Kuratorja shqiptare: Një bienale kundër luftës në bunkerin antiatomik të Titos (FOTO)

Mar 2, 2015 | 18:07
SHPËRNDAJE

Hapja e bunkerit atomik për publikun, vetëm pak javë më parë në Tiranë, u prit si një ide interesante dhe tërhoqi jo pak vëmendje.

Kuratorja Adela Demetja

Sigurisht që eksperienca të tilla bota i ka kaluar me kohë, por një rast të ngjashëm me Bunk’Art-in shqiptar e kemi fare pranë, në Bosnjë-Hercegovinë. Në një bunker antiatomik, për ekzistencën e të cilit ishin në dijeni vetëm 5 persona, Tito dhe 4 gjeneralë të lartë, prej vitesh organizohet Bienalja D 0 Ark Underground.

Këtë vit zhvillohet edicioni i tij i tretë dhe një prej kuratorëve është pikërisht nga Shqipëria. Është Adela Demetja, e njohur tashmë jo vetëm në qarqet artistike të Tiranës, por edhe në Gjermani ku punon prej vitesh, e më gjerë.

Në një intervistë për “Panoramën”, Demetja na tregon për këtë ngjarje artistike, e cila ka nisur si një iniciativë individuale rreth 6 vjet më parë. Cili do të jetë versioni shqiptar i këtij aktiviteti, në një nga objektet më imponues të Luftës së Ftohtë, përpjekja për të mos rënë në përsëritje me dy edicionet e mëparshme.

“Alternativat dhe mundësitë” e artistëve shqiptarë në bunkerin antiatomik të Titos, i cili në fund të 5 edicioneve do të kthehet në një muze. Të gjitha punët e realizuara në këto vite u mbeten hapësirave ekspozuese, duke krijuar një nga koleksionet më të pasura të artit bashkëkohor. Pjesë e tij është edhe Shqipëria tashmë.

Do të kuroni Bienalen e Bosnjë-Hercegovinës, e cila zhvillohet në një objekt tepër specifik, mund të na zbuloni më shumë rreth tij?

Bienalja D 0 Ark Underground zhvillohet në një bunker antiatomik, në Konjic të Bosnjë-Hercegovinës. I ndërtuar në fund të viteve ’50 deri në fund të viteve ’70, bunkeri është një ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji në Ballkan. Ka një sipërfaqe prej 6500 metrash katrorë, i ndërtuar brenda një mali, në fshehtësi të plotë, në dijeni të vetëm 4 gjeneralëve të lartë të ushtrisë së ishJugosllavisë dhe të Titos. Bunkeri do të shërbente për strehimin e 300 vetave.

Ekzistenca e tij ka qenë sekrete edhe pas viteve ’90, madje gjatë luftërave në ish-Jugosllavi është përdorur. Ekzistenca e tij u bë e njohur për publikun në fund të viteve ’90. Organizatorët e bienales e kanë parë ndërtesën dhe kanë menduar të organizojnë një aktivitet artistik që do të shfrytë- zonte trashëgiminë e së shkuarës nga Lufta e Ftohtë apo komunizmi.

Qëllimi i tyre është rifunksionalizimi i këtyre ndërtesave, që janë shumë të përhapura në Ballkan e në Shqipëri me qëllime artistike, në rastin konkret në ngritjen e një muzeu mbi periudhën së cilës ai i përket.

Pra, tashmë ky objekt ushtarak është vendosur në shërbim të artit dhe publikut?

Hapësira është ende në mbikëqyrje të Ministrisë së Mbrojtjes, është një zonë ushtarake, ka ushtarë që e ruajnë atë, duke u bërë edhe ata në një farë mënyre pjesë e projektit artistik. Pas hapjes së bienales, ajo është e aksesueshme për publikun përgjatë tre muajve, kurse më pas, për këdo që do të donte ta vizitonte, duhet të marrë një leje të veçantë nga Ministria e Mbrojtjes, që mundësohet nga organizatorët e bienales.

Ndryshe nga bunkerët e tjerë është tërësisht i mobiluar me gjithçka që do të duhej për të mbijetuar në rast të një sulmi atomik.

Është një bienale “tradicionale” apo funksionon ndryshe, duke pasur parasysh edhe vendndodhjen e saj?

E veçanta e kësaj bienaleje është që, ndryshe nga aktivitetet e tjera që zhvillohen përgjatë 2- 3 muajsh e pastaj mbyllen, punët mbeten në hapësirat ekspozuese, pra në bunker, duke ndërtuar në këtë mënyrë një koleksion veprash arti. Nga dy edicionet e mëparshme, në ekspozim të përhershëm janë rreth 80 vepra të artistëve bashkëkohorë, duke përbërë një nga koleksionet më të mira të këtij lloji në Europë. Çdo edicion i shton koleksionit një shtresim të ri. Ky projekt operon në tri shtresëzime, të shkuarën, që përfaqëson vetë objekti, të tashmen, që është ndërhyrja që ne realizojmë përmes aktivitetit dhe në të ardhmen. Bienalja do të vazhdojë edhe dy edicione e do të mbyllet për t’u kthyer në një muze, duke i mbetur kështu të ardhmes. Roli kuratorial është shumë i veçantë në këtë rast, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një ekspozitë që realizohet e mbyllet, por që do t’i mbetet të ardhmes. Kështu që koncepti ynë duhet të jetë më vizionar.

Disa nga ambientet e brendshme të bunkerit antiatomik në Bosnjë-Hercegovinë,
ku zhvillohet Bienalja D0Ark Underground

Si u bë Shqipëria pjesë e aktivitetit, si u krye përzgjedhja juaj?

Në datën 24 prill do të organizohet edicioni i tretë i bienales, e cila zhvillohet gjithnjë në partneritet me dy shtete. Edicioni i parë është realizuar nga Mali i Zi dhe Serbia, mbështetur nga ministritë përkatëse të Kulturës. Çdo shtet prezantohet me nga një kurator, të cilët përzgjidhen nga bordi, në përbërje të të cilëve janë personalitete të artit në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe kuratorët e edicioneve të shkuara.

Më pas janë kuratorët ata që ndërtojnë një koncept dhe përzgjedhin artistët. Edicioni i dytë është kuruar nga Kroacia e Turqia, ndërsa i treti nga Shqipëria dhe Austria, si dy vende specifike për Europën dhe për Luftën e Ftohtë. Bordi i bienales ka kërkuar sugjerime për kuratorët. Jam sugjeruar unë për të përfaqësuar Shqipërinë dhe një çift kuratorësh nga Austria, Anton Lederer dhe Margaret Markoviç, të cilët jetojnë në Graz dhe kanë një institucion që operon në rajon, pra e njeh shumë mirë kontekstin. Puna po shkon shumë mirë, pasi kemi interesa të njëjtë. Nëse në edicionet e mëparshme kuratorët kanë pasur koncepte të ndryshme, ne paraqitemi me një të vetëm.

Disa nga ambientet e brendshme të bunkerit antiatomik në Bosnjë-Hercegovinë,
ku zhvillohet Bienalja D0Ark Underground

Cili është shtresimi që do t’i shtoni ju, mbi ç’koncept kuratorial?

Bunkeri është një ndërtesë me identitet shumë të fortë, me fuqi të madhe vizuale, me përmbajtje historike dhe, për çdo kurator që vjen, puna bëhet më e vështirë, pasi duhen pasur parasysh disa shtresëzime. Së pari është vetë objekti shumë specifik, së dyti koleksioni ekzistues, punët që ndodhen aty prej edicioneve të mëparshme dhe koncepti ynë duhet t’u shtojë atyre një tjetër shtresë. Pa dyshim që puna jonë është shumë e lidhur me kontekstin.

Duke parë që në edicionet e më- parshme kuratorët janë mbështetur tërësisht te Lufta e Ftohtë dhe përplasja mes Lindjes dhe Perëndimit, ne kemi vendosur të mos mbështetemi te tematikat që mbështeten në konflikt, por te lëvizjet alternative dhe paralele me të. Kundrejt çdo lëvizjeje politike, sociale, ka pasur edhe lëvizje kundra, si lëvizja antiatomike apo kundër Luftës së Ftohtë, lëvizja ekologjike, revolucioni i ’68-s në Europë zhvilluar nga gjenerata e dytë pas Luftës së Dytë Botërore, që ngrinte pyetje mbi mënyrën se si kishin operuar shtetet e mëdha gjatë saj; apo lëvizja feministe, liria seksuale, rrok and rrolli, hipitë… të gjitha zhvillimet alternative që i kundërviheshin luftës, konfliktit.

Disa nga ambientet e brendshme të bunkerit antiatomik në Bosnjë-Hercegovinë,
ku zhvillohet Bienalja D0Ark Underground

Kjo neve na shërben si pikënisje dhe tema jonë e përgjithshme është “Alternativat dhe mundësitë”. Duke qenë se ajo ndërtesë ka një identitet dhe kornizim shumë të fortë, të imponohet ashtu si edhe lufta, politika, tregu, ne përpiqemi të dalim përtej, të sjellim një alternativë.

Sa artistë marrin pjesë në këtë edicion? 

Kemi zgjedhur 24 artistë, 4 nga Shqipëria, 4 nga Austria, 3 nga Bosnjë-Hercegovina dhe të tjerët nga vende të ndryshme të Europës, si Italia, Gjermania, Danimarka, Belgjika etj.

Cilët janë artistët që përfaqësojnë Shqipërinë?

Katër artistët nga Shqipëria janë Alketa Ramaj, Dritan Hyskaj, Armando Lulaj dhe Helidon Gjergji, që kanë operuar mbi tema që lidhen me diktaturat, ndonëse në rastin tonë, ne tentojmë t’i ikim lidhjes së drejtpërdrejtë me konfliktin. Duke qenë se veprat e bienales i mbeten koleksionit, artistët në fjalë janë të rëndësishëm për artin bashkëkohor në Shqipëri, janë të pozicionuar mirë. Janë të rinj, por të stabilizuar, që kanë arritur një nivel të mirë.

Janë përzgjedhur me një thirrje të hapur, apo duke u mbështetur në karrierën e tyre?

Artistët zgjidhen nga kuratorët, duke iu përshtatur konceptit kuratorial. Artistët janë thirrur të realizojnë projekte të reja për këtë edicion, duke iu përshtatur vendit dhe idesë sonë mbi alternativën dhe mundësisë.

A do jetë Shqipëria edhe mbështetëse financiare e aktivitetit?

Aktiviteti do të mbështetet nga dy ministritë e Kulturës, e Austrisë dhe e Shqipërisë. Ne sapo kemi zhvilluar një konferencë për shtyp në Vjenë dhe më parë e kemi realizuar edhe në Tiranë. Kemi pasur një pritje shumë pozitive nga Ministra jonë e Kulturës, e cila na ka premtuar mbështetje, pavarësisht mundësive të pakta që ka në Shqipëri. Shpresojmë të paktën në mbulimin e kostove të artistëve shqiptarë. Jemi ende në bisedime, por besojmë në mbështetjen e Ministrisë, pasi e kanë kuptuar rëndësinë e këtij aktiviteti. Janë duke investuar në diçka afatgjatë, në një projekt të rëndësishëm jo vetëm për rajonin.

Pak kohë më parë edhe në Shqipëri u hap Bunkerart, një projekt i ngjashëm me këtë tuajin…

Ne kemi rreth 1 vit e gjysmë që punojmë për bienalen. Përpara se të hapej Bunkerart kemi zhvilluar takime në Ministrinë e Kulturës dhe kemi diskutuar mbi faktin që edhe ne kemi shumë ndërtesa të ngjashme. Madje edhe në Bosnjë gazetarët më kanë pyetur rreth kësaj, duke njohur të shkuarën tonë komuniste. Kjo iniciativë që po zhvillohet në Bosnjë do të ishte shumë e mirë edhe për ne, sepse nuk mbështetet thjesht tek eventi, por mbi një strategji afatgjatë, në riintegrimin e objektit në të tashmen dhe në të ardhmen. Rivendosjen në një kontekst të ri. Objektin nuk e kthen dot atje ku ishte dhe as mund ta lësh në gjendjen në të cilën ndodhet. Në Bosnjë kjo është një nismë individuale nga njerëz të artit, që e realizojnë atë me shumë sakrifica, duke ditur edhe kushtet në Bosnjë, ndërsa në Shqipëri mund të ndërtohej një strategji afatgjatë. Kam dëgjuar që Bunkerarti do të kthehet në muze. Ndoshta Ministria ka marrë edhe shembullin e Bosnjës, që ekziston prej 6 vjetësh. Por mendoj se duhet menduar mirë çka do të bëhet me atë objekt, pra diçka afatgjatë.

Si mund të bëhej hapja e këtyre objekteve?

Po flitet shumë për hapjen e ambienteve që më parë kanë qenë të mbyllura për publikun, si Shtëpia e Gjetheve, vila e Enverit, Pallati i Brigadave. Por thelbi nuk është hapja, por ajo çka do të ndodhë pas saj. Hapja është vetëm një hap i parë. Duke qenë iniciativa institucionale, ato duhet të jenë të përfshira në politikat kulturore afatgjata 3-4 vjeçare. Mungesa e politikave afatgjata ka qenë problemi më i madh i këtyre 25 viteve tranzicion. Janë bërë gjëra në Shqipëri, por nuk kanë pasur vazhdimësi. Mundësitë te ne janë të shumta. Në Europë këto eksperienca janë kaluar që në vitet ’80, me rivitalizimin e hapësirave, e zonave industriale, duke përdorur artin si mjetin më të mirë. Kjo ka anën e vet pozitive, por mund të jetë edhe një thikë me dy presa, kur rrezikon që arti të vihet në shërbim të politikave.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura