që  më parë ka pasur përpjekje për të bërë gërshetime të ndryshme, qoftë artificiale, qoftë të natyrshme të gjuhës dhe të letërsisë.

Pas diskutimeve të gjata mbi natyrën e integrimit të gjuhës dhe të letërsisë, me arsyetimin se Shqipëria ka kontekstin e saj të mëvetësishëm dhe nuk ka arsye të ndjekë shembujt e botës në këtë drejtim, këtë vit do t’u ofrojmë nxënësve një kurrikulë disi ndryshe nga shumica e kurrikulave bashkëkohore. Natyrshëm, për vetë rëndësinë e çështjes, është momenti që të ngremë disa pyetje:

1. Si duhet të jetë një libër i Gjuhës shqipe sot?

2. Ç’mund të mësojmë nga përvoja e librave të gjuhës në vendin tonë dhe në vendet e tjera?

3. Ç’mund të mësojmë nga fusha e gjuhësisë së zbatuar për nevojat tona? Duke qenë se programi kombëtar për gjuhën është miratuar, le ta përqendrojmë vëmendjen tonë te mjetet që do t’u ofrohen mësuesve/nxënësve në dorë. Njëri prej tyre, dhe më i rëndësishmi, është libri: libri i nxënësit dhe libri i mësuesit.

Megjithëse ka disa mënyra organizimi të materialit të lëndës së Gjuhës shqipe, material i cili është përcaktuar nga programi lëndor, libri i Gjuhës shqipe(si i nxënësit dhe i mësuesit) duhet të ketë këto dy karakteristika thelbësore:

1. Të mos i ndajë veçmas katër kompetencat kyçe: të lexuarit, të dëgjuarit, të folurit, të shkruarit. Pra, të mos ketë krerë apo njësi të tilla, si: Të lexuarit, Të dëgjuarit, Të folurit, Të shkruarit.

2. Të mos ofrojë njohuri gramatikore “të thata”, të veçuara nga tekstet përshkruese, udhëzuese, argumentuese, informuese dhe rrëfyese (tekste që nxënësi duhet t’i njohë në këtë nivel). Sigurisht, rekomandime të tilla nuk vijnë nga asgjëja. Ato vijnë nga eksperienca e gati një shekulli kërkimesh shkencore në fushën e gjuhësisë së zbatuar në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe studime të shqipes. Le t’i marrim një e nga një këto rekomandime.

Të lexuarit, të dëgjuarit, të folurit, të shkruarit janë kompetenca të integruara. Shkolla dhe arsimi shqiptar, si të gjitha sistemet arsimore botërore të përditësuara, me të drejtë kanë përvetësuar proceset e natyrshme të mësimit të gjuhës si kompetenca kyçe për këtë lëndë, qoftë për gjuhën amtare dhe atë të huaj. Këto procese të natyrshme janë të lexuarit, të dëgjuarit, të folurit, të shkruarit (madje edhe të vështruarit, pavarësisht se ne e kemi hequr nga kurrikulat tona).

Pra, në mënyrë që një individ të fitojë njohuri dhe të tregojë shkathtësi, vlera dhe qëndrime rreth sistemit gjuhësor të një gjuhe duhet patjetër të përfshihet në këto pesë procese të natyrshme: të folurit, të dëgjuarit, të lexuarit, të shkruarit dhe të vështruarit. Këto procese, të kthyera në kompetenca për nxënësin, ndryshe nga ç’janë keqkuptuar në disa raste, nuk janë të veçuara nga njëra-tjetra.

Të lexuarit, të dëgjuarit, të folurit, të shkruarit dhe të vështruarit janë kompetenca të integruara. Pra, nuk studiohen nga nxënësit të veçuara, duke i marrë një e nga një nëpër kapituj a njësi të ndryshme, sikur të ishin tema më vete.

Arsyeja pse këto kompetenca nuk janë dhe nuk duhet të jepen të veçuara, qoftë në libër, qoftë në procesin e mësimdhënies në klasë lidhet në thelb me mënyrën se si njerëzit e mësojnë gjuhën. Kur mësojmë një gjuhë, qofshim fëmijë a të rritur, nuk mësojmë një herë të lexojmë, pastaj të dëgjojmë, pastaj të flasim dhe më vonë të shkruajmë e të vështrojmë.

Këto procese ndodhin në të njëjtën kohë gjatë gjithë procesit të nxënies së gjuhës, pavarësisht nga mosha që kemi. Në klasat e larta, ky integrim është një detyrim që vjen edhe nga përshtatja e metodologjisë pedagogjike me moshën e vetë nxënësve.

Në qoftë se libri i gjuhës shqipe nuk e reflekton këtë integrim të natyrshëm të kompetencave gjatë këtij procesi, atëherë ai e paraqet mësimin e gjuhës si një proces të pakuptimtë, mekanik, të palidhur që, jo vetëm nuk do ta ndihmojë nxënësin të fitojë njohuri dhe të tregojë shkathtësi, vlera dhe qëndrime rreth sistemit gjuhësor, por madje, mund ta kthejë kundër gjuhës (lëndës dhe dukurisë), duke i ngjallur njëlloj antipatie për të.

Shpeshherë na ndodh të lexojmë dhe të shkruajmë mbi nivelin e dobët gjuhësor të nxënësve, sidomos këto dy dekadat e fundit. Është mirë të mbajmë përgjegjësitë tona për modelet e librave që u kemi ofruar (ndër faktorët e tjerë ndikues), të cilat në disa raste, jo vetëm që e kanë tjetërsuar mënyrën se si duhet të mësohet gjuha, por edhe e kanë bërë të papëlqyeshme atë.

Ka ardhur koha që të gjithë së bashku të reflektojmë mbi këtë proces, duke u mbështetur në teoritë bashkëkohore të nxënies së gjuhës, për të mos cenuar shanset për sukses të brezave që po rriten.

Njohuritë gramatikore duhet të jenë të integruara. Për shumë dekada me radhë, shkollat e përparuara të mësuesisë nuk u rekomandojnë studentëve të tyre, pra mësuesve të ardhshëm, që t’ua mësojnë nxënësve gjuhën sipas metodës tradicionale. Kjo metodë nënkuptonte mësimin përmendsh të temave të ndryshme të gramatikës, si për shembull, lakimi i emrave dhe shumësi i tyre, rregullat e përshtatjes së mbiemrave me emrat, zgjedhimi i foljeve etj. Këtu futeshin edhe tema të ndryshme të drejtshkrimit dhe të pikësimit, të cilat, sipas metodës tradicionale, nxënësi duhet t’i mësonte përmendsh.

Mbi 100 vite kërkim shkencor ndërkombëtar në fushën e gjuhësisë së zbatuar ka treguar që mësimi tradicional i gjuhës, pra ai “i thatë” e përmendsh, jo vetëm që nuk i ndihmon nxënësit në procesin e të lexuarit dhe të të shkruarit, por ua kthen atyre gjuhën në një makth.

Studime të ndryshme,të mirërespektuara në këtë fushë, kanë hulumtuar me imtësi nxënës të klasave të 9-ta, të 10-ta dhe të 11-ta, të cilëve u është ofruar mësimdhënia e gjuhës në tri mënyra: grupit të parë iu bë mësimi i gjuhës me metodën tradicionale, me rregulla që duhen mësuar përmendsh; grupit të dytë iu ofrua një mënyrë alternative, por prapë e paintegruar; grupit të tretë iu zhvillua mësimi i gjuhës përmes teksteve letrare dhe joletrare, pa u marrë shumë me rregulla gramatikore, drejtshkrimore e të pikësimit, por vetëm me tekstet, shprehësitë gramatikore në tekste dhe me shkrime të llojeve të ndryshme.

Testimi i nxënësve ka dhënë vazhdimisht një përfundim të rëndësishëm: nxënësit e dy grupeve të para e përfundojnë trajnimin me një antipati të fortë ndaj gjuhës, mësimit dhe përdorimit të saj. Këto nuk janë përfundime që mund të injorohen lehtësisht, sepse në fund të fundit, qëllimi i kurrikulës së gjuhës është formimi i një nxënësi i cili, jo vetëm fiton njohuritë e duhura për ta përdorur gjuhën si qytetar i mëvonshëm, por edhe tregon shkathtësi, vlera dhe qëndrime rreth sistemit gjuhësor.

Si është në gjendje nxënësi t’i shprehë këto shkathtësi, vlera e qëndrime, nëse nuk e pëlqen lëndën ose materialin që po studion? Çmimi i krijimit të një brezi ose i disa brezave të tërë, të cilët e shoqërojnë gjuhën me ndjesinë e “bezdisë” ose ndjesinë e “mospëlqimit”, është tepër i madh. Përdorimi i gjuhës është aftësi kyçe në jetë dhe ka ardhur koha që mësimi i saj të mos bazohet më mbi parimet e nostalgjisë, por mbi parime të mbështetura shkencërisht, të cilat i njeh dhe i respekton e gjithë bota (ajo e informuara) në shkollat e saj.

Për këtë arsye, njohuritë gjuhësore duhet të jepen në përshtatje me moshën dhe të integruara me llojet e teksteve të përcaktuara në program, duke iu përgjigjur kështu, jo vetëm kërkesave bashkëkohore të programit sot, por edhe të së ardhmes nesër.

*Shefe e Departamentit të Leksikologjisë, Terminologjisë dhe Gjuhësisë së Zbatuar, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura