Kur shqiptarët bëhen bashkë

Mar 24, 2018 | 12:39
SHPËRNDAJE

mentor-nazarkoMENTOR NAZARKO

Një pamje interesante ish te ajo e Edi Ramës në Bruksel, i rrethuar nga politikanë të rëndësishëm italianë si Antonio Tajani, i përzgjedhuri i Silvio Berluskonit për të qenë eventualisht edhe Kryeministër i Italisë, komisarja për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në një takim të moderuar nga një gazetar i njohur italian, së fundmi nën petkun e një parlamentari europian.

Batuta fillestare e Ramës në italisht, që më pas e ktheu në anglisht, e shpjegon qartë dhe botërisht se mbështetësit kryesorë të çeljes së negociatave me Unionin janë italianët. Rama tha se po vijoj në anglisht, se qëllimi ynë është që Shqipëria të integrohej në BE, sepse në Itali shqiptarët ishin integruar me kohë. Ishin italianët që e sponsorizuan këtë dalje të Kryeministrit Rama, në të cilën ai shpalosi qartazi aspiratën e qeverisë shqiptare për të çelur negociatat (jo anëtarësuar-saktësoi ai) në Bashkimin Europian, prej nga pret një përgjigje pozitive në takimet e mëvonshme që pritet të realizohen në muajt prill, maj dhe qershor.

Mbështetja italiane nuk ka thjesht karakter simbolik: Italia ofron mbështetjen e saj të dukshme për Shqipërinë, ndonëse është vendi i parë pritës i valës së problemeve që sjell Shqipëria për trafikun njerë- zor dhe atë të substancave narkotike, etj. Dukshëm mbështetja italiane ndaj aspiratës europiane të Shqipërisë ka karakter gjeopolitik. Në këtë kontekst, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini, nënvizoi dy nga pikat e forta të vendit tonë në këtë proces: politika e jashtme e Shqipërisë dhe Reforma në Drejtësi.

POLITIKA E JASHTME E SHQIPËRISË

Në 100% të qëndrimeve të forta të Bashkimit Europian përkundrejt zhvillimeve në rajon dhe në botë, Shqipëria është rreshtuar pa ngurrimin më të vogël në krah të BEsë, veçanërisht në drejtim të sanksioneve kundër Rusisë. Kjo pikë e fortë e Shqipërisë nuk interpretohet kaq ngushtësisht sa statistika e mësipërme nga zyrtarët e Brukselit. Në lëmin e diplomacisë shqiptare ka dhe një moment të dytë, i cili nuk është kaq linear: Shqipëria po luan me atë që është aktualisht shqetësimi kryesor europian në rajon: angazhimi i aktorëve të fuqishëm globalë në Ballkan si Rusia, Kina edhe Turqia. Në këtë kontekst, Shqipëria “kërcënon” Bashkimin Europian se çdo vonesë në politikat e afrimit të Unionit me vendet e tjera të Ballkanit mund të krijojë hapësira në favor të këtyre lojtarëve globalë. Rama, në të vërtetë, nuk kufizohet vetëm te fjalët, sepse kjo qeveri është duke “flirtuar” me këta aktorë globalë: Ka marrëdhënie të mira me Turqinë, e cila po bëhet e pranishme në investime të rëndësishme në Shqipëri. Po ashtu edhe Kina, ndonëse jo investime publike, përfaqësohet në vepra infrastrukturore të rëndësishme sikurse aeroporti “Nënë Tereza”, i cili u ble nga një kompani kineze. Edhe e ashtuquajtura ‘çështje e brendshme’, por që ka rezonancë jashtë hapësirës shqiptare, sikurse skandali i financimit të lobingut të kreut të PD-së, Lulzim Basha, me ndërmjetësimin e rusëve, është një temë cinike, që favorizon performancën e Shqipërisë në raport me BE-në. Shikoni, rusët po mbështetin krahun tjetër, madje paradoksalisht për të blerë suport amerikan për ta!

Në lëmin e politikës së jashtme, një vë- mendje të posaçme fitojnë edhe raportet e Shqipërisë me Greqinë fqinje. Sikurse u pranua edhe nga eurodeputetët grekë të pranishëm në prezantimin e Ramës, marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke njohur një fazë të re normalizimi, e cila dhe kjo përbën një pikë tjetër në favor të vendit tonë.

REFORMA NË DREJTËSI

Në aspektin e Reformës në Drejtësi, e cila zë një vend të konsiderueshëm në kapitujt e librit të negociatave me Bashkimin Europian, Shqipëria qëndron shumë hapa përpara krahasimisht me vende si Serbia dhe Mali i Zi. Ishin vetë drejtuesit e BE-së, Tajani e Mogherini, që e cilësuan Reformën në Drejtësi si “të paimagjinueshme” më parë. Madje, edhe Kryeministri Rama foli me një krenari të papërmbajtur, teksa përmendi kompetencat kushtetuese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (pra, të huaj që parashikohen në Kushtetutë) në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Rama mori me vete në Bruksel edhe bilancin e ndrojtur të efekteve të para të vetting-ut, që nis me numrin e konsiderueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rangut të lartë, që kanë vendosur të dorëhiqen për t’iu shmangur nënshtrimit ndaj këtij procesi.

Falë këtyre 2 pikave të forta, Shqipëria synon që të jetë në një hap me ecurinë e procesit të integrimit me Malin e Zi dhe Serbinë. E kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme: kështu shmanget ajo që ishte dhe shqetësimi më i madh: mbetja pas vendeve fqinje në procesin e anëtarësimit në BE. E vërteta është se rreshtimi i Shqipërisë në krah të Serbisë dhe Malit të Zi në procesin e anëtarësimit ka dhe oponentët e saj. Një ndër ta është Franca, e cila po përballet me një numër të konsiderueshëm azilkërkuesish shqiptarë. Bashkë me të mendohet se është edhe Gjermania, që mund të krijojë vonesa, së bashku me Holandën eventualisht.

Shqipëria madje, me Reformën në Drejtësi, që zë një numër të madh kapitujsh në librin e negociatave, është më para se Serbia dhe Mali i Zi. Megjithatë, në favor të Shqipërisë qëndron edhe një tjetër faktor: çështja e Kosovës, mosnjohja e së cilës si shtet i pavarur mbetet ende një problem për Serbinë, duke i krijuar ndalesa eventuale. Për këtë arsye, Presidenti Vuçiç është përfshirë në mënyrë të ethshme në një seri takimesh me homologun e tij kosovar – në mënyrë të fshehtë në Nju Jork – thonë kundërshtarët e tij, por edhe në takime publike, teksa po punon paralelisht edhe me faktorin e brendshëm serb për dialogun me Kosovën.

Pikërisht në këtë kontekst, u zhvillua edhe votimi i ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, i cili prodhoi një situatë interesante, sa i takon qasjes së partive politike kosovare ndaj saj. Serbët dolën jashtë dhe shqiptarët ia mbërritën të bashkoheshin për një çështje si kjo. Mes partive shqiptare, Vetëvendosja ishte e vetmja që u kthye në origjinë, me gazin lotsjellës, duke kërkuar shtyrjen në afat të pacaktuar të marrëveshjes.

Me këtë sjellje të deputetëve të saj, duket se u thye edhe ajo marrëdhënie që ishte vendosur me Perëndimin, me të cilët dukej, deri përpara së mërkurës, se kishte arritur të krijonte terren. Votimi krijoi kompaktësi të bllokut të qeverisë, me të cilët u bashkua edhe LDK-ja. Ky vit do imponojë sfida të tjera ku do kërkohet konsensus i ngjashëm si Asosacioni, Gjykata Speciale, Marrëveshja me Serbinë, madje, pse jo, dhe rikompozim të qeverisë.

Me gjithë situatën e krijuar prej Vetëvendosjes, Kosova ia doli që të hidhte një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe që pritej me padurim nga BE. Kjo jo vetëm si dëshirë për liberalizimin e vizave me Kosovën, por si konfirmim i ndikimit që Bashkimi Europian ka në skenën politike të rajonit, duke iu kundërpërgjigjur frikërave për influencë, në rritje të aktorëve të tjerë globalë në rajon.

Për të gjitha këto zhvillime, mund të arrihet në deduksionin se shqiptarët po forcohen në rajon. Diçka që nuk shkakton kënaqësi për të gjithë, madje edhe për disa vende në gjirin e BE-së. Kjo pakënaqësi pati si shprehje më të fundit deklaratën e ambasadorit francez në Shkup, i cili pati rezerva për klimën, në të cilën u votua në Parlamentin maqedonas ligji për përfshirjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Pakënaqësi e fshehtë kjo e një pjese të perëndimorëve, për avancimin arrogant të shqiptarëve si komb në rrafsh ballkanik, pakënaqësi që nuk mund të anashkalohet.

Ajo çka është objekt i rëndësishëm diskutimi, është fakti se Shqipëria mund të përparojë nëse sinkronizon retorikën dhe veprimtarinë e vet në rang ndërkombëtar, së bashku me shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Vetëm kompaktë ata mund të marrin maksimumin nga marrëdhëniet e tyre me BE-në apo edhe me aktorë të tjerë. Përçarja i bën ata të jenë aktorë jodomethënës, pa peshë në rajon.

https://konica.al/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura