Shkrimi i fundit i Atjon Zhitit/ “Kur u shpik 1+1: Mizoria që lulëzon nga dobësia…”

Dec 26, 2014 | 12:06
SHPËRNDAJE

Një flashback i vazhdueshëm që kthehet vazhdimisht në të tashme, kurrë e shkuar e kurrë e ardhme, një lojë që vizaton portretin më besnik të shoqërisë shqiptare në kohërat tona. Vetëpyetesh pse, pse ndodh kaq stishëm, gjërat duhet të ishin normalizuar, s’duhet të kishte të korruptuar, të paktën jo kaq. Dhe jo, ata jo vetëm nuk janë zhdukur, por kanë vazhduar pa i bezdisur kush, biles janë shumuar, janë shumëzuar, kanë rafinuar teknikat bashkë me kompetencat kriminale.
Pse korrupsioni është sistem? Sistem deri në atë pikë që seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit duke i vendosur në konditat që të mos dëmtojnë me të paparashikueshmen dhe antisistematiken ndershmëri të tyre. Ka një arsye nistore, besoj. Që nuk është pak e vërtetë për të qenë një zbulim i momenteve të fundit. Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh, ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë. Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, biles i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë. Në qoftë se nga një anë publikisht e rrallëherë shprehet përçmim ndaj këtij fenomeni, privatisht e shpeshherë gjendet gatishmëria për ta admiruar dhe, po u pat mundësia, të imitohet nga kush ia del pa u kapur dhe kush ndërton pasurinë mbi këtë “virtyt” të pështirë.
Qytetari i ndërgjegjshëm ama duhet të bëjë kujdes ndaj dialektikës së kontrollit, sepse ai/ata që po aq shumë shajnë (antagonistin politik), po aq shumë dëshirojnë të jenë në vendin e tij (pushtetarit). Kontrollimi i këtij fenomeni është patjetër i domosdoshëm, por të mos krijohen iluzione: nuk do të ketë asnjë kontroll derisa ky “virtyt” të jetë virtyti më i virtytshëm. Por në një shoqëri tashmë të bërë kështu, kjo nuk është epiqendra e problemit. Nuk është fort në modë të thuhet, por korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike. Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.
Kur politika nuk dallohet më nga rruga, pasoja e menjëhershme dhe e pashmangshme është një mynxyrë. Kokëposhtë – kthimi i vlerave përfiton nga këto sjellje antisociale që legjitimohen nga ndjenjat e përbashkëta dhe fatkeqësisht rezultojnë të përligjura.
Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale. Kush e bën sot politikën në atdhe? Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptariot. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.
Ndërkaq në sfond kemi një sistem partish që rron për t’u riprodhuar pa përdorur masa mbrojtëse ndaj sëmundjeve të transmetueshme, duke mos kaluar nëpër mend as një çast hipotezën për t’u vetëvendosur nën kthetrat e kritikës. Dhe në sajë të saj, hipotezat, hamendësimet ose teoritë janë në funksion të problemeve: janë dyshime që duhen kontrolluar. Dhe çdo kontrollim i një propozimi në vetvete është një tentativë flakjeje. Hipotezat tona derisa vihen në praktike nuk mund të verifikohen, nuk mund të demonstrojmë të vërtetën e tyre: ato, ama, mund të falsifikohen, të shqyrtohen edhe si të pasakta. Dhe sa më parë ne gjejmë që një teori është e rreme, aq më shpejt komuniteti do të ndodhet në nevojën shtrydhëse për të shpikur dhe për të provuar një teori më të mirë se ajo paraardhëse, më të pasur në përmbajtje, parashikuese dhe shpjeguese. Gabimet e gjetura dhe të zhdukura përbëjnë dritën e vogël e të mjegullt, që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë.
Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi. Ky qëndrim i ndërgjegjshëm kritik kundrejt vetë ideve tona është diferenca reale midis qenieve me dije dhe qenieve pa shtylle kurrizore. Qeniet me dije gabojnë, por në një mënyrë ndryshe nga jokurrizorët, qeniet me dije janë vazhdimisht të eksituara nga dëshira për të gjetur një gabim te teoria e vet; me dëshirën për ta asgjësuar sa më shpejt. Ndërkohë jokurrizori vdes bashkë me teorinë e tij të gabuar.
A domethënë kjo të jesh i korruptuar? Në shkallë të gjerë po. Dhe prapë se prapë kuptohet që korrupsioni zhvillohet shumë thjesht, kur finaliteti i të bërit politikë është të bërit politikë. Ndjenja e shumëshpeshtë që “të gjithë bëjnë kështu” është vetëm maska e asfiksimit, “populli” nga një anë stigmatizon këto lloj sjelljesh dhe kërkon gijotinën ndaj këtij fenomeni, nga ana tjetër është i projektuar që të mirëkuptojë e të justifikojë. Dhe për këtë arsye “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist.
Shoqëria jonë duhet të jetë e hapur ndaj një zgjedhjeje vlerash më të shumta, ndaj më shumë vizioneve të botës, ndaj një shumësie propozimesh për të zgjidhur problemet konkrete dhe një sasie më të madhe kritike (kuptohet, asaj konstruktive). Shoqëria e hapur është vetëm kur pranon të qaset edhe ndaj një numri më të madh të mundur idesh dhe idealesh të ndryshme, biles dhe në kontrapozicion me njëra-tjetrën. Shoqëria e hapur është e mbyllur vetëm ndaj intolerancës. Dhe burimi më i pastër për intolerantët është suponimi fatal i besimit të të ndodhurit në poses të një të vërtete absolute, të një vlere të vetme, të qenit në të drejtë dhe të paturit detyrën për ta imponuar këtë të vërtetë dhe këtë vlerë. Për ters, në rastin konkret flitet për pseudo të vërteta e pseudovlera. Shembujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vitesh.
Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…

ATJON ZHITI

* Studenti Atjon V. Zhiti u nda nga jeta aksidentalisht para disa ditësh në moshën 19-vjeçare, duke lënë në pikëllim të thellë nënën e tij Edën dhe babain e tij, Visar Zhitin. Por dhe të afërmit, shokët dhe shoqet e shumta në Tiranë e kudo që kanë njohur. Kishte ardhur për pushimet e fundvitit nga Milanoja, ku dhe studionte për Filozofi. Ditë më parë priste t’i dilte në organet e shtypit një shkrim tjetër të tij, por që ai nuk do ta shohë kurrë. Në nderim të tij lutemi për botimin e këtij shkrimi, ku zbulohet një i ri që e donte sa më të mirë përditshmërinë e vendit.Me mirënjohje, miqtë e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura