Kur në emër të vetvetes, universitarët lëngojnë

Aug 23, 2017 | 11:40
SHPËRNDAJE

edi pukaEDI PUKA

Është shumë e rëndësishme që debatet, diskutimet dhe mendimet në lidhje me arsimin e lartë të zgjerohen, zhvillohen dhe komunikohen në ritmin e përditshmërisë. Marr shkas nga citimi që më është bërë, për artikullin tim “konciz” nga zoti Edvin Prifti, të cilin e falënderoj për vëmendjen e kushtuar në lidhje me tematikën e trajtuar në artikullin: “Kur në emër të popullit universitarët vendosin”.

Në artikullin tim bëja një paraqitje të aktualitetit universitar në vendin tonë, specifikisht të universiteteve shtetërore, duke qenë që këta të fundit, për fat të keq rëndojnë në buxhetet tona të brishta familjare. Zoti Prifti, merrte shkas nga shkrimi im dhe ndërmerrte disa koncepte, të cilat sipas tij nuk ishin reale dhe që në shkrimin tim ishin modifikuar apo shtrembëruar, nisur nga fakti i përkatësisë time punëmarrëse.

Megjithëse këtë nuk e kam kuptuar asnjëherë si koncept. Po të punosh te shtetërori je i pastër intelektualisht dhe nëse punon te privati i bie që të jetë e kundërta? Nejse. Duke u nisur nga dashamirësia intelektuale, që mendoj duhet të mbizotërojë në çfarë- dolloj debati, po i marr me qetësi kontributet e shprehura duke risaktësuar qëndrimin tim në lidhje me gjendjen aktuale të universiteteve shtetërore në vendin tonë.

I nderuar z.Prifti, në lidhje me konceptin e termit autonomi, autonomia është një gjendje mendore dhe fizike, si e tillë duhet të fitohet, arrihet dhe nuk dhurohet, merret apo përfitohet. Për ta arritur është i nevojshëm një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, duke qenë e pamundur nëse nuk ka një kontribut personal dhe një eksperiencë jetësore. Në këtë pikë, askush nuk mohon kontributin e Universitetit të Tiranës ndër vite në rritjen, zhvillimin dhe formimin e brezave, të cilët bënë të mundur zhvillimin e këtij vendi, por në këtë rast flitet për vitet 60’, 70’, 80’ 90’.

Pas të cilave kemi një degradim të vazhdueshëm, për të cilin jam i sigurt që edhe ju jeni i ndërgjegjshëm. Kemi një rënie konstante, që për fat të keq ka sjellë si pasojë aktualitetin e sotshëm. I parë nga ky këndvështrim, studenti në qendër të një tregu universitar, mendoj që mbetet çështja më e prekshme nga ana humane. Individi duhet të jetë i lirë të zgjedhë, pavarësisht problematikave që mund të hasë në jetë. Kjo është mrekullia, domethënë cilë- sia e jetës. Nuk mund të mendojmë që të krijojmë oaze paqeje, falas dhe cilësore në të njëjtën kohë, në një vend ku mungon mundë- sia dhe aftësia financiare.

Të luftosh për një ide të tillë do të përkthehej në demagogji të pastër. Në këtë koncept nuk ka lidhje klientelizmi apo studenti klient, koncepti lidhet me faktin që unë zgjedh atë që dëshiroj dhe fitoj atë që meritoj, por që të zgjedh atë që dëshiroj duhet që të mos kem problematika rënduese fiktive që kapërcejnë aftësitë e mia. Në këtë pikë lidhet aspekti financiar që ju më kundërshtoni. Është utopike të mendohet që individi të arsimohet, kurohet, shërbehet në mënyrë dinjitoze dhe njerëzore kur mungojnë burimet financiare.

Aq më tepër të mendohet që të bëjmë kërkime shkencore kur buxheti është minimalist dhe jo i përshtatshëm. Nisur nga ky aspekt, jemi shumë herët për të diskutuar një autonomi të plotë financiare në institucione, të cilat nuk mund të jenë autosuficiente. Mendoni, i nderuar, që vendi ynë ka kapacitete të tilla, njerëzore dhe financiare që të furnizojë 15 institucione të arsimit të lartë? Unë mendoj që jo.

Në këtë mënyrë prodhojmë vetëm mediokritet dhe injorancë duke qetësuar shpirtin tonë me shprehjen: faji nuk është i yni, kur në të vërtetë është edhe i yni, pasi nuk shprehemi realisht, kamuflohemi dhe mundohemi që të përshtatemi për hir të komoditetit tonë personal, duke ia hedhur fajin të tjerëve dhe duke i thënë vetes që jemi më të mirët. Kjo do të thotë të fshihemi pas gishtit. Duke mos parë realitetin e hidhur që na rrethon, ose duke bërë sikur nuk e shohim. I nderuar, nuk mund të vazhdohet në këtë gjendje, studentët kanë nevojë për më shumë.

Në epokën e globalizmit, ku të gjithë kemi sy e vesh, nuk mund të vazhdohet akoma me retoriken shterpe të tipit: ne jemi tradita, ne jemi kultura, por mos na e vini re për këto që bëjmë dhe për faktin se çfarë cilësie studentore promovojmë dhe diplomojmë, pasi në fund të fundit, të rinj janë, le ta gjejnë vetë rrugën e tyre. Fosilet janë të vlefshme, pasi na tregojnë rrugëtimin e bërë për të arritur deri këtu ku jemi, por duhen konservuar në ndonjë muze dhe jo të jenë akoma aktivë dhe të krijojnë apo shkaktojnë dëme njerëzore të pariparueshme.

*Pedagog i Shkencave të Edukimit, UET

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura