Kurban Bajrami, dimension njerëzor për jetën…/Samarxhiu: T’i shohim njerëzit në sytë e dashurisë, siç na sheh edhe ne Zoti

Jul 22, 2021 | 10:53
SHPËRNDAJE

FERDINAND SAMARXHI
“MJESHTËR I MADH”

ferdinand samarxhi

NË VEND TË PROLOGUT…

Edhe pse apoteoza si thirrje indigjene e krijesës njerëzore kërkon të zvenitë, të zhdukë në univers piskamat e trokitjes, ende prej dy vjetësh të mortjes së shekullit, krijesa njerëzore duket se po përjeton paradokse të mëdha, që e nesërmja naive do t’i motivojë për kohën, zhvillime të mëdha tekniko-shkencore, inteligjencë paraprijëse pushtimi të kozmosit: thirrje pa u ndalur drejt Zotit Muhamedin, Altarit të Shenjtë, që t’i dëgjojë për të mos ndodhur më kurrë mynxyra drithëruese, mortje e jetës. Trakullima e thirrjes, e jetës, e lirisë së saj, besimi në Zotin që e ka krijuar gjithandej po genetizon. Krijesa njerëzore po posedon dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me Zotin, pranë Allahut që e ka lindur si krijesën e Tij, më të ndërgjegjshme në Univers për të menaxhuar atë, për begatimin e jetës në tokë e lumturimit në Ahiret. Lutjet dhe adhurimet kulmojnë të gjithë në devocion të thellë shpirtëror. Besimi absolut në Zot inspiron më thellë lutjet e tyre, më të sinqerta, më të pastra shpirtërore. Veneracioni i tyre më i devotshëm, zëri i Zotit më thellë depërton në zemrat e tyre të pastra, besimi në fuqi supreme në Allah të thirrur Zot, ka bërë që krijesa njerëzore edhe pse jeton, konturohet nga zhvillime të mëdha, t’i drejtohet, të kërkojë, të bëjë më ekzigjente e më dominuese në zemrat e tyre besimin te Zoti që e ka krijuar.

kurban bajrami (1)

HISTORIA E KURBANIT…

Krijesa njerëzore, që nga gjeneza e saj, gjithnjë ka ndjerë nevojën t’i drejtohet Zotit absolut për ndihmë, mbrojtje, në ballafaqim me nevojën për kurajë, përkrahje dhe ngushëllim për të sfiduar çdo gjë që e mundon si krijesë njerëzore. Sipas udhëzimeve hyjnore, njeriu si krijesë njerëzore ka manifestuar forma besimi në mënyra të ndryshme. Ndër këto forma, mënyra komunikimi ndërmjet Krijuesit dhe krijesës njerëzore është edhe flijimi, sakrifica e njohur në Islam si kurbani.

Në rrafshin e feve komparative flitet se kulturat dhe qytetërimet e vjetra si adhuruesit e diellit, hënës, yjeve, kanë njohur dhe praktikuar fenomene të ngjashme dhe e njohën institucionin e flijimit të kurbanit. Nëpërmjet sakrifikimit të vetvetes apo formave të ndryshme të fitonin simpatinë e Krijuesit dhe të meritonin ngushëllimin, ndihmën dhe mbrojtjen e Tij. Popujt e vjetër si asirianët, persianët, fenikasit, egjiptianët, grekët, arabët paraKur’anorë, iliro-shqiptarët, sllavët e popuj të ndryshëm, ishin ndërpraktikues të institucionit të flijimit, kurbanit.

“Flijimi është pjesë përbërëse e ritualit me qëllim që vullneti i Zotave, i ekzistencës dhe veprimeve të forcave mbinatyrore t’u dalë në ndihmë nevojave për kohën, njerëzve. Ka pasur edhe forma të tmerrshme, tragjike, johumane, si flijimi i njerëzve në religjionet e vjetra primitive. Format e vjetra të flijimit, sakrificës, latinët e vjetër e kanë shprehur me shprehjen e njohur “do ut des”, që do të thotë “jap që të më jep mua”. Këto raporte “jap që të më jep mua” janë të panjohura për besimin islam, sepse raportet Krijues-krijesë do të vendoseshin pastaj në vija komerciale, korruptive, interesi. Duke pasur parasysh në histori shkallët e ndryshme të zhvillimeve të qenies njerëzore jo aq të përkryer, të ndërgjegjes së saj, Zoti si Krijues i gjithë botërave dhe jetës dërgoi në tokë Pejgamerë të zgjedhur prej Tij, që të ndihmojë njeriun në çdo mënyrë, t’i udhëzojë dhe t’i drejtojë ata. Flijimi humanizon, fisnikëron, lartëson krijesën, nga motivet primitive, supersticioze, egoiste, ekskluzive e idhujtare, në motive fetare altruiste, humane e sociale.

kurban bajrami (2)

MBAJTJE PREMTIMI, SAKRIFICË SUBLIME NJERËZORE…

Ne e gëzuam atë me një djalë, që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të ther ty. Shiko, pra, çka mendon ti?”. Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të duruarve!”

Hazret Ibrahimi, për të treguar dashurinë për Allahun xh.xh., mbajti fjalën e dhënë përpara Zotit, përgatiti dhe dërgoi për flijim në turrën e druve djalin e tij të vetëm, që vetë Allahu ia dhuroi, Hazret Ismailin a.s. për ta flijuar atë si shprehje e dashurisë së pafundme ndaj Tij.

Pas përmbushjes të lutjeve dhe premtimit të mbajtur, Allahu i gjithëmëshirshëm si obligimi ndaj krijaturës së Tij më të lartë, njeriun, i fali jetën Hazret Ismailit, duke dërguar për flijim për Kurban një dash në vend të tij.

Është dita kur të gjithë ndajnë me njëri-tjetrin dhimbjen, skamjen, dhe pasurinë e tyre me më të varfrit.

Mishi i Kurbanit që ndahet është personifikim i dashurisë së tejskajshme të njeriut për njeriun si kreatura të Zotit, që duke u barazuar me vuajtjen, skamjet e tij, kujton atë dashuri që në çastet më sublime Zoti i dhuroi atij jetë dhe mirësi, si krijesë e Zotit që është.

Në këtë dimension të lartë njerëzor, është obligim shpirtëror ndarja e tij për të shprehur atë filozofi, atë dashuri sublime të Kurbanit. Në këto konture të një qytetërimi të dashurisë, njerëzit formojnë dhe posedojnë një integritet më të lartë njerëzor, si qenie, si njeri, si besimtar.

kurban bajrami (6)

DIMENSIONI RELIGJIOZ I KURBANIT…

Kurbani si flijim, si komponent qenësor i mësimit Islam, është një akt i gatishmërisë së qenies njerëzore, një akt i sinqeritetit të thellë për të flijuar gjënë më të shtrenjtë, më të dashur, që posedojmë në emër të Krijuesit të Gjithësisë, por jo për t’i bërë qejfin Atij, jo për t’iu servirur, por për sendërtimin e porosive nga fjalët e Krijuesit në jetë për vetë mirëqenien tonë individuale dhe shoqërore. “…Allahu vërtet nuk ka nevojë për askënd në tërë Botën”. El-Ankebut,6.

Urdhri i drejtpërdrejtë për therjen e Kurbanit, profetit Muahamed a.s i erdhi në Mekë me shpalljen e sures “Keuther”, ku thuhet: “Në të vërtetë të dhamë ty shumë të mira, prandaj falu dhe pri kurban për hir të Zotit tënd”.

Thelbin, esencën e qëllimit të kurbanit, e shpjegon vetë Allahu i lartësuar në ajetin vijues: “Tek Allahu nuk arrin as mishi (i kurbanit) as gjaku i tyre, por tek Ai arrin takvallëku (devotshmëria) juaj. (El-Haxhxh,37). Kjo do të thotë se kafsha e flijuar është ndërrim simbolik me atë që njeriu duhet flijuar. Ilustrim konkret për këtë është shembulli i Ibahimit a.s, i cili si baba dërgon të flijojë të birin, Ismailin, dhe shembulli i Ismailit, i cili pranon të flijojë gjënë më të shtrenjtë, jetën, vetveten. Rasti i Ibrahimit a.s dhe i Ismailit a.s është i papërsëritshëm në historinë njerëzore dhe si i tillë duhet të ndikojë inspirativisht te ne besimtarët në këtë shekull antagonizmash, humbje vlerash dhe egoizmi, në kohën kur njeriu po humbet çdo gjë si krijesë njerëzore.

kurban bajrami (8)

KURBANI, RAST UNIKAL SIMBOLIK DHE PRAKTIK I DIMENSIONIT TË BESIMIT…

Akti i prerjes së Kurbanit, i vrazhdë, primitiv, mizor, zhvillon te besimtari vetëdije, por edhe kritere në bazë të të cilave ai do t’i valorizojë kategorikë jetike dhe do t’i afirmojë vlerat pozitive.

Ndërgjegjja, solidariteti, altruizmi dhe vetëdija se flijimi i një pjese të krijesave të gjalla të tjera të gjithësisë, në rastin e kurbanit, kafshët në dobi të pjesës tjetër, është çelësi i shpëtimit, të njeriut, shoqërisë apo bashkësisë nga shkatërrimi i saj dhe shkalla më e lartë që synon Kurani. Kurbani është akt që besimtari e bën në emër të Krijuesit, duke shprehur gatishmërinë për realizimin e parime hyjnore. Kurbani është rast unikal simbolik dhe praktik i dimensionit të besimit. Simboli i Kurbanit ka ndikuar që të unifikohet dimensioni njerëzor dhe religjioz e të gjitha këto nën frymën e maksimës “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut.”

Allahu është i plotmjaftueshëm, jashtëkohor, hapësinor dhe nuk është i ndikuar nga ligjet dhe skemat e botës ekzistenciale.

PANDEMI, NOSTALGJI, DEVOCION

Meka përsëri përjeton pandemi. Ende drithërimat shpirtërore përshkojnë sy që lotojnë, zemra që vuajnë për të qenë në vendin e shenjtë të Zotit, në Qabe, në vendin e adhuruar ku Hazreti Ibrahim vuri farzë vizitën e tij për miliona e miliona njerëz për ta vizituar atë. Meka hesht, s’mund të presë ende edhe këtë vit besimtarët që duan të jenë pranë shtëpisë së tyre të Zotit. Ogurzi edhe ky vit për ta. Nostalgji për Mekën, Arafatin, Bunarin Zem Zem, kodrën Xhubile Rrahme, Xhemra Tul Akahbe ku të gjithë gjuajnë me gurë për të vrarë shejtanin, Muzdelife. Medinën, vendin e shenjtë të Pejgamberëve, xhaminë e Pejgamberit ku profeti zbriti mëshirë për gjithë botërat, për mbarë njerëzimin, profeti që përfitoi si askush zemrat e shpirtrat e gjithë njerëzimit, si e ka quajtur Bernard Show: “Lavdia më e madhe që udhëhoqi njerëzimin në dritën e vërtetë”. Njeriu që shpalli fenë e Zotit, jo më si shumë profetë të tjerë, vetëm popujve të tyre, por gjithë botës, siç thotë Napolon Bonaparti: “Njeriu që triumfin dhe fitoren e kurorëzoi me mëshirë dhe falje.

kurban bajrami (3)

KREMTIMI I FESTËS E MARTË, 20 KORRIK

Ende pa zbardhur dita, edhe pse ekziston akoma piskama e lëndimeve shpirtërore të pandemisë, dhjetëra e qindra besimtarë, si në një sofër të madhe të bashkimit të zemrave rreth Allahut, u mblodhën në vendin ku do t’i drejtohen dhe do të falin namazin e ditës së shenjtë të Kurban Bajramit. Sheshi “Skënderbej” ngjason sot me një Mekë aq të adhuruar. Me patos dhe veneracion të madh për Zotin, kryetari i KMSH, Hirësia e Tij e Naltë, H. Bujar Spahiu, do t’u drejtohej gjithë besimtarëve, zemrave të tyre, do t’i pushtonte ato me mesazhin e tij devocionues:

Të dashur motra dhe vëllezër të pranishëm në këtë shesh dhe të gjithë ju që na ndiqni përmes ekranit, sot jemi mbledhur për të festuar Kurban Bajramin. Festën, e cila simbolizon dashurinë e robit ndaj Zotit të gjithësisë. Kurban Bajrami është festa që na kujton se sa i lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Zotit. Dhe këtë gjë ne e mësojmë nga vendosmëria e profetit Ibrahim (a.s.). Nga durimi i pashembullt i Ismailit a.s dhe qëndrimi heroik nga e nderuara nënë, nëna e Ismailit (as).

Zoti në Kuran e përshkruan ngjarjen me këto fjalë:

“Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: ‘O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të ther ty. Shiko, pra, çka mendon ti?’. Ai tha: ‘O babai im, punoje atë që urdhërohesh e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të duruarve!’”.

Në këtë ajet kuranor, përveç përshkrimit të ngjarjes, neve na tregohet edhe mëshira e Allahut. Ai (xh.sh.) devotshmërinë e lartë e shpërblen në mënyrën më të lartë.

Ky është ligji i Zotit. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të problemeve të shumta që ndodhin përreth, sidomos ato me familjen. Ne shohim se si çdo ditë rekordet e dhunës në familje rriten. Kjo është e papranueshme. Statistika të reja që tregojnë se përqindja e divorceve është shtuar shumë. Fjala “divorc” po kthehet në diçka normale për çiftet, sidomos ato me fëmijë.

Motra dhe vëllezër, sipas islamit, por edhe çdo studimi sociologjik bashkëkohor, dëmi që i shkaktohet fëmijës nga divorci i prindërve është i parikuperueshëm. Merrni më shumë përgjegjësi, bëhuni më të ndjeshëm, për rehatinë tuaj, mos prishni rehatinë e fëmijëve. Një tjetër gjë shqetësuese është sjellja ndaj prindërve. Mos i lini prindërit vetëm, kujdesuni për ta, trajtojini me dashuri e dhembshuri, ashtu sikurse ata janë kujdesur për ju kur ishit fëmijë. Kështu na urdhëron edhe Zoti në Kuranin e madhërishëm. Ne si komb ndihemi ende superior dhe të suksesshëm për sa i përket familjes. Ta ruajmë me fanatizëm këtë gjë. Kurbani është përkushtim ndaj Zotit, është përkujtim dhe forcim i lidhjeve familjare e farefisnore.

Motra dhe vëllezër, familja është bërthama e shoqërisë njerëzore, të gjithë e pranojmë këtë, por çuditërisht, forca tërheqëse e kësaj dynjaje është shumë e madhe, dhe dashur pa dashur, secili nga ne ka shumë për të korrigjuar në këtë drejtim. Të kalosh më shumë kohë me bashkëshorten/bashkëshortin, me fëmijët, të përkushtohesh më shumë në edukimin e tyre, janë nga gjërat që duhet të reflektojmë. Kurbani është një mundësi që ky reflektim të materializohet dhe të bëhet normë.

Zoti thotë në Kuran:

“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbaneve), por tek Ai arrin devotshmëria juaj. Kështu që mishi i kurbaneve u dha në shërbimin tuaj, që të njihni madhështinë e Allahut, pasi iu tregoi rrugën e duhur. Sihariq atyre që bëjnë mirësi”.

Pra, siç shihet, Kurbani është devotshmëri ndaj Zotit, përkushtim ndaj familjes. Kurbani është braktisje e punëve të padobishme dhe aksioneve të kota. Qëndroni pranë principeve të larta hyjnore, qëndroni pranë vlerave të familjes, rrisni përkushtimin dhe kontributin për një shoqëri të drejtë, mos iu ndani së vërtetës. Ushqeni dashuri për hir të Zotit ndaj njëri-tjetrit. T’i lutemi Zotit të na forcojë në rrugën e drejtë. T’i lutemi që t’i bekojë familjet tona. O Zot, pranoji kurbanet tona, pranoji lutjet tona, zbuti zemrat tona, na i bëj fëmijët tanë të hairit.

Me urimin gëzuar Kurban Bajramin, përfundoi mesazhin e tij në këtë ditë të madhe të shenjtë të Zotit Kryetari i KMSH-së, Hirësia e Tij e Naltë, H. Bujar Spahiu.

Më pas, nënkryetari i KMSH-së, Hirësia e Tij Taulant Bica, mbajti ligjëratën kushtuar kësaj dite të madhe. Ceremoniali i ritit të faljes së namazit të Kurban Bajramit, që u udhëhoq nga Kryetari i KMSH, Hirësia e Tij e Naltë, H. Bujar Spahiu, përshkoi thellë zemrat e besimtarëve. Lutjet e tyre të sinqerta u drejtuan me veneracionin më të madh drejt Allahut. Të gjithë sot morën dhe fituan mirësinë e tyre më të madhe, dashurinë e pakufishme të Krijuesit, mbrojtjen e Tij të gjithëpushtetshme. Myftiu i Tiranës, Hirësia e Tij Loren Luli, foli për këtë ditë në hytbe, duke e quajtur atë si një ditë e dashurisë, sakrificës njerëzore ndaj Zotit dhe mëshirës, humanizmit të pafund të Allahut për njeriun. Dita e sotme e Kurban Bajramit përcolli te të gjithë besimtarët mesazhin e madh të dashurisë dhe sakrificës njerëzore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura