Kur…tizania Politikë

Oct 17, 2021 | 10:00
SHPËRNDAJE

NGA EDMOND TUPEtupe

Sigurisht që populli ynë prej shekujsh e ka cilësuar zonjën Politikë si “kurvë” me proverbin e tij “Politika është kurvë”, i cili nuk figuron në asnjërin prej fjalorëve të  gjuhës shqipe ndër vite, mirëpo duke mos dashur t’i fyej sytë tejet të moralshëm të lexueseve e të lexuesve të mi të sotëm, e modifikova lehtas termin e turpshëm në thonjëza duke përdorur një fjalë të huazuar nga frëngjishtja.

Sot, tridhjetë vite pas shembjes së diktaturës hoxhiste në vendin tonë, kurtizania në fjalë është bërë vërtet e padurueshme: Ndryshe nga epoka famëkeqe e diktaturës në fjalë kur populli ynë skllavërisht i nënshtruar bënte sikur e vinte kurtizanen Politikë në plan të parë në përputhje me direktivën e Partisë së Punës/Dhunës, pra, ndryshe nga ajo periudhë e frikshme, sot shqiptarët e çoroditur ndjekin me një vëmendje vrastare pikërisht metamorfozat dhe të papriturat e kur…tizanes Politikë, çka e dëshmojnë hapësira dhe koha që mediat klasike dhe ato elektronike i kushtojnë asaj aq servilisht.

Në këto rrethana, unë që kisha gati dhjetë vite pa u marrë drejtpërdrejt me zonjën Politikë dhe, si pasojë, as me racën e ashtuquajtur homo politicus, befas u kujtova se, megjithatë, kisha botuar para shumë vitesh një shkrim ku, i frymëzuar nga fjalori “Le Petit Robert” i gjuhës frënge, i ndaja politikanët tanë në tri kategori, me të cilat do të rimerrem sot. Kështu, po u (ri)mësoj lexueseve dhe lexuesve të mi kureshtarë se në frëngjishte ekzistojnë tre terma që kanë të bëjnë me ato e ata që prodhojnë politikë: a) “politique” (shqipto politik), në kuptimin “njeri që qeveris, që mban përgjegjësi politike”, pra politikan që është i ndershëm; b) “politicien” (shqipto politisjen), në kuptimin “njeri që kryen një veprimtari politike në qeveri ose në opozitë”, fjalë kjo që shpesh përdoret me një nuancë negative; c) “politicard” (shqipto politikar), në kuptim “politikan karrierist, pa skrupuj, i neveritshëm”.

Tani, në dritën e këtyre tre termave, duke parë gjithashtu në ç’gjendje është katandisur aktualisht kur…tizania Politikë në Republikën Prostitutive të Shqipërisë, jam i mendimit që, së pari, duhen quajtur “politikë” vetëm ata njerëz të ndershëm e të përkushtuar, të cilët, qoftë në qeveri, qoftë në opozitë, mendojnë për popullin dhe jo për të mbushur vetëm xhepat e llogaritë e tyre bankare! Mjerisht, numri i këtyre politikanëve po bëhet sa vjen e më i paktë. Së dyti, më duket fort e arsyeshme që të quhen “politikanë” vetëm ata njerëz me dy fytyra, të cilët, teksa shtiren si popullorë apo masovikë (siç thuhej në kohën e diktaturës hoxhiste) dinë t’i mbushin herë pas here xhepat e llogaritë e tyre bankare! Së treti, jam i bindur që është e domosdoshme të quhen “politikarë” vetëm ata njerëz që, kur vijnë në pushtet, mendjen e kanë ekskluzivisht, pafundësisht e përbindshmërisht te karriera e tyre dhe që, për rrjedhojë, drogohen me pushtet dhe, sigurisht, me para, prona e privilegje të tjera.

Ja ku, jo rastësisht, nga pena më doli fjala e llahtarshme “pushtet”, të cilën ndonjë lexuese apo lexues mund ta analizojë si vijon: pushtet = pusht + et, ku “pusht” ka jo vetëm kuptimin “kurvar”, por edhe atë “maskara” (sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe, Tiranë 2006), ndërsa “et” në gegërishte ka kuptimin “etje”, çka do të thotë se veçanërisht politikarët mendjen e kanë të pasurohen çmendurisht e pa më të voglin skrupull vetëm përmes kurvërive e maskarallëqeve gjatë karrierës së tyre në krahët e mes shalëve të kur…tizanes Politikë! Mjerisht, numri i politikarëve është shtuar rregullisht si në strukturat e pushtetit qendror, ashtu edhe në ato të pushtetit vendor falë pjellorisë së kur…tizanes Politikë, të paktën siç më rrëfyen me gjysmë zëri Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, pasi më vunë në dijeni të një statistike të nxjerrë nga arkivat sekrete të Akademisë Ndërkombëtare të Pushtologjisë. Madje, sipas këtyre dy zotërinjve, disa politikarë shqiptarë po u japin aktualisht përvojën e tyre të çmuar një numri jo të vogël politikarësh në vendet më të varfra të rruzullit tokësor.

Së fundi, veçse jo më së paku, ja edhe disa fjalë lidhur me mikeshat e miqtë e mi bibliotekarë: Iu betohem atyre se do të bëj gjithçka kam në dorë duke ndërhyrë deri tek Akademia e Shkencave të Shqipërisë në mënyrë që emri i tyre i nderuar të ndryshojë sadopak për të shmangur ndonjë keqkuptim të mundshëm. Po sqarohem: Meqë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë pranë Akademisë së sapopërmendur ka vendosur ta ripunojë e ta pasurojë “Fjalorin e gjuhës shqipe”; meqë, gjithashtu, politikanët tanë nuk para lexojnë libra, ndërsa bibliotekarët tanë u përkushtohen vetëm librave, duhet patjetër që një punonjës biblioteke të mos quhet më “bibliotekar”, emër ky me një mbaresë trigermëshe, të cilën, ç’është e vërteta, e meriton  vetëm emri “politikar”, dhe kjo rregullohet fare lehtë! Si? Oh, mjafton që fjalët “bibliotekar” dhe “politikan” të këmbejnë një herë e përgjithmonë  germën e fundit. A nuk tingëllon më bukur kur thua, për shembull, “Ja një bibliotekan kandidat për ministër kulture” dhe “Ja një politikar karakteristik shumë karizmatik?”.

 

© Panorama.al

Te lidhura