Kur Shirak kundërshtonte Bushin!

Nov 21, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

MARSELA SAKO

Qyteti i dritave, Parisi, ashtu si dikur qyteti i dritave New Yorku, nuk do ta ketë kurrë shkëlqimin e dikurshëm. Europa dhe mbarë Perëndimi po përjeton epokën e postsulmeve të 9/01 në Kullat Binjake në New York. Në vitin 2001, ish-presidenti i SHBA-ve, Xhorxh W. Bush, deklaronte se terrorizmi islamik s’ka lidhje me islamin. Islami – nënvizonte ish-presidenti amerikan – përcjell paqe, ndërsa terrorizmi të kundërtën e saj. Ky qëndrim i ish-presidentit Bush nënkuptonte se, lufta ndaj terroristëve islamikë nuk ishte luftë ndaj islamit. Në këtë periudhë Franca kritikonte retorikën amerikane rreth shpalljes së “luftës ndaj terrorit”.

Ish-presidenti francez, Zhak Shirak, dënonte politikat agresive dhe veçanërisht pushtimin e Irakut. Por, sot epokat kanë ndryshuar, Europa ka ndryshuar. Sot Presidenti i Francës i ka shpallur luftë grupimit islamik, ISIS. Sot, Franca është në gjendje emergjence që, në memorien historike franceze është analoge, jo aq me gjendjen e emergjencës së shpallur në vitin 2005, por me luftën në Algjeri dhe “masakrën e Parisit” në vitin 1961. Mbas sulmeve terroriste në Paris 2015, qasja europiane ndaj situatave të tilla, sigurisht që nuk është më e njëjta.

I ashtuquajturi kontinenti i unifikuar europian, është përballë  rreziqesh të brendshme dhe të jashtme. Strukturalisht së brendshmi, Bashkimi Europian ka çaluar në menaxhimin e shumë çështjeve me karakter ekonomik dhe social-kulturor, veçanërisht në drejtim të integrimit të emigrantëve. Bashkëpunimi i munguar në çështjet e menaxhimit të refugjatëve në kufijtë e jashtëm të Europës, përkatësisht Greqisë dhe Italisë, ka qenë i vonuar dhe shpesh joproduktiv.

Pamundësia e këtyre shteteve për t’i përballuar të vetme (kryesisht Greqia që ka pasur flukset më të mëdha të refugjatëve), u ka krijuar terren të favorshëm elementëve të caktuar terroristë për t’u infiltruar brenda zonës europiane. Kriza e refugjatëve ka reflektuar mungesë solidariteti dhe strategjie europiane për të menaxhuar të tilla situata. Thënia e Brzezinskit sipas perspektivës së superfuqive se, Europa mund të jetë konkurruese në nivel ekonomik, megjithatë do të duhet të kalojë një kohë e gjatë para se europianët të karakterizohen nga një nivel i konsiderueshëm uniteti, që do t’u lejonte të ishin konkurrues në nivel politik, ilustron më së miri situatën europiane në funksion të menaxhimit të kësaj problematike.

Por ky nuk është problemi i vetëm
Në një kontekst social dhe ekonomik…
…europian, ku papunësia progresive midis të rinjve ka rritur probabilitetin e radikalizimit të tyre, është rritur paralelisht edhe rrezikshmëria së brendshmi në Europë. Sipas një studimi të publikuar në Newsweek, të realizuar në gusht të vitit 2014 në tri shtete europiane, përkatësisht në Francë, Britaninë e Madhe dhe Gjermani, ka rezultuar se një në gjashtë shtetas francezë shprehnin simpatinë e tyre për grupimin islamik ISIS, i njohur ndryshe si shteti islamik. Më konkretisht, 16 për qind e qytetarëve francezë simpatizonin këtë grupim, në Britaninë e Madhe 7 për qind, ndërsa në Gjermani qëndrimet pozitive ndaj ISIS-it luhateshin midis 3 dhe 4 për qind.

Përqindja e madhe e qytetarëve francezë pro ISIS-it është në korrelacion të drejtë, ndoshta edhe me numrin e madh të qytetarëve të saj myslimanë, që vlerësohet të jenë rreth 5 milionë, të ardhur  kryesisht si emigrantë ekonomikë nga Afrika e Veriut në vitin 1950 me fillimin e procesit të dekolonizimit francez, ndërsa ligji për bashkimin familjar në vitin 1970 mundësoi tërheqjen e familjeve nga kjo kategori emigrantësh. Franca është vetëm një nga vendet europiane, nga ku me qindra rekrutë, të lindur në Francë, të arsimuar, madje shpeshherë edhe të konvertuar në myslimanë i janë drejtuar Sirisë. Fenomeni i ashtuquajtur tashmë gjerësisht si radikalizimi online, kryesisht i të rinjve, i shtrirë në të gjitha vendet perëndimore, por jo vetëm, e ka shndërruar ISIS-in në një nga grupimet terroriste më të sofistikuar të të gjitha kohërave.

Pikërisht këtë nënkuptonte edhe Presidenti i Francës Hollonde, në fjalimin e mbajtur mbas sulmit terrorist në Paris, përpara deputetëve dhe senatorëve të mbledhur në Kongres në Versajë, kur deklaroi se: akti terrorist u ideua në Siri, u orkestrua në Belgjikë dhe u zbatua në Francë. Kjo lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një grupim terrorist që nuk duhet nënvlerësuar. Siria tashmë është konsideruar si fabrika më e madhe e terrorizmit në të gjithë botën. ISIS përbën pa dyshim grupimin terrorist më të pasur të të gjitha kohërave, duke nënkuptuar se infrastruktura që përdor është shumë e sofistikuar.

Gjithmonë bazohet në komunikimet e enkriptuara, duke e bërë kështu të vështirë zbulimin e tyre nga shërbimet e inteligjencës. Dinamikat e këtyre zhvillimeve, pa dyshim që i kanë vënë fuqitë perëndimore përballë sfidash të vështira. Mënyra e menaxhimit të luftërave të hapura në Siri dhe Irak, duket se nuk po funksionon. Politikat e përdorimit të fuqisë që Perëndimi ka demonstruar në luftën, veçanërisht në këto dy vende, jo vetëm që nuk e kanë dhënë rezultatin e pritshëm, por duket se i janë kthyer Perëndimit në një bumerang. Një ndër treguesit më të qartë janë flukset e refugjatëve sirianë në drejtim të Europës dhe SHBA, që konsiderohen  pasojë  e drejtpërdrejtë e politikave të Perëndimit të ndjekura në Siri.

Nga ana tjetër, sa më shumë Perëndimi mundohet të tregojë forcën ndaj ideologjisë së grupimit islamik, aq më shumë rritet forca e kundërpërgjigjes së tyre. Sulmi ndaj Francës pason sulmin e Perëndimit në Bagdat. Disa ditë përpara sulmit terrorist në Paris, Presidenti Obama deklaronte se shteti islamik ISIS ishte nën kontroll dhe i “përmbajtur”. Pikërisht atëherë kur mendohej se shteti islamik ishte “përmbajtur”, rezultoi se mund të godiste në qendër të Europës, duke shkaktuar viktima në përmasat e një lufte. Ndoshta ky është momenti historik që Perëndimi të reflektojë dhe ta kurojë këtë problem që nga rrënjët. Reagimi ndaj këtij rreziku të përbashkët, duhet të jetë i të gjithë komunitetit ndërkombëtar dhe shumëfrontale, duke nënkuptuar jo vetëm bombardimet nga ajri, por edhe “bombardime” në funksion të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të qytetarëve të Lindjes dhe Perëndimit. Sigurisht që mund të jetë vonë, por jo e pamundur.
*Pedagoge e Shkencave Politike në UT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura