“Kur na qëlluan ukrainasit e kuptuam që kishte nisur pushtimi”- Parashutisti rus rrëfen nisjen e luftës: Ishte ora 2 e mëngjesit, na dhanë armë të ndryshkura dhe…

Aug 13, 2022 | 20:21
SHPËRNDAJE

Pushtimi i Ukrainës ka qenë një befasi dhe për vetë ushtarët rusë të cilët nuk e dinin se ishin nisur për në luftë në momentin që Moska filloi agresionin ndaj Kievit.

ushtari rus

Një parashutist i ushtrisë ruse zbuloi detaje nga përvoja e tij në Ukrainë. Pavel Filatiev, 33-vjeç, thotë se njësia e tij elitare u largua nga kufiri me Ukrainën, pasi mësoi për planin e pushtimit në mediat botërore. Ata ishin dërguar atje, pa u paralajmëruar se do të përballen me forcat e “armikut”.

Ai theksoi se si ushtarëve u janë dhënë pushkë automatike të ndryshkura, uniforma të papërshtatshme dhe të vjetra – derisa bashkëluftëtarët e tij ishin “hequr nga faqja e dheut” duke përdorur taktikat luftarake të gjyshërve të tyre.

Filatiev pranoi se ishte zgjuar nga zhurma e të shtënave në rimorkion e kamionit, derisa po e kalonin kufirin në ora dy të mëngjesit të 24 shkurtit, kur edhe filloi pushtimi i Ukrainës.

Vetëm kur ushtarët ukrainas filluan të shtien mbi mjetet ushtarake ruse, Filatiev tha se e kuptoi se kishin filluar pushtimin e shtetit fqinj.

“Tashmë ishte e qartë se kishim sulmuar Ukrainën”, shtoi ai.

Në librin e tij më të ri, Filatiev ka folur për uniformat e vjetra e deri te mjekët e ushtrisë ruse që nuk kishin shiringa dhe qetësues dhimbjesh.

Ai nuk hezitoi të flet edhe për atë sesi komandantët rus përdorin “taktikat e gjyshërve të tyre” në fushëbetejë, taktika luftarake që tashmë nuk përdoren askund tjetër në botë, pasi konsiderohen të paefektshme dhe të vjetruara.

“Nuk kemi pasur të drejtë morale të sulmojmë një vend tjetër – në veçanti njerëzit që janë të afërt me ne. Kur gjithçka filloi, njihja disa njerëz që besonin në nazizëm dhe dëshironin të luftonin kundër ukrainasve. Shumica e ushtarëve rusë janë të pakënaqur me atë çfarë po ndodhë atje. Ne kurrë nuk kemi pasur urrejtje për ukrainasit dhe nuk i kemi konsideruar si armiq. Ushtarët janë të pakënaqur me komandantët, Putini dhe politikat e tij”, tha ndër tjera ushtari rus.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura