Kur Neritan Ceka ëndërronte të kishte një televizor dhe lavatriçe

May 22, 2017 | 9:18
SHPËRNDAJE

Kjo intervistë që dritare.net e sjell të plotë, është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga më 7 janar 1996 me Neritan Cekën, që në atë kohë ishte kryetar i Partisë Aleanca Demokratike.

Neritan Ceka
Neritan Ceka

Nga Rudina Xhunga

Rudina Xhunga- Për ju vesi dhe virtyti janë fjalë pa kuptim, me kuptim të përgjithshëm, apo keni për to një përcaktim të veçantë?

Vesi dhe virtyti janë pjesa më e rëndësishme e personalitetit të njeriut, që shfaqen në shoqëri, ku ai vepron kryesisht siç ka parë në familjen e tij. Në mënyrë më të spikatur ato vihen re , kur njeriu bëhet person publik.

Sipas jush cilat janë veset e mira dhe virtytet e këqija?

Natyrisht kategoritë e ndarjes nuk janë të pastra. Vesi, herë-herë, nuk është thellësisht i keq, sikurse virtytet herë pas here janë të rrezikshme. Vetë jeta është (duke përfshirë këtu dhe timen), luftë ndaj tundimit të ëmbël të vesit dhe lodhje për të arritur shkretëtirën e bardhë të virtytit. Fatkeqësia e të qenit njeri publik, në rastin tim politikan, është se njerëzit duan të të shohin vetëm në shkretëtirën e virtytit.

Cili është vesi më i dashur për ju?

Ajo që italianët e quajnë “il dolce far niente” (kënaqësia e të bërit asgjë). Të ëndërroj ç’dua dhe të mos bëj asgjë për ta arritur.

Ç’ju qëllon të ëndërroni shpesh syhapur?

Këto lloj ëndrrash varen nga mosha. Deri në moshën 20 vjeç ëndërroja të më dashuronin sa më shumë vajza. Deri në moshën 30 vjeç të kisha një grua të mirë, një shtëpi, një televizor e lavatriçe. Deri në moshën 40 vjeç ëndërroja të zbuloja një mbishkrim ilir, e deri në moshën 50 vjeç të shikoja Shqipërinë më mirë. Ëndrrat e tanishme nuk i tregoj , sepse asnjë nga të parat nuk i realizova kur duhej.

Cili është virtyti me të cilin mburreni?

Vetëkontrolli, aftësia për të gjykuar veten në çdo moment.

Në peshoren vetëkontroll-iniciativë, e dyta duhet të jetë humbëse tek ju?

Peshorja tek unë ka anuar nga vetëkontrolli më tepër se nga shkarja. Sa për iniciativën ajo i përket çastit dhe vendimet varen nga intuita, edukata dhe shansi.

Dhe çasti ç’është për ju?

Është një segment në normalitet. Çasti më i zakonshëm është ai kur s’ndodh gjë, çastet e papritura janë të rralla e përgjithësisht unë nuk gjendem i përgatitur.

Cili ka qenë ai çast fatal për ju që iku siç erdhi?

Një çast që më ka gjetur papërgatitur. Veç nëse jeta do ma përsëriste sërish dhe kjo do të qe e mërzitshme, unë do ta jetoja po njësoj.

Jeni supersticioz?

Supersticioni im i vetëm, në mund të quhet i tillë, është se më pëlqen të ndez qirinj, dhe një prej tyre është për nënën time. Më ndodh kjo edhe pse nuk besoj në botën e përtejvarrit.

Vërtet, ç’mund të ketë përtej varrit?

Arkeologu thotë asgjë.

Po politikani?

Do të qe monotone sikur të gjithë politikanët e pozitës të qenë në ferr dhe të opozitës në parajsë. Megjithëse mund të takoheshim dhe të diskutonim në tryezën e rrumbullakët të purgatorit.

Nëse do t’ju duhet të ta drejtonit për një seancë këtë tryezë ç’fjalim do të mbanit?

S’më ka shkuar ndërmend më parë, por ndoshta do të thosha se politika shqiptare i ngjan hauzeve që s’ka lumë t’i lajë. Dhe fatkeqësia më e madhe është se njerëzit ambientohen më lehtë me vesin sesa me virtytin. Qeshin me Blerim Çelën, siç kanë qeshur me Lenka Çukon, pranojnë t’ju prishin mbrëmjen e Vitit të Ri me humor të përdhosur, quajnë normale jetesën mes plehrave dhe kanaleve; dhe është pikërisht ky ambientim me vesin, krimi më tragjik që politika e keqe mund t’i bëjë një populli.

Ambientimi me vesin për ne është gjenetik?

E vërtetë është që ne jemi ambientuar me diktaturën, por kjo nuk është cilësi vetëm e shqiptarëve. E kanë provuar dhe gjermanët me Hitlerin, e të tjerë popuj. Për të ndryshuar shërben një detonator që transformon akumulimin e pakënaqësisë në një gjendje të re. Në dhjetor këtë e bëri rinia. Sot një detonator i tillë janë vetëm zgjedhjet, kur njerëzit fare pa zhurmë, madje në heshtje do të votojnë për një jetë tjetër.

Shqiptarët do votojnë për një jetë tjetër, apo për një udhëheqës tjetër?

Vesi i njeriut që merr përsipër të udhëheqë vetëm zmadhohet në proporcion gjeometrik në krahasim me virtytin e tij. E kështu lindin diktatorët, që marrin përsipër të modelojnë popujt sipas tipit të tyre. Lenini si individ nuk ishte krimineli që transformoi revolucionin, sikundër ata që njohën playboy-in Hoxha në Francë kurrë nuk mund ta besonin se do të krijonte diktaturën më gjakatare komuniste. Pra të gjithë i sjell përqendrimi i pushtetit tek një njeri. Tashmë Shqipërinë nuk do ta shpëtojë një dorë e fortë e një mendje e zgjuar, qofshin ato të Sali Berishës, Fatos Nanos, Neritan Cekës, Skënder Gjinushit etj. Kushdo prej tyre ardhtë në pushtet, do ta dijë mirë se virtytet dhe pjesa e dobishme e veseve gjejnë pozicionimin e duhur, vetëm kur politika vihet në shërbim të lirisë dhe lumturisë së përbashkët.

Cilit ves do t’i ruheshit më tepër nëse vinit në pushtet?

Do i ruhesha ambientimit me njerëzit që do më mbronin e mbulonin; shikas, policë, militantë, fanatikë. Do doja të kisha pranë miqtë që kam dhe sot. Ruajna Zot nga miqtë e kohërave të bukura.

E megjithëse pyetjet janë të depolitizuara, ju nuk mund të mos flisni për politikë?

Kështu ndodh kur njeriu i nis gjërat me vonesë; dashuritë e vonuara, fëmijë në pleqëri, me njerëzit që nisin vonë alkoolin. Dhe unë e kam nisur vonë politikën dhe në njëfarë mënyre ajo i ngjan më tepër vesit sesa pasionit.

Sëpaku fotografia që do shoqërojë intervistën të mos ketë të bëjë me politikën.

E vështirë dhe kjo. Pasi i kushtoj aq pak kohë jetës private, sa kam fare pak foto, siç do i donit ju. Politika ka ndërhyrë aq shumë në jetën time personale, sa ndjej një lloj dyzimi. Ndërsa jam ulur në kuzhinën time shoh në televizor një njeri që më ngjan, që flet si unë, por që gjithmonë e më shumë largohet nga unë, ndoshta drejt shkretëtirës së bardhë të virtytit./dritare.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura