Kur pritet kulmi i Omicronit në Shqipëri? Kreu i Urgjencës Kombëtare shpjegon edhe pse nuk ndryshuan masat kufizuese

Jan 14, 2022 | 10:00
SHPËRNDAJE

Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, deklaroi se “Omicron do të jetë dominues edhe në vendin tonë”, ndërkohë që shtoi se është rritur numri i thirrjeve nga qytetarët dhe vizitave në banesë.

skenderbratajTeksa nënvizoi se “personi që nuk është vaksinuar rrezikon njësoj si ditën e parë që ka dalë Sars-Cov2”, Brataj tregoi se kur pritet të jetë kulmi i Omicronit në Shqipëri.

“Mbrojtja është e domosdoshme. Nuk është thënë ndonjëherë që po u vaksinove, nuk infektohesh. Vaksinat, sipas llojit, kanë një përqindje efikasiteti që nuk i kalon 95%. Ai 5% mund të kapë këdo dhe mund të humbasë jetën. Efikasiteti i vaksinave ndaj Omicron është deri në 88%. Kulmin e Omicronit do ta shikojmë në dy javët e ardhshme, fundi i janarit më saktë”, u shpreh Brataj në “Debat”, në A2 CNN.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, shpjegoi pse Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i ndryshoi masat shtrënguese, pavarësisht rritjes së infektimeve me Covid-19 në vendin tonë.

“Masat merren gjithmonë në kuadrin e indikatorëve të epidemiologjisë. Duhet pasur parasysh që gjatë një pandemie, ndryshon edhe roli i indikatorëve. Në këtë periudhë nuk ke pse merr masa shtrënguese, pavarësisht shtimit të rasteve, kur numri i të shtruarve në spital është më pak se 200. Është një proces dinamik, që vlerësohet çdo ditë. Ne po mblidhemi pothuajse çdo javë dhe i përshtasim masat”, u shpreh Brataj.

Sipas tij, njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për t’u vaksinuar: “Unë shpresoj më shumë të ndërgjegjësimi i qytetarëve, të cilët po e shikojnë punën e mjekëve dhe spitaleve. Sa më shumë të mbrohemi, aq më mirë. Për ne, është disfatë që të humbim jetën për një vaksinë”./A2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura