“Kur ‘Tuç Maku’ shtyu ‘Loken’, një plak u ngrit nga salla dhe tentoi ta qëllonte”, historia e panjohur e aktorit të madh. Nga Tirana, punëtor tullash. Ja rrëfimi i mikut të tij

May 23, 2020 | 18:33
SHPËRNDAJE

pjimage (1)Dashnor Kaloçi/ Publikohet historina e panjohur e aktorit të famshëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, “Artist i Popullit”, Loro Kovaçi, nga fëmijëria e tij në qytetin e Shkodrës ku ai frekuentonte rrethet jashtë shkollore që kishte hapur kleri katolik, si Teatri “Bogdani” etj, e puna si rrobaqepës së bashku me nënën e tij, për të siguruar të ardhurat me të cilat mbahej familja.

Ndërhyrja e Fratel Pantalisë që e dërgoi në Innsbruck të Austrisë ku Loro u rregjistrua në një shkollë dy vjeçare për rrobaqepsi dhe braktisja e saj më pas, pasi ai ishte i dhënë pas violinës dhe teatrit. Kthimi i Loros në qytetin e Shkodrës për t’u bërë krahu i djathtë i nënës së tij si rrobaqepës dhe ardhja në Tiranë pas mbarimit të Luftës, ku me interesimin e mikut të tij të ngushtë, Tuk Jakova, ai dhe shoku  i tij i ngushtë, Pjetër Gjoka, u bënë pjesë e bërthamës së parë të Teatrit Popullor të porsakrijuar, ku ai nuk qëndroi shumë pasi e larguan me ceremoni, pas arrestimit të djaliut të tij, Gjonit, me grupet e të rinjëve antikomunist në qytetin e Shkodrës.

Puna e rëndë për disa vite në Fabrikën e Tullave dhe rikthimi në Tiranë pranë Teatrit Popullor ku ai shkëlqeu që në rolet e para dhe filmat artistik të Kinostudio “Shqipëria e Re”, ku luajti rolet kryesore.

Dëshmia e rrallë e mikut dhe kolegut të tij, Mario Ashiku, për shfaqjen e dhënë në Bregun e matës ku një plak u ngrit nga salla dhe deshi ta qëllonte kur Loro “Tuç Maku” shtyu “Loken”, Marie Logoreci…?!

Vite të shkuara, kur aktori i famshëm italian Alberto Lupo ishte në kulmin e karrierës së tij artistike dhe interpretoi rolin e një mjeku, të nesërmen e premierës së filmit me dhjetra njerëz të ndryshëm e ndalonin në rrugë dhe e përgëzonin, duke e uruar për atë rol që i kishte mahnitur të gjithë. Midis këtyre njerëzve, aktorin e madh e ndaloi në afërsi të shtëpisë së tij, dhe një zonjë në moshë, e cila me lot në sy iu drejtua:”Doktor ju lutem, po më vdes djali, bëni diçka se e kam të vetëm. Të lutem doktor, ju kemi pasur kaq pranë dhe s’ju kemi njohur për të tillë”. Në rrethana pak a shumë të tilla me aktorin e njohur italian, është gjetur dhe një nga ikonat e skenës dhe kinomatografisë shqiptare, i madhi Loro Kovaçi, nga mesi i viteve ’60-të, kur ishte duke interpretuar rolin e Tuç Makut te drama “Toka Jonë”, në një nga fshatrat e Bregut të Matës ku zhvilloheshin ngjarjet e asaj vepre, e konsideruar si “maja e dramaturgjisë së periudhës së realizmit socialist”.

Fëmijëria e vështirë

Loro Kovaçi lindi më 30 gusht të vitit 1903 në qytetin e Shkodrës së njohur të atyre viteve prej personaliteteve e figurave të mëdha që nxorri në jetën politike e shoqërore të shtetit të ardhshëm shqiptar. Babai i Loros, Gjon Kovaci, një burrë fisnik, fjalë pak e i ndershëm, punonte si zejtar në një barakë të vjetër të lagjes “Badrave”, me të cilën siguronte jetesën e familjes. Ai vdiq shumë i ri dhe fëmijët e tij jetim (Loro ishte më i madhi i tyre) mbetën vetëm me nënën e tyre, Kushen, një zonjë, e cila i rriti ata mes mundimesh të shumta, prej fukarrallëkut që e kishte pllakosur. Kushja, i’u kushtua profesionit të rrobaqepsisë, ku u bë njohur në qytetin e Shkodrës. Vite më vonë ajo arriti të hap një dyqan rrobaqepsie, duke punësuar aty disa rrobaqepës të tjerë. Ndryshe nga Gjoni, Kushja jetoi deri në vitin 1965, duke punuar gjithnjë në profesionin e saj, aty në qëndër të Shkodrës. Me vdekjen e Gjonit, aty nga viti 1910, Kushja u detyrua që djalin e madh Loron, ta hiqte nga shkolla, kur nuk kishte bërë më shumë se 5-6 klasë dhe ta angazhonte në dyqanin e saj të rrobaqepsisë, për të siguruar të ardhura për familjen. Asokohe kur ishte gjallë Gjoni, familja Kovaçi kishte miqësi të ngushtë familjare me Fratelin, Gjon Pantalia, i njohur ndryshe nga besimtarët katolik të Shkodrës, si Padër Gjoni, i cili ishte ekonomati i Kolegjit të Jezuitëve të atij qyteti. Për t’i ardhur në ndihmë familjes Kovaçi, Fratel Gjoni e mori Loron në Kuvendin e Jezuitëve, duke e rregjistruar në kurset e rrobaqepsisë. Loro qëndroi aty duke e perfeksionuar atë profesion që së pari e kishte mësuar nga e ëma, deri në moshën 17 vjecare. Kur Loroja arriti këtë moshë, Fratel Gjoni ndërhyri pranë drejtuesëve të Kolegjit Jezuit dhe e dërgoi atë në Innsbruck të Austrisë, ku ai u regjistrua në një shkollë dy vjeçare për rrobaqepsi, që ishte nga më të njohura e gjithë Perandorisë austro-hungareze. Në qytetin e Innsbruck, përveç kursit të rrobaqepësisë, Loroja frekuentonte dhe kurset e instrumentave muzikore, për të cilat ai kishte dobësi, që kur ishte në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Krahas muzikës dhe ushtrimit të sporteve, Loroja kishte një dëshirë dhe adhurim të veçantë për teatrin e aktorët e mëdhenj të asaj kohe. Duke përfituar nga gjuha që arriti ta zotërojë shumë shpejt, pasditeve dhe jashtë mureve të shkollës së rrobaqepsisë, u rregjistrua në një kurs për violinë, nga ku më vonë u fut në një grup muzikor të rinjsh tepër të talentuar, që jepnin herë pas herë koncerte të ndryshme dhe jashtë Innsbruck. Në instrumentin e violinës, Loro tregohej virtuoz dhe merte duartrokitje, por ajo gjë nuk zgjati shumë, pasi ai e braktisi atë nga dashuria që kishte për skenën e teatrit, ku ndiqte grupet e ndryshme që nga provat e deri në shfaqje. Për ato dy vite që ai qëndroi në Austri, Loroja fitoi një përvojë të madhe, duke i perfeksionuar dhuntitë e tij si në muzikë, ashtu dhe në teatër, që nuk linte shfaqje pa ndjekur.

Nga Innsbruck në Shkodër

Nga fundi i vitit 1921, pas përfundimit të bursës dy vjeçare që i’a kishte akorduar Kolegji i Jezuitëve, Loro u kthye përsëri në qytetin e tij të lindjes, por tashmë profesionist, duke i’u bërë krah nënës së tij Kushes, në atë dyqan të vogël por të njohur në Shkodër. Asokohe Shkodra ishte një nga qytetet, ku përveç zejtarisë e tregtisë, jeta kulturore zinte një vend të veçantë në hullinë e tij. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim zinte kleri katolik, të cilët mblidhnin rininë shkollore dhe atë të qytetit në rrethe të ndryshme artistike e sportive. Ndër shoqëritë e shumta të atij qyteti, asokohe ìshte krijuar dhe shoqëria “Bogdani”, e cila merrej vetëm me teatrin. Në këtë shoqëri teatrore ndër të parët që morën pjesë ishte dhe Loro Kovaçi me dy shokët e tij Pjetër Gjokën e Gjon Karmën, të cilët vite më vonë do të ishin partnerët e tij kryesorë në dhjetra role të teatrit e kinematografisë shqiptare. Në këtë shoqëri teatrore, Loro Kovaçi do të afirmonte veten bindëshëm si një nga talentët e ardhëshëm të skenës shqiptare, duke marrë vlersime nga drejtuesit e klerit katolik që kishin njohje të thella në atë fushë, ashtu dhe nga shtypi i kohës. Një nga këto shfaqe ku spikati ndjeshëm talenti i Loros, ishte ajo e dramës “Guvernatori i Provincës”, në të cilin ai interpretoi me mjeshtëri të thellë artistike rolin e Dukës së Piemontit, pjesë e cila u shfaq për herë të parë më 1 mars të vitit 1925. Pas një sërë shfaqesh të kësaj shoqërie teatrore, Loro shkëputet prej saj dhe afrohet me shoqërinë tjetër teatrore “Rozafat”, e cila ishte një shoqëri laike, e krijuar prej vetë të rinjëve që kishin pasion teatrin. Drejtuesi kryesor i kësaj shoqërie teatrore dhe regjisori i saj ishte që në fillim Henerik Lacaj (një nga profesorët e mëvonshëm të artit skenik shqiptar), i cili afroi shumë të rinj me talent në atë shoqëri, ku midis tyre spikatnin Loro Kovaçi, Gjon Karma, Ndoc Meshkalla, etj. Në fillim të vitit 1940, Loro, për t’a ndihmuar sadopak me të ardhura familjen e tij, filloi punë si kujdestar në konviktin “Malet Tona”, ku mësonin një pjesë e mirë e atyre nxënësve që do bënin emër deri në rangjet më të larta të shtetit shqiptar pas lufte. Në këtë konvikt Loro punoi për më pak se dy vite dhe u largua prej andej me kërkesën e tij, pasi nuk pranoi që të aderonte në Partinë Fashiste, ku i’u kërkohej që të aderonin me detyrim pjestarët e administratës shtetërore. Pasi largohet nga konvikti, ai kthehet përsëri në profesionin e tij të vjetër të rrobaqepësit, së bashku me nënën e tij, Kushen, e cila tashmë kishte bërë emër të madh edhe jashtë qytetit të Shkodrës. Ndonëse Loro nuk mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste, ai ishte me bindje i tillë, gjë qe e tregoi edhe largimi nga konvikti “Malet Tona”. Kjo gjë te Loro, ishte rrënjosur edhe nga shoqëria e madhe që ai kishte me Tuk Jakovën, një nga figurat më të rëndësishme të regjimit komunist shqiptarqë nga periudha e Luftës dhe më pas kur ai mbajti postet dhe funksionet më të larta partiake dhe qeveritare pas Enver Hoxhës. Miqësia midis tyre kishte filluar që në rrethet artistike të Kolegjit të Jezuitëve, ku të dy mësonin instrumentet muzikore. Pas mbarimit të Luftës në fillimin e vitit 1945, me ndërhyrjen e Tukut, Loro futet në punë në të parin Komitet Ekzekutiv të Shkodrës, ku ai nuk qëndroi gjatë.

Nga Tirana, punëtor në tullat e Shkodrës

Arsyeja e largimit të Loros nga administrata e Komitetit Ekzekutiv, ishte se ai u thirr që të vinte si aktor në Tiranë, në Teatrin e Ushtrisë. Kështu në vitin 1946, ai së bashku me shokun e mikun e tij të ngushtë Pjetër Gjoka, filluan që të luajnë rolet e para në atë teatër, i cili konsiderohej si më I rëndësishmi në vend, pasi nuk kishte filluar akoma puna për Teatrin Popullor. Një nga rolet e para të tij ishte “Nën gështenjat e Pragës”. Në këtë teatër, Loro së bashku me Pjetrin, punuan për pak kohë, pasi ata u thirrën në Teatrin Popullor të porsakrijuar. Në këtë teatër, Loroja nuk pati fatin që të punonte më tepër se një vit e gjysëm, pasi në vitin 1947, Gjon Kovaçi, djali i Loros dhe i Xhusepinës (e bija një prej aktorëve më famshëm të komedisë që ka pasur Shkodra, Zef Hilgega) arretsohet kur ishte në vitin e tretë të gjimnazit laik të Shkodrës. Në këtë klasë ku mësonte Gjoni, ishin mbledhur një grup djemsh që vinin nga familjet më antikomuniste të Shkodrës, si: Ahmet Bushati, Xhevat Quku, Injac Serreqi, etj. Ky grup djemsh diskutonte situatën politike të asaj periudhe dhe bindjet e tyre binin ndesh me politikën e qeverisë komuniste të gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. “Unë me shokun tim, Injac Serreqin, bënim propagandë anti-komuniste dhe ishim kundër konventës ekonomike me Jugosllavinë. Në maj të 1947-ës, na arrestuan të dyve dhe na mbajtën 10 muaj në hetuesi. Në gjyq na akuzuan për agjitacion e propagandë si dhe si agjentë të UNRRA-s. Na dënuan me 5 vite burg”, kujtonte Gjoni, djali i madh i Loros. Pas dënimit të Gjonit, Loro largohet nga Teatri Popullor si “babai i armikut të klasës”, dhe dërgohet për të punuar si puntor në Fabrikën e Tullave në Shkodër. Përpara se t’i komunikohej largimi, ishte porositur drejtoria, që t’i bëhej demaskimi publik, në sy të gjithë kolektivit. I pari në atë mbeldhje e mori fjalën drejtori, që për t’a injoruar Loron, nuk i’a përmëndi fare emrin, por e etiketoi si “aktori barkmadh”. Më pas e mori fjalën dikush tjetër që tha se: “nuk e paskemi ditur që në rradhët tona na paska qënë një armik si ky”. Në Fabrikën e Tullave, ai punoi për gati 2 vite, pa e menduar se një ditë, do t’i kthehej përsëri teatrit, ëndrrës së tij të vjetër. Me ndërhyrjen e Tuk Jakovës, mikut të vjetër të Loros, Gjoni, mundi që të dalë nga burgu ku kishte kryer tre vite. Pas daljes së tij nga burgu, një nga problemet kryesore të familjes Kovaçi, ishte mundësia e rehabilitimit të Loros, për ta kthyer atë përsëri në skenën e teatrit. Me ndërhyrjen e Spiro Kolekës (i cili kishte qëndruar si qeraxhi në këtë familje në Shkodër) Loro mundi të rikthehej në skenën e teatrit.

Përsëri në Teatrin popullor

Me kthimin e tij në Tiranë, në vitin 1950, Loro i’u përvesh punës për të “rehabilituar” veten e tij, nga goditja që ai kishte marrë para pak vitesh. Në atë teatër ai, u bë një nga aktorët kryesorë duke luajtur vazhdimisht në shfaqjet që jepeshin pothuaj çdo natë. Shumë nga kolegët e tij që e kishin demaskuar në atë kohë, u bënë “përkrahësit” e tij më të flaktë dhe filluan ta mbajnë afër. Pasi Loro u stabilizua mirë në teatër, duke krijuar një popullaritet të padiskutueshëm, ai solli nga Shkodra në Tiranë, dhe familjen e tij, të cilën e sistemoi në një barake të vjetër (aty ku sot është Drejtoria e Policisë) e cila kishte mbetur nga Lufta. Me kalimin e viteve, Loro e rriti përsonalitetin e tij artistik, duke u bërë një nga “udhëheqësit” e skenës shqiptare. Me krijimin e Kinostudios “Shqipëria e Re” në mesin e viteve ’50-të, Loro morri pjesë në filmin e tij të pare, “Bijtë e saj” dhe më pas dy nga filmat bashkëprodhim shqiptaro-sovjetike “Skëndërbeu” dhe “Furtuna”. Në vijim, ai morri në filmin “Detyrë e Posaçme” të regjizorit Kristaq Dhamo, duke interpretuar një nga rolet kryesore. Ky film qarkulloi për pak kohë, pasi një nga bashkëskenaristët e këtij filmi, gjenerali i Ministrisë së Brëndshme, Halim Xhelo, u arrestua. Lidhur me këtë, regjizori Kristaq Dhamo dëshmon: “Ishte një kënaqësi që të kishe si aktor Loron. Tek “Detyrë e posaçme”, ai shkëlqeu me madhështinë dhe potencialin e tij të jashtëzakonshëm. Duke qënë se sa kishte filluar kinematografia shqiptare, ai pati fatin e keq që të interpretonte shumë pak, për shkak se më pas ai vdiq”. Fadil Paçrami, një nga udhëheqësit e lartë të asaj kohe që mbulonte artin e kulturën, i thoshe me të qeshur Loros: “Nuk të japim role negative ty, se ti na shan hapur ne komunistëve”. Loros i’u dha mundësia vetëm një herë për të dalë jashtë shtetit, kur ai shkoi në Moskë, me filmin “Furtuna”, në të cilin ai luajti rolin e një komandanti të Ballit Kombëtar. Nga rolet e tij në teatër, kujtohen ato të Otellos, Senatorit Leinghton, Bajram Currit, dhe Marash Palit. Por roli më i spikatur i tij ishte ai i Tuç Makut tek “Toka Jonë” në dramë dhe film, rol me të cilën ai u “identifikua” dhe vazhdon të mbahet mënd për interpretimin e tij të rrallë, madje unik. Lidhur me këtë, regjizori dhe aktori tjetër i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Mario Ashiku, koleg dhe mik i ngushtë i tij, midis të tjerash dëshmon: “Loro dhe Tuç Maku janë një. Pra po të thuash Loro, ke thënë Tuç Maku dhe po të thuash Tuç Maku, ke thënë Loro. Nuk përsëritet më ai interpretim nga kurkush, madje kujtoj se kur kemi qenë njëherë duke dhënë një shfaqje në Bregun e Matës, (ku zhvilloheshin ngjarjet e asaj drame të Kol Jakovës), nga mesi i shfaqjes, një plak i vjetër, u ngrit dhe me një shkop në dorë, tentoi t’a qëllonte Loron, kur ai shtyu Loken, (Marie Logoreci), por e ndaluan shpejt dhe mezi e bindën se ajo ishte shfaqje. Ishte një gjë e jashtëzakonëshme ai moment, magjik do të thoja, ku spektatori, nga i përlotur, filloi të qeshte me lot gëzimi nga ajo që ndodhi. Them se atë skenë me Loron aty në atë shfaqje të improvizuar në Breg të Matës, do e kishte ëndërruar edhe çdo aktor i përmasave botërore”, kujton Mario Ashiku, një nga ngjarjet më të rralla që i ka ndodhur Loro Kovaçit, që s’mund të përsëritet më. Duke parë vlerat e tij në skenë dhe kontributin e madh në skenën e teatrit dhe kinematografinë shqiptare, Loro ishte një nga katër artistët e parë që u nderua me medaljen “Artist i Popullit”, së bashku me Mihal Popin, Naim Frashërin, e Pjetër Gjokën. Roli i fundit i tij ishte ai i drejtorit të shkollës tek “Debatiku”, pasi në 16 korrik të vitit 1966, ai u nda nga jeta, në moshën 63 vjeçare, nga një sëmundje e rëndë. Ceremonia mortore e Loro Kovaçit, një prej gjigandëve të skenës shqiptare, u krye nga shteti me të gjitha nderimet. Trupi i tij u dërgua në qytetin e tij të lindjes Shkodër, për t’ju bërë të gjitha nderet e fundit si një ndër personalitetet më të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare./Memorie.al

20200522_231843 1-1 20200522_232028 20200522_232004 20200522_232155

maxresdefault-2 teatri-popullor-e1564303323706-765x510 20200522_231940 logoreci1 20200522_232129-1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura