“Kur u dha dënimi me vdekje, salla me familjet e të vrarëve në luftë shprehu keqardhje, ndërsa…”/ Dëshmitë e rralla të ish-zv/ministrit të Brendshëm

Mar 3, 2021 | 8:06
SHPËRNDAJE

ejell cobaPublikohen disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’.

Më pas për disa vjet me rradhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1944), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj.

Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, nga të cilat vuajti plot 23 vjet e pesë muaj, e pesë dit burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit.

Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si:

Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.

                                B U R G I M E T

Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977

Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme

 Konti Rober dë Monteskje

Aty në burg u takova me shumë miq e shokë, që nuk i kisha pa prej gati tri vjetsh, dhe prej tyne mora vesh shumë gjana që kishin ndodhë gjatë atyre 7 muejve që kisha qenë i izoluem.

Fakti që midis miqsh e të njohunish ekzistonte dëshira e madhe me bisedue me njeni – tjetrin, si edhe atmosfera me humor të ngritun e shpresëdhënës që mbretëronte tek të burgosurit, krijoi njifarë euforie edhe tek unë, e gati-gati po harrojsha se isha në vazhdim të gjyqit, po të mos ishte ndonji dashamir, që me fjalë të zgjatuna e tue ardhë rreth e qark, më vinte në beh se komunistave nuk mund t’u besohej, e se jo vetëm mund të më dënonin me vdekje, por edhe mund të më ekzekutonin, pse, si thotë Fishta: “shkjau besë nuk ka”.

Mbas tri-katër ditsh mue dhe Hamdinë na përcollën në gjyq. Ndigjuem pretencën e prokurorit. Petrit Hakani, si ish-mësues fjalaman që s’dinte të nxirrte përfundime, foli gjatë e gjatë mbi politikën e kohës së pushtimit e mbi Lëvizjen, pa qenë në gjendje me sjell asnji provë të ndonji veprimi tonë që të kishte damtue ndonji shqiptar dhe përfundoi tue kërkue dënimin tim e të Hamdisë me vdekje, pa përmendë as dorzimin tonë, as ligjin e amnistisë së shtatorit 1946.

Të nesërmen, me 28 maj 1947, gjyqi na dha vendimin me vdekje me të drejtë apeli. Natyrish, ky vendim më çuditi dhe ishte provë e qartë se për mue e Hamdinë, nuk do të zbatohej amnistia e shtatorit 1946, për të dorzuemit. Edhe të tjerë si: Salih Vuçiterni, Xhemal Naipi, Shefqet Muka e të tjerë, ishin dënue me vdekje, por në bazë të amnistisë, dënimi u ishte kthye në burgim të përjetshëm.

Kur u dha vendimi, salla e gjyqit ishte plot me gra, shumica të moshueme e të veshuna me të zeza. Askush nuk foli, në sallë mbretëronte një heshtje e thellë. Kuptohej se ishin të detyruem me ardhë e me asistue në dhanjen e vendimit. Sigurisht, shumica e atyne grave ishin nana ose motra të të ramve gjatë Luftës, por asnjena s’kishte asnji ankim personal, as dëshirë hakmarrje kundër nesh, prandej shpalljen e vendimit e ndigjuen në heshtjen ma të madhe.

Gjatë boshatisjes së sallës në fytyrat e shumë grave të panjohura pashë shenja të dukshme të keqardhjes. Im vëlla, Filipi, tue dalë prej sallës, shtrëngoi grushtin në shenjë inkurajimi dhe unë i ktheva buzëqeshjen.

Në burg na përcollën prap në birucë, e ndiejsha se në atë çast të gjithë të burgosunit e mbyllun ndër dhoma mendojshin e bisedojshin për ne: “Edhe dy kurban të tjerë në altarin e malokut sovjetik!”.

Kësaj here na banë vend në biruca. Në korridor, i ulun me një civil, ishte toger Progri, ish – kuestor e tash Operativ i burgut. Hamdia e kishte pasë në shërbim. Kur na pa tue zbritë shkallët, na pyeti:

-A me vdekje u dënuet?

-Po – i’u përgjigj Hamdia.

-Ka Allahu – qe përgjigja e tij me ton keqardhës. Ndoshta në atë çast, mendoi se do të ishte edhe ai me ne, po të mos kishte qenë pehlivan në momentin e fundit. Barkën që mbytet e braktisin edhe mijtë, jo ma njerëzit.

Kaluem nga dera që ashtë në të djathtë të shkallëve e hymë në një kthinë ku hapeshin dy dyer. Aty ishin dy kthina, njëra përbri murit të dhomës së kapterrit, e tjetra nga ana e oborrit të burgut. Këto dy kthina kishin një llampë elektrike të përbashkët të vendosur në mur. Aty gjetëm Xhelal Ndreun, nga Sllova e Dibrës, (djali i madh i Cen Elezit), Zija Çaushollin, prej Shkodre, e Nikolla Epifanoviçin, një rus i ikun nga Revolucioni, më duket ish – oficer që kishte qenë si barmen në Tenis – Klub në Tiranë gjatë kohës së Zogut. Të tre ishin në dritare, kështu që na të dy shtruem afër derës. Unë nga e djathta, e Hamdiu nga e majta. Këmbët më ndesheshin me ato të Nikollës, kurse Hamdiut me ato të Xhelalit.

Ishte fundi i majit dhe të nxehtit ndihej shumë nga dritarja e vogël. Në 24 orë kishim vetëm një shtambë uji prej dy litrash, për ta pi e për t’u la. Për ne kjo nuk kishte vështirësi, por një gjë tjetër na brende. Oreksi dhe gjumi nuk na mungojshin. Fillova ta përgatis veten shpirtnisht. Jeta po më dukej si një shirit filmi, që papritmas këputet! Nuk më vinte keq për botën që po lejsha, sepse mendojsha se e njifsha krejt e nuk më tërhiqte asgjë e re për të. Isha në moshën 38 vjeçare, e më dukej se duhet t’i jepsha botës akoma. Vendit që më kishe lindë po i kthejsha detyrën me jetën.

Gjatë jetës sime studenteske prej 13 vjetësh, që e kisha kalue në dhe të huej, më lindte gjithmonë dëshira me u kthye në atdhe. Megjithëse e mendojsha se nuk ishte një jetë e shtrueme me lule. Në mes të një populli të vorfën, të smunë, të pa arsimuem, vetëm dëshira me njohë, mund t’i jepte kuptim jetës e asgja më tepër. Pa fantazi të tepër as për popullin e as për vete.

Tue kalue me mend të tanë jetën time vepruese gjithsej 12 vjet, e ndjejsha ndërgjegjen time plotësisht të qetë, e vetë proçesi që më banë komunistat ishte prova.

Nikolla Epifanovici, më tregoi se pikërisht në vëndin tim kishte ndejtë Hidajet Kulla, të cilin e kisha njohë në Korçë, kur ishte Qark – Komandant Xhandarmërie. Prej aty më thoshte Nikolla, e kishin marrë para dy muejsh për t’a ekzekutue. Ishte me moshë shumë ma i madh se unë, e para se me u nisë, i kishte kërkue kapterrit me shkue në nevojtore. Nuk e kishin lejue madje e kishin tallë. Por ai kishte përshëndetë burrnisht shokët, e kishte shkue pa i’u përgjigjë rojeve.

Shokët e tjerë e ndigjuen në heshtje tregimin e Nikollës. Kuptova qartë se të gjithë mendonin se shpëtimi jonë ishte pa shpresë. Edhe unë mendova se gjykojshin drejt. Nga qelia që ishte përbri nesh, filluen të vinin zëra. Nikolla u përgjigjë t’ue dhanë emnat tanë. Na tregoi se aty ishin Qemal Karagjozi, Shate Dulla, e dy të tjerë. Qemali, më pyeti për vëllain tim Filipin, që e kishte njoftë kur ishte tek Banka Kombëtare.

Për Shaten na treguen se e kishin internue në Itali e kur kishte ra fashizmi, aleatët e kishin lirue dhe e kishin hedhë në Shqipëri me luftue në rradhët e partizanve. Kur mbaroi Lufta, e kishin burgosë si agjent amerikan. Në qelinë e Karagjozit, vetëm këtij, i vijshin ushqime, kurse neve na vijshin të pestëve. Shpesh ushqimi na tepronte, e ua kalonim atyre nën dritën e elektrikut. Meqë të tjerët druheshin, kurse ne të tjerëve s’kishin ç’na bajshin. Hamdia mbështetej në mur e unë i hypsha mbi supe dhe ua kalojsha ushqimin atyne.

Mbas ca ditësh Zija Çaushollin, e hoqën dhe sollën një gjirokastrit a delvinjot, që e kishte mbiemnin Bimi ose Bini. Ishte një tip shumë i shkathët, që përherë hypte në dritare për me pa familjen. Me anë të shkrimeve që bënte në shaminë që i sillshin ushqimet, bënte korespondencë me familjen. Madje fëmijët e tij i bajshin edhe shenja të sigurt që i shihte. Për çdo lëvizje që bahej në oborr, ai hypte në dritare e na informonte. Xhelali, tregonte përralla pa mbarim si “1001 netët”. Hamdiu i pëlqente shumë, sidomos para se të flinte. Kishte nevojë për një somnifer. Të tjerët i zinte gjumi që në fjalët e para.

Përveç mungesës së ujit filluem me ndijtë edhe mungesën e cigareve. Pse përveç Hamdiut, e mue, të tjerëve nuk u vijshin e me e pi e pijshin të gjithë. M’i dhanë mu me i mbajtë e me i shpërnda. Caktuen që unë e Hamdiu, të kishim një numër më të madh cigaresh. Shpesh kur më dilte gjumi natën, shifsha Nikollën, që e kishte syrin kokërr. I jepsha cigare mbi racionin, e ja fillojshim bisedës. Njiherë më tha që i kërkojshin për me dëshmue në dam të Asllan Ypit. A mjafton më thoshte, se unë kam gjana, të paqena në dam të vetes sime, e pa damtue të tjerët. Ky mendim e torturonte e nuk e linte me ba gjumë.

Një mbramje nga ora 20, u hap dera e hyni një oficer. Të gjithë u ngritën në kambë siç ishim me brekë e kanatiere.

  • Uh! – i’a bani – Hamdi Isufi e Ejëll Çoba. A e keni marrë teskeren?
  • Po – i’u përgjigja unë.
  • Edhe dy tri ditë e mbaroi puna juej.
  • Mirë – i’u përgjigja unë.

Ai duke u sjellun nga Hamdiu tha:

  • Do t’ju hedhim në hendek.

Mua s’më banë përshtypje fjalët e tij, se nuk e njihsha, por pamja e tij më bante ta përbuzja. Por Hamdisë po i nxirrnin shkëndija sytë, saqë për një moment, pata frikë se po bante ndonji gjest të randë. E sa doli ai, Hamdiu shpërtheu:

  • Po ky për patriot na i tha këto fjalë?!
  • Pse ç’asht ky e pyeta? – e pyet unë.
  • Shkodran e kena mutin! – m’u përgjigj.
  • Kush asht?
  • Isa Agoviku – m’u përgjigj ai.

Me kët emër nuk mu duk se kisha ndonjë lidhje bashkëqytetarie. Një pjesë e mirë e elementit muhaxhir, gjatë viteve që qeveria shqiptare kishte marrdhanie të mira me Jugosllavinë e Titos, ishte tregue shumë entuziaste për kët situatë dhe shpresonte në pozita dhe privilegje. Qofshin këto dhe në dam të elementit vendas Shkodran, që i kishin strehue.

Një ditë, kur po hajshim drekë, ndigjuem një kamion që u ndal para portës së oborrit të burgut. I thamë atij gjirokastritit të shkathët që të kacavirrej me pa. Ai vazhdoi të shihte disa minuta dhe më pas u ul për me hangër.

  • Ç’ishte? – e pyetëm.
  • Kamioni i plehut – na u përgjigj pa pre ngranjen.

Atë mbramje, vonë papritmas u hap dera e qelisë. Një oficer i ri elegant, me një xhaketë ushtarake të hedhun mbi supe, me këmishë të bardhë të hekurosun e me orë që shndriste, u duk te dera. E njoha, ishte kapiten Thoma Karamelo (Sinica), i cili më pyeti:

  • A më mban mend se kam ardh njiher në gjyq në Korçë për ndryshim moshe?!
  • Jo – i’u përgjigja – se kanë kalue shumë vjet.
  • Je dënue me vdekje, pasi dosjen tënde e kam shikue personalisht. Peshon shumë rëndë. Më vjen keq se je i ri, se ja tek është dhe ky tjetri për Hamdinë, por është plak.

Ishit katër e mbetët dy. Kur doli ai, Hamdiu më pyeti se ç’donte me thanë me kët fjalë. Ne vetëm dy vetë ishim në gjyq.

  • Po j’ua shpjegoj unë – na tha gjirokastriti.
  • Sot në drekë, kur hypa në dritare, nuk ishte kamioni i plehut, por një kamion që mori Gjush Dedën e Asim Shpuzën.

Pashë Gjushin duke i thënë Prokurorit, se si u ba kjo punë?! Kurse Asimi, shihte nga dritarja e burgut, për t’i dhanë lamtumirën ndonji shoku.

Ne e dijshim se ata të dy ishin të dënuem me vdekje para nesh. Ma vonë, mora vesh se Gjushi e Asimi, ishin dënue me Sali Vuçiternin e Musa Gjylbegun. Prokurori kishte kërkue dënim me vdekje, për Gjushin, kurse për të tjerët, burgim të përjetshëm. Të nesërmen, kryetari i gjyqit kishte lexue një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përmendte emnat e të gjithë të dorzumve, kurse për Asimin, thoshte se e kishin kapë. Atëherë, Prokurori kishte ndryshue pretencën dhe kishte kërkue dënim me vdekje dhe për Asimin. Kështu u ekzekutuen të dy. Unë pritsha me u ekzekutue në të zbardhun ose në të errun. Tashi prisja orën fatale në drekë.

Për të dy më erdhi shumë keq, pasi e dija që ishin të pafajshëm. Mendova se Gjush Dedën e damtoj koha e shkurtër që kishte shërbye si drejtor i Partisë. Ai vetë insistoi për t’u heqë dhe dorëheqja i’u pranue. Familja e tij kishte numrin ma të madh të viktimave, në krejt qytetin e Shkodrës. Ishin pushkatue vllaznit Kel e Pjetër Deda, kushëriri Kolec Deda, vllaznit Dom Nikoll Deda e Gjushi, nipi i Kelit e Pjetrit, Simon Darragjati, me burgim i vëllai Lin Deda, nipi i Kolecit, Guljelm Deda, nipi i motrës së tyne Zef Trifoni, e shoqja Maria, që u vra bashkë me Pjetrin në shpellë. Më kanë thanë se Marien e kanë varros aty ku u vra dhe quhet vorri i Maries. Ishte e bija e Shtjefën Zojzit, shumë ma e re se i shoqi.

Thonë se në vjetin 1945, kur kishin dashë me u arratisë, ajo i kishte thanë të shoqit, që në asnjë moment s’duhet me ranë e gjallë në dorë të komunistave. Kur forcat e Sigurimit i rrethuen, ata s’kishin mundësi shpëtimi dhe Pjetri pasi vrau të shoqen, vrau dhe veten. Këtë e din mirë shegerti i tyne, që u bashkue me ta. Ai bëri disa vjet burg dhe u lirue. Ky ishte subjekt i një tragjedie moderne.

Sa shumë ngjarje kanë ndodhë në kët Shqipninë tonë trime e fatzezë! Kështu, po kalojshin ditët e unë e ndjejsha se do më ndante nga jeta o nga vdekja, po afrohej. Çdo ardhje e kamionit tek porta e burgut ose çdo lëvizje e rojeve na vinte në alarm. Kështu ndodhi më 17 qershor 1947, kur pasi kishim ngranë bukë, me vrull u hap dera e qelisë, e u shfaq kapterri i ekzekutimeve, bashkë me tre roje që rrinin serioz pas tij. Me za urdhnues pasi na hodhi një sy tha:

  • Ëngjëll Çoba e Hamdi Isufi, ngrihuni, se kaq paska qenë për ju!

Ne u ngritëm menjiherë dhe filluam të visheshim nxitimthi. Ai u shpreh:

  • Edhe këto rroba që po vishni, do j’ua heqim atje.

Këto fjalë, më sollën ndërmënd pamjen e çakallit, por nuk e dhashë veten. Pasi u vesha dhe po zbrisja në çimento, kapterri na tha, u’a kërkoni hallallin shokëve. Atëherë i pashë ata të tre, që kishin ngri si statuja guri dhe po shihnin në tavan. Nuk u luante qerpiku. M’u dukën kaq të denjë për burra, saqë nuk u thashë asnji fjalë zhburrnuese hallalli.

U drejtova i pari nga dera ku kishe zënë vënd kapterri, e pas meje Hamdiu. Kapterri nuk luajti nga vëndi, e unë pritsha që të më lironte derën. Atëherë mu shfaq fytyra zgërdhitëse e një burri me za eunuku që më tha:

  • Si e ke emnin ti?

Ky ishte Drejtori i Burgut, një korçar. Pasi i thashë emrin, më tha që: pushteti ta fali jetën.

  • Faleminderit – i’u përgjigja me një ton krejt normal. Saqë dhe vetë u çudita dhe nuk u emocionova nga ky lajm.

Pasi pyeti dhe Hamdiun për emrin e tij, i tha se dhe atij, pushteti i’a kishte falë jetën. Drejtori u ndal disa sekonda. Unë pata përshtypjen se po na ndajshin, e nuk po e lejsha vetëm shokun në momentin ma të vështirë. Drejtori me ngadalë lexoi që: edhe ty pushteti ta fali jetën.

Menjiherë kapterri na shtrini dorën, e pas tij edhe rojet e ma pas drejtori. U’a dhashë dorën, pa më të voglën kënaqësi. Filloi të më vlojë përbuzja për ata njerëz, që kishin shpresue me pa komedi në atë çast tragjik. Unë kisha qenë 10 vjet gjyqtar, e me kënaqësinë ma të madhe, kisha shqiptue vendime pafajsie ose dënime të lehta. E kur detyra më impononte me lexue dënime të randa, unë me seriozitetin ma të madh thojsha: “Dhashtë Zoti që ky vendim të prishet”. E sinqerisht i urojsha vetes që të isha gabue./Memorie.al

   Vijon nga numri i kaluar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura