“Kurir”: Rama, 12 mln euro për “Loro Boriçin”

Jul 28, 2015 | 18:48
SHPËRNDAJE

Gazeta serbe “Kurir” ka botuar ditën e sotme një artikull për ndeshjen Shqipëri – Serbi, e cila do të luhet në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”.

Foto gjatë vizitës së Vuçiç në Tiranë
Foto gjatë vizitës së Vuçiç në Tiranë

Sipas gazetës serbe, Rama ka hedhur 12 mln euro për rikonstruksionin e këtij stadiumi, ku do të zhvillohet edhe ndeshja më e rëndësishme e Shqipërisë, sipas gazetës.

Gazeta shkruan se Rama u ka thënë zyrtarëve shqiptarë se paratë nuk janë problem për stadiumin dhe se ai dëshiron një stadium të standardeve europiane.

Plani fillestar ishte që ndeshja e kthimit të luhej në Elbasan, mirëpo pas trazirave në Beograd dhe shtyrjes së disahershme të vendimit të KAS-it, u vendos që ndeshja të luhej në Shkodër.

Gjithashtu, gazeta zbulon se Vuçiç do të jetë në Shkodër, përkrah kryeministrit Rama për të ndjekur ndeshjet.

“Kurir” shkruan se Rama ka patur takime me kreun e FSHF-së, Armand Dukën, ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin dhe me krerët e lartë të Policisë së Shtetit, ku u ka dhënë porosi për masat e sigurisë dhe se si duhet të sillen tifozët.

Kryeministri shqiptar ka kërkuar siguri maksimale dhe përmbushjen e standardeve europiane për këtë ndeshje futbolli.

Pritet që stadiumi të ketë një kapacitet prej 17 mijë vendesh dhe të përfundojë në kohë për ndeshjen e vjeshtës.

Edhe pse Serbia nuk ka më shans të kualifikohet për në France 2016, ekipi kombëtar serb pritet që të luajë fort në Shkodër, sipas gazetës.

Kjo sepse në shkëmbimet në rrjetet sociale mes Ramës dhe Vuçiç, pas publikimit të vendimit të KAS-it, kryeministri serb u shpreh i bindur se Serbia do ta mposhtë Shqipërinë në fushën e lojës, “edhe pa ndihmën e dronëve”.

rama-faksimile

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura