Kurbin, vrasësi i dyfishtë: Viktimat më bënin presion

Mar 8, 2014 | 17:07
SHPËRNDAJE

Autori i vrasjeve, Altin Piroli. Foto e marrë nga TV KLAN
KURBIN- “Jam shtetas italian, duhet të gjykohem në Itali”. Altin Piroli, autori i masakrës së ndodhur të martën në qendër të Laçit, ka përsëritur herë pas here këto fjalë dje në sallën e gjyqit.

Vetëm dje ai u përball me togat e zeza, i akuzuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Gentian dhe Andre Cara, si dhe plagosjen e dy kalimtarëve. Në masa të rrepta sigurie autori është shoqëruar nga komisariati i Policisë drejt Gjykatës së Kurbinit, ku në sallë nuk ndodhej asnjë familjar i tij apo i viktimave. Dy furgonë me forca të Ndërhyrjes së Shpejtë e kanë shoqëruar drejt gjykatës, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme. I pyetur nga gjyqtari i çështjes, Besnik Qira, Piroli ka pranuar se ka kryer vrasjen e vëllezërve Cara, por në sallë nuk ka dhënë asnjë shpjegim për motivet që e çuan në ekzekutimin e dy të rinjve. Ai është shprehur se është një shtetas italian dhe për këtë duhet të gjykohet në Itali. Piroli mbrohej nga një avokat i caktuar nga gjykata, pasi asnjë nga familjarët nuk është interesuar për të. Prokurori i çështjes ka zbardhur në gjykatë rrethanat e krimit dhe dëshminë e autorit pas arrestimit të tij nga policia. “Altin Piroli ka qëlluar për vdekje shtetasit Gentian dhe Andre Cara mëngjesin e datës 4 mars. Nga dëshmitë e marra ka rezultuar se 36-vjeçari ka hyrë e dalë disa herë në lokal, derisa rreth orës 08:30 ka nxjerrë nga brezi 2 pistoleta duke qëlluar mbi dy vëllezërit Cara që në atë moment ndodheshin në një tavolinë duke pirë kafe. I pyetur rreth krimit, si para Policisë Gjyqësore, ashtu edhe para prokurorit, i arrestuari ka pranuar faktin se ka vrarë shtetasit Gentian Cara (Enri Duka) dhe Andre Cara. Sa u përket motiveve të vrasjes, i arrestuari Altin Piroli pretendon se e ka kryer për shkak të presionit që viktimat kishin ushtruar mbi të”, u shpreh prokurori. Sipas përfaqësuesit të akuzës, i arrestuari Piroli ka thënë në polici se ka vuajtur nga sëmundje mendore dhe për këtë është vizituar te mjekët neurologë në qytetin e Laçit dhe në Tiranë, madje është shtruar dy javë edhe në spitalin Nr.5. Nisur nga fakti i arrestimit në flagrancë dhe pranimit të fajësisë nga ana e Pirolit, prokurori kërkoi masën e sigurisë në burg pa afat për 36-vjeçarin. Përveç bërjes publike të dëshmisë dhe provave të gjetura për ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Laçit, prokurori nuk ka përmendur dyshimet se krimi ndodhi për shkak të gjendjes mendore. Për këtë ka vendosur gjykata, e cila në vendimin e saj ka marrë parasysh aktet e sjella nga organi i akuzës, duke cilësuar burg pa afat për Pirolin, si dhe vizitë në spitalin psikiatrik të Shkodrës. Pas vendimit të djeshëm, autori i vrasjes së dyfishtë është transportuar për në Burgun e Shënkollit, ndërsa në ditët në vazhdim do të dërgohet në spital.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura