Kur të vjen Arturo Ui!

Apr 15, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

   Ndodhi që në dy salla teatrosh në Tiranë të thirrej në vëmendje i njëjti autor me të njëjtën pjesë- Bertolt Breht me “Arturo Ui”. Mund të jetë krejtësisht rastësi për vetë regjisorët, por për publikun duket sikur gjuha ka prekur pikërisht dhëmbin që dhemb. Jemi përballë një debati të hapur, për ata që na drejtojnë, për mënyrën si votojmë, për çmimin që ka heshtja jonë përballë asaj që shohim dhe asaj që na ofrojnë. Të gjitha këto duket se e kanë kërkuar vetë Arturo Ui-në -një personazh që duket sikur ka jetuar rrotull nesh, por s’kemi dashur ta shikojmë.
Fati i madh i artit mbetet gjithnjë paraprija e asaj që mund të ndodhë dhe jo vetëm asaj që ka ndodhur. Breht aludoi artistikisht përmes ngjitjes në pushtet e fuqi ekonomike të gangsterit të Çikagos, Arturo Ui-së, atë që i ndodhi Gjermanisë me Hitlerin. E shkruar brenda tri javësh në vitin 1941, teksa priste vizën amerikane, kur ndodhej në Helsinki, vepra e dramaturgut gjerman duket se në nënvetëdijen e tij piketoi në mënyrë fare të qartë “hallin e përhershëm të shoqërive”. Një çështje e ngritur nga Breht që vjen e përballet me debatet që kemi edhe ne, “modernët e shekullit XXI”.
Regjisori Kiço Londo, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, përmes aktorëve të rinj kishte sjellë nota më të hapura politike. Drama dukej aty si të ishte shkruar dje dhe thuajse shfaqja ishte shkruar enkas për atë skenë dhe për debatet e sotme të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë që Armando Bora kishte “ruajtur kufijtë”, duke u fokusuar jo në pasojat, por në shkaqet. Por, gjithsesi, që të dy e kishin “thirrur” Arturi Ui-në të shfaqej hapur. Nuk ka asnjë kursim për heshtjen e Dogsborusë. Regjisori Bora gjyqin e ka pikërisht me të. Është heshtja e tij që vjen e bëhet vrastare. E pas tij heshtja e të tjerëve, “ngjitja e gjuhës” së atyre që për pak pasuri pranuan kushtet, të cilat më pas do t’i gremisnin në humnerën e imoralitetit. Rrallëherë mund të ndodhë që dy regjisorë të thërrasin në “dëshmi publike” një personazh që duket se ka marrë dhenë. Nuk është as fenomen hitlerian, e as shqiptar. Si e tillë, ajo vjen si një zgjim për publikun, për të parë se Arturo Ui ka pasur e do të ketë, por reagimet ndaj atij fenomeni janë të ndryshme. Breht ishte nga ata dramaturgë e estetë të angazhuar. Ai solli një revoltë, pa dyshim pa e menduar se do të parashikonte një reaksion të përbotshëm.
Roma, Gori e Xhivola, mund të marrin emra nga më të ndryshmit në realitetin e sotëm, ku duket se jemi strukur në zërin që nuk po arrijmë ta ndjejmë as kur jemi me vete. Një shfaqje që në të dy rastet e ka provokuar publikun, i cili është bërë pjesë e dorëzimit teksa ka ngritur duart për “Arturo Ui”. Jo se e dëshiron, por thjesht se thuajse ka ndodhur, se e kemi parë të gjithë.
Ku gabuam që u lamë rrugën e lirë qenieve të tilla që më pas u bënë zotër të kohës dhe jetës sonë? Nuk është aspak pyetje e lehtë. Është një debat që thjesht drama e Brehtit e provokon, ndërkohë që ne na mbetet ta mendojmë e rimendojmë. Janë pjesë e heshtjes sonë kur duhet të flasim. Madje edhe më keq, janë pasojë e humbjes së përditshme të kurajës sonë për të ndryshuar. Dhe kur arrijmë këtu, asnjë lloj alarmi nuk ka efektin e duhur. Ajo që është emergjente është rikthimi i kurajës për të besuar se shoqëritë mundet që të rindërtojnë vetveten, duke pohuar me zë të lartë edhe atë që e toleruan gabim, edhe atë që e mbështetën gabim.

Në Tiranë dy regjisorë, Armando Bora dhe Kiço Londo, kanë thirrur të dëshmojë “Arturo Ui”. Një shfaqje e shkruar për pasojën e tolerimit të ardhjes së Hitlerit në pushtet, por e përsëritur me sarkazëm nga gangster e diktatorë, të ardhur si drejtues si pasojë e heshtjes së përditshme të shoqërisë ndaj asaj që duhet ta thotë me zë të lartë e ta ndalë plot kurajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura