Replikë me Ndriçim Kullën/ “Kur të nderojnë edhe kur të fyejnë”
Bamir Bebeziqi – Kanada
Dje një lëmsh sikur m’u mblodh në grykë. Më ndodh ndonjëherë kur nuk mundem të justifikoj ndonjë veprim timin, kur kam ndonjë problem familjar, kur kam ndonjë problem me shëndetin, apo kur kam ndonjë vështirësi në punë, por kësaj radhe lëmshi m’u krijua nga një person që as e kam njohur, e as nuk kisha për ta njohur kurrë, nëse ai nuk do të ngacmonte një njeri “të vdekur”, qysh prej vitit 1939.
Imagjinoni! Një njeri ka vdekur shpirtërisht në vitin 1939 dhe një farë studiuesi me emrin Ndriçim Kulla e përmend vend e pa vend, në një studim të tijin rreth një frati Italian, me emrin Giuseppe Valentini.
Ky Kulla, si shumë të tjerë, që pas vitit 1991 mbushën tregun e librave e shkrimeve në Shqipëri, pretendon se është albanolog, studiues e ku ta di unë. Pa asnjë të drejtë, kur analizon figurën e At Giuseppe Valentinit, merret me gjyshin tim, Izet Bebeziqi, me një stil shumë përçmues, racist, fyes, e mendoj se kushdo që e ka njohur profesor Izet Bebeziqin, me siguri do të habitej apo nervozohej kur ta lexonte.
Në një shkrim të botuar në gazetën “Panorama”, 12 shtator 2023, ky farë studiuesi lartëson figurën e At Giuseppe Valentinit, i cili sipas tij megjithëse ishte i huaj, ishte kaq i dashuruar me Shqipërinë. Për të gjetur një argument, atë dashuri e shpreh duke fyer një shqiptar, një njeri të ditur, i cili kishte studiuar 16 vjet në Austri, që dinte 12 gjuhë të huaja të gjalla e të vdekura, ndonëse ishte vetëm 32 vjeç, e në vend që të polemizojë me të në mënyrë të kulturuar, kalon në gjuhë banale, e pazakontë për një frat.
Më poshtë lexoni çfarë shkruan At Valentini, shqiptarodashësi, për Izet Bebeziqin:
“Nji farë Izet Bebeziqi me dy artikuj qi, në qershuer e tetuer të kaluem, botoj e përkohshmja “Kombi”, pa ja pasë pá as kartuçat teologjís, na ngrehet e na kokorisë çashtje këso dege, thue se e ka pjellë vetë teologjija e Salamankës. Ndër sa e sa tjera, thotë se Kisha Katolike nuk âsht ajo qi ka temelue Krishti. Ndërmjet Kishës e Krishtit “qindron nji humnerë fare e madhe. Larg nga Kisha. Lirí fetare. Lirí personale klithte Dante. Reformë don Kisha, se dogma e shtangët na mbyti, thriste poeti… Mendsija e tij e lirë, dhe sidomos kritika me frymë reformative ndaj mungesve dhe të metat e kishës dhe veseve të papve xânë vend… kryekrejet në vepren në fjalë. Raca dhe jo Religioni ka randësí të madhe pr Danten”, e giatë e giatë këtí krahi. Këtû nji herë e pikë mâ së pari, pa shkue aspak mâ’ndej, vêhet oroe se ky farë shkrimtari s’na din as gramatikë shqipe! Kjaje, Zo’, të keqen! s’din se ç’rasë don prepozita ndaj, e na kapet me teologjí e me Dant eAlighierin!” “Njashtû Kisha Katolike, trup shoqnuer i gjallë, pa ndrrue kurr natyrë, shton tue perparue e tue u organixue, e këjo âsht nji nderë e nji lumní e saja. Këjo zotsí e këjo mënyrë perparimi âsht nji ndër arsyena për të cilat “Katoliçizmi – Kisha Katolike – âsht nji fuqí jashtëzakonike,” si e rrëfen vetë Bebeziqi, jo për m’e levdue, por per me nzitë t’i kundershtohet, pse e ka ferrë në sy, me gjithse na mbahet liberal e i pafanatizem”.
Në çfarë shkruan, At Valentini nuk më duket si shumë shqiptarodashës, por nejse, nuk dua ta ul figurën e tij, sepse më shumë më skandalizon ndërhyrja e Kullës kur shkruan:
“Dikush mund të thotë se përse At Valentini humbiste kohë me një njeri të tillë si ky Bebeziqi, të cilin e quan një shkarravitës që nuk di as gramatikën shqipe. Shtypi shqiptar i kohës përveç autorëve me vlera, të cilët i kanë mbijetuar kohës, ishte i mbushur dhe me të tillë njerëz. Por At Valentini e dinte se këta mund të bënin dëm duke përhapur të pavërteta, prandaj herë pas herë përzgjidhte ndonjërin prej tyre për t’i dhënë përgjigje kështu shtrembërimeve që përhapnin ata.”
E shikoni pra se çfarë shkruan Kulla!? “Shtypi shqiptar i kohës përveç autorëve që kanë mbijetuar, ishte mbushur dhe me të tillë njerëz.”
Po Ndriçim, autorët që mbijetuan i njohim ne, por çfarë t’u bëjmë atyre që i mbyllën burgjevë si profesor Izet Bebeziqi, të cilit i hoqen të drejtën e të shkruarit dhe mësimdhënies qysh prej vitit 1939, kur e internuan fashistët, e më pas e burgosën komunistët.
Por ti nuk ke nga t’i dish këto Ndriçim, se nuk besoj të kesh lexuar ndonjë gjë për profesor Izetin, se po të kishe lexuar nuk do bëje atë vlerësim tëndin.
Tani nuk dua të flas për tim gjysh. Kush dëshiron, mund të lexojë për të, por një gjë mundet ta them lidhur me At Valentinin.
Izet Bebeziqi ishte antifashist dhe ka qenë shkodrani i vetëm i internuar në ishullin famëkeq Ventotene, dhe e dini përse? Sepse u spiunua nga patronazhistët, që i kishim me shumicë qysh në atë kohë. Profesor Izet Bebeziqi nuk pranonte të nderonte alla fashistçe.
Patronazhistët nuk ishin rastësorë, Ndriçim, ata kishin një qendër që i udhëhiqte e mos mendo se misionarët që erdhën në Shqipëri, na kanë dashur shumë, as në atë kohë, e as sot. I njohim mirë misionarët e të gjitha feve që vinë nga jashtë se çfarë “dashurie të madhe kanë për Shqiperinë”.
Izet Bebeziqi nuk i mbijetoi dot kohës, Ndriçim, se pas luftës e futën në burg përsëri patronazhistët. Kësaj rradhe të nxitur prej komunistëve që erdhën në pushtet dhe ai e mbylli jetën me gojë të qepur, pasi nuk donte t’i shkatërronte jetën të vetmit djalë që kishte, tim eti.
Ndriçim, të sugjeroj të lexosh pak më shumë, të gërmosh ende nëpër arkiva, e të mësosh se Izet Bebeziqi është nderuar me titullin e lartë, “Mësues i popullit”, titull i dhënë pas vdekjes, nga presidenti i asaj kohe Sali Berisha, në vitin 1994, dhe ajo revista, me emrin aq të bukur “Kombi”, ku ai gjeti vend të shkruante, nuk ishte dosido, por një revistë që botohej në Vlorën patriote.
Ndriçim, profesor Izeti ishte një djalosh shumë i ditur, i dalur dhe ai nuk kishte frikë të polemizonte, jo me At Valentinin, por me këdo qofte, por ai nuk dinte të ofendonte. At Valentini, po, ai e ofendoi “atë farë Bebeziqi” dhe ti e citon, sikur e ka meritë.
Më poshtë Ndriçim, po publikoj përgjigjen që profesor Izet Bebeziqi i dha gazetës “Leka” të At Valentinit, botuar në gazetën “Kombi” në vitin 1938. E kam në origjinal.
Pjese nga analiza e “Komedija e hyjnueshme” e Dantes, shkruar para 85 vjetësh në gazetën “Kombi”, nga Izet Bebeziqi
“Burimi dhe fillimi i çdo feje asht tmerri, frika dhe shpresa. E gjithë historija botnore dhe e njerzis nuk paraqet veçse luftën e vazhdueshme ndërmjet Idealit të vërtetë dhe të remët(falsh) të Messiasit. Prandaj seicili të bahet i lumtun si pas botëkuptimit të vet. Problemi Perendi dhe fe’ gjithëherë e ka okupuem botën mendore. Me mish e me shpirt, pareshtun, gjurmon njerëzia për ta zgjidhë këtë problem, njiherë e mirë, me randësi të dorës së parë për botën e humbun në shpirtvogëlin bigote të fanatizmit, ndërsa për atë të ndërgjegjes së formueme, pa ndonji interes tërhekjeje përkatëse. Problemi në fjalë e stërmundoi dhe Dostojevskin në vuajtjet e tija epileptike dhe sociale. Ky gjeni i mendësisë sllave dhe kirurgu ma i madh i psykologjis njerzore në lamën e letërsisë, njiherë, në luftë e sipër të mendjes dhe ndjenjës, në demoni’ dhe jerm të kërkimeve e të të vërtetës, erdhi në kët bindje: Besoj në Rusin dhe ky kredo don të thotë Atdheu mbi te gjitha!
Poeti i vajtimit të robnis s’onë kombëtare, Vaso Pashë Shkodrani, kete shllim e thekson dhe ma bukur, mbrenda rrethanave t’ona shoqënore, në vjershën e tij “Si asht sot Shqipnia”, kur këndon fen e Shqiptarizmit në këtë mënyrë:
“Çoniu, Shqypëtar, prej gjumit çoniu;
Të gjithë si vllazen n’nji besë shtrengoniu;
E mos shikoni kisha e xhamija;
Feja e Shqyptarit asht Shqyptarija”.
Pra, jo feja, porse kombi dhe Atdheu mbi të gjitha.
Këte fe’ na e lanë për trashigim herojtë e mendesis arbënore dhe martyrët e kombit t’onë para se të fitoshim lirin kombëtare.
Larg nga mykurinat e trashëgimevet dhe t’intrigave fetare nën mask “Akcionesh” dhe “Organizatash” të ndryshme në shërbim desorientimi të përbashkësis s’onë shoqnore dhe kombëtare, sepse feja e nji shqiptari të vërtetë duhet të jetë SHQIPTARIZMI!
Le ta dijë bota mbarë se unë shkruej n’emën të Shqiptarizmit si shqiptar e jo nën ndonjë maske demagogjish fetare! Shkruej kulturë dhe jo politikë fetare! Më njohin ma se mirë autoritetet shtetnore, prej të cilave mvarem, se ç’farë ndiesish dhe botkuptimesh mund t’ushqejë vetja ime! Nuk ka ma gogoli, gogoli, se njerzija u zgjue!
Rrojmë në shekullin e njizet! Si “plagiator i ligjëshem” do t’i parashtroj botës shqiptare, mbrenda mundësive dhe aftësive të mija të pakëta, xhevahire visaresh të pafund të mendësisë dhe kulturës europiane, larg çdo ngjyre fetare dhe hypokrizije përkatëse. Do të paraqes botën dhe luftën për lirinë vehtjake religiose, si edhe të mendimit të lire, të ndërgjegjes personale, larg nga ndrydhjet e dogmës dhe në përpjekjen e tyne për të ndalu zhvillimin t’individit dhe të shkencave të lira, që baheshin shekuj me radhë, mëshirë e ndjekjeve institucionesh dhe përfaqësish, n’emën dhe për hir të fes’, qofte me zjarr ose me shpatë.”
Së fundi Ndriçim, lëre të qetë profesorin, e përpiqu të gjesh mënyrën për të kërkuar falje për paçavuren që ke shkruar, ndonëse ti e ke nderuar atë edhe duke e fyer!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al