Kur pyesim “Ku je?”

Aug 26, 2018 | 12:18
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

baci agim

Heshtje, dallgë, shapka, sandale e më pas një zë në sfond… Dardana Berdyna, regjisore dhe aktorja e kompanisë teatrale “La quarta Parete” në Trento të Italisë, të cilën e ka ngritur me të shoqin, piktorin dhe skenografin Albert Dedja, solli në skenën e improvizuar në hotel “Adriatik” në Durrës një panoramë përgjigjesh të ndryshme për një pyetje që shpesh nuk ia mendojmë  përgjigjen që duam të japim: “Ku jemi?” Në një botë të sotme, ku na ndan me tjetrin jo më sytë, për një “klikim” apo një “like”, pyetja ka marrë kuptime të tjera, e pa dyshim, përgjigje që shpesh nuk dihet nëse janë ëndërr apo realitet. E në fakt, a jemi realisht aty ku flasim? A e ka e shkuara jonë fuqinë e saj brenda secilit prej nesh apo është diçka e largët? Nga ndryshon nisja dhe mbërritja e dikujt, kur të dy destinacionet mund të jenë për shumëkënd edhe nisje, edhe mbërritje njëkohësisht? Për të gjithë ata që fati u ka shkruar një histori lëvizjeje larg vendlindjes, pyetja nis të marrë kuptime të përziera me ëndrrën, nostalgjinë dhe me frikën se kujtesa mund të na punojë rrengje me pasoja për atë që kemi dashur në të shkuarën tonë.

Por, a mos vallë shumë gjëra marrin kuptim vetëm se nuk i kemi, se nuk janë më? Ku mbërrijmë diku, a besojmë se jemi për atje ku u nisëm apo atje ku deshëm të rindërtojmë një kujtesë vetëm për vete? Për ata që emigruan, e shkuara ka një fytyrë tjetër, një portret nostalgjie dhe ëndrre. Por “Odiseu” brenda nesh, që kërkon të kthehet, duhet të llogarisë qetësisht vitet e tij të mosqenies në vendlindje, e thjesht t’i thërrasë kujtimet që t’i rindërtojnë fotografitë. Kështu ka mbërritur atje ku ka dashur, ku ka menduar, por jo në të tashmen. Ajo është atje ku kanë nisur t’u qajnë fëmijët e ku u buzëqesh përditshmëria bashkë me sfidën, se duhet të besosh atë që sheh nga dritarja. Monologu bën kapërcimin nga një mungesë lirie në një komunikim të pakufishëm me ëndërrime e kujtime. Është një dialog që na fotografon të tashmen tonë, ku shumëkush nga ne vihet përballë botës së sotme, ku duket se takohesh me dhjetëra e qindra persona, edhe pse nuk ua zgjat dorën, nuk ua sheh sytë, nuk e dallon lëvizjen e kokës, nuk di sesi e shprehin lumturinë apo shqetësimin me gjithë gjestet e trupit. “Kemi humbur fuqinë e vështrimit të syve, të lëvizjes së qepallës”, thoshte Dardana gjatë monologut 50- minutësh, teksa na vinte përballë komunikimit të sotëm elektronik. Një kornizë e re, mes lirisë së pakufishme dhe një diktature, së cilës zor se mund t’i shmangesh. “Një like të lutem!”, mund të vijë nga qindra drejtime. Por mund ta ndjesh veten duke dhënë të tilla për të qenë “pa borxhe” nga dhjetëra të tjerë që “like” nuk e kanë për asgjë kur e shtypin, madje shpesh e japin pa lexuar se çfarë ke thënë, se çfarë ke publikuar.

Po ne, a duam të dimë realisht se ku janë të tjerët? Ndoshta kjo pyetje është më e shpeshtë për shumë njerëz. Sidomos për ata që nuk janë të zotët të ndërtojnë përgjigje vetë. Sepse shpesh nuk kanë asnjë përgjigje, pasi përditshmëria e tyre kalon nga shkretëtira e madhe e asgjësë. Atëherë i sulen tjetrit: “Po ku je tani?”, “Më trego ku je!”, “Ma trego tani!”. Ndoshta disa e kanë të nevojshme që t’i japin kuptim ditës së tyre, boshësisë së tyre, duke pyetur të tjerët. Interneti ka trupën e madhe të vëzhguesve, që jetojnë me jetët e të tjerëve, me historitë e të tjerëve. Tjerrin aty fjalë pas fjale për një apo dhjetëra persona, që i njohin apo që nuk i njohin, duke besuar në fund se kanë pasur të drejtën e gjykimit. E po t’i pyesësh vetë se “Ku janë?”, ata mund të tregojnë një destinacion që gjendet në “google map”, por jo në mendjet e tyre, në zemrat e tyre, në imagjinatat e tyre.

Një monolog i një teatri të përditshmes sonë, që Dardana e ndërtoi përmes pyetjeve, të cilat kemi nevojë që të mos u shmangemi, nëse duam vërtet të kemi guximin t’i afrohemi pasqyrës së përditshmërisë sonë. Ajo kish mbajtur aty rreth vetes, rreth fjalëve të saj, këpucët e sandalet e spektatorëve – këpucët e sandalet që nuk i veshim më prej shumë kohësh, pasi udhëtimi ynë është “online”…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura