“Kur ra tërmeti, u bllokova në shtëpi bashkë me gjyshërit”- E mbijetuara: Ndjenim si shembeshin ndërtesat përreth, brenda binin tulla e copa muresh

| 11:59
SHPËRNDAJE

Serjana Qerasaj, banore e Lagjes 17 të Durrësit ishte në shtëpi së bashku me gjyshërit kur u trondit nga tërmeti që i la të bllokuar brenda shtëpisë, ndërsa u detyruan të thërrisnin për ndihmë familjarët e tjerë që të mund të dilnin nga rrënojat.

serjanaqerasa

Tashmë, ajo ndodhet në Korçë dhe tregon se si e përjetoi tërmetin e tmerrit. E mbijetuara tregon se si ka parë e ndjerë ndërtesat që shembeshin përreth, ndërsa në shtëpi vazhdonin të binin tulla dhe copat e mureve. Qerasaj tregon se pasi arritën të dilnin jashtë, kanë shkuar për të kërkuar ushqime, por nuk u kanë dhënë, duke u thënë se duhej ta kishin emrin të regjistruar në bashki. Ndërsa kur kanë shkuar në bashki kanë parë se ishte kaos dhe vendosën të udhëtojnë drejt Korçës, ku bashkia e këtij qyteti u hapi dyert e i ndihmoi.

Ku ndodheshit në momentin e tërmetit?

Në shtëpi ishim, në gjumë. Ndjemë lëkundjet dhe vrapuam të dilnim jashtë, por dera ishte e bllokuar, copat e mureve na binin gjithandej. S’dinim ku të shkonim. Pasi ndaloi tërmeti dhe gjysma e shtëpisë ishte e shkatërruar, telefonuam kushërinjtë dhe u thamë që kishim mbetur të bllokuar. Erdhën ata që na nxorën. Ndërkohë, ndienim si shembeshin ndërtesat përreth, brenda vazhdonin të binin tulla, copa muresh, dëgjonim kërcitje dhe menduam se aty do të merrnim fund. Por për fat të mirë ia dolëm të jemi gjallë.

Ku keni qëndruar këto ditë dhe pse erdhët në Korçë?

Jashtë. Këto ditë kemi qëndruar në lulishte. Ndonjëherë hynim në makinat e fqinjëve, rroba nuk kishim, ushqime nuk kishim, asgjë.

A keni kërkuar ndihmë?

Po, shkuam për të marrë ndonjë ushqim, por atje nuk na dhanë, na thanë duhet të kesh emrin e regjistruar te bashkia.

Shkuam te bashkia, atje ishte kaos, nuk arritëm dot të përfitonim asgjë. Jemi lutur kudo për veshje, për ushqime por nuk morëm ndihmë. Situata ishte shumë e frikshme. Mijëra njerëz që kishin nevojë për ndihmë, që kërkonin diçka, nuk kishim ç’bënim dhe vendosëm të vinim në Korçë.

A gjetët strehim në Korçë?

Po, gjetëm. Ne shkuam te bashkia dhe ata na sollën te një hotel, një biznesmen që ishte treguar i gatshëm të pranonte njerëz që kishin mbetur pa shtëpi. Hapësira është e madhe dhe deri tani këtu nëpër dhoma janë strehuar të paktën 50 veta nga Durrësi. Na sollën ushqime dhe veshje.

Sa do të qëndroni këtu?

Nuk e dimë, kjo është një zgjidhje e përkohshme, ne e dimë. Nuk dimë ç’do të bëhet më tej, shtëpi s’kemi, punë jo, se hotelet, bizneset, punishtet ku punonim u shembën, disa nuk i hapin se kanë frikë nga tërmeti, asgjë s’kemi tani.

Mbetëm rrugëve, nuk e dimë nëse do të na e ndërtojnë shtëpinë apo jo dhe çfarë zgjidhje do të na japin. Është vërtet situatë e keqe për mijëra njerëz.

/Dhorjela Çule/Panorama/

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

Comments are closed.