Kur ministri i Kulturës ha ….!

Nov 8, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ÇIPI

Kastriot Çipi
Kastriot Çipi

Kjo javë nisi me një debat publik, të shkaktuar nga një mesazh, në rrjetin social “Twitter”, i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Ndryshe nga “Facebook”, rrjeti social më popullor “Twitter”, është i njohur për komunikimin me mesazhe të shkurtra (tweets, shqip-cicërima), kryesisht nga politikanë e persona të tjerë publikë. Përmes këtij mesazhi, zonja ministre e Kulturës na bënte thirrje të refuzojmë të bëjmë seks me dikë, që nuk ka libra në shtëpi. Fjalia e dytë e mesazhit shkonte në të njëjtën linjë me të parën, duke na bërë thirrje të mos i lejojmë të na “eksplorojnë” ne, pa eksploruar më parë librat. Mesazhi ishte në anglisht. Nuk besoj se dikush ka menduar se zonja ministre e Kulturës e Shqipërisë po ia drejtonte atë mesazh gjithë botës. Është e qartë se mesazhi ishte në anglisht dhe jo në shqip, pikërisht për shkak se përmbante fjalor vulgar, që zonja ministre, ndonëse përkthyese profesioniste, e kishte pasur të vështirë ta përkthente. Kjo fjalë vulgare, në biseda mes njerëzish jo fort intimë, përmendet si “fjala që fillon me f”. Në radiot dhe televizionet e botës anglishtfolëse, ajo zëvendësohet me një sinjal akustik. Ndërsa në mediat e shtypura, ajo transkriptohet me shkronjën e parë, pasuar nga tri yje: f***. Por, zonja ministre e Kulturës kishte zgjedhur ta shkruante fjalën të plotë, pa yje.

S’kaloi shumë kohë dhe mesazhi i zonjës ministre të Kulturës mbushi rrjetet sociale dhe portalet me komente pa fund, të mbushura me ironi e tallje, jo vetëm për fjalorin e përdorur, por edhe për plagjiaturën, për faktin se fjalia e parë e mesazhit, ajo me fjalën që fillon me f, ishte kopjuar nga një artist amerikan, emri i të cilit nuk citohej në mesazh. Vështirë të matet niveli i ndërveprimit në “Facebook” e portale, por një gjë është e sigurt: zonja ministre e Kulturës u bë objekt talljeje e përqeshjeje si kurrë më parë. Gjithë pasditen dhe mbrëmjen e së hënës, ajo ishte personazhi publik më i lakuar mes shqiptarëve në të gjithë botën. Brenda pak orëve, memet e Genc Sejkos morën dhjetëra mijë pëlqime dhe mijëra shpërndarje, e ndoshta edhe skërmitje nga degët e PS, që kanë profile në “Facebook”.

Disa orë më pas, zonja Kumbaro e fshiu mesazhin e shumëdebatuar dhe postoi një mesazh tjetër, që do ta përkufizoja si shembull të shkëlqyer të shprehjes popullore “të lash m**** me sh***”. Ajo sqaronte se mesazhi ishte citim nga artisti amerikan John Waters dhe lavdëronte efektin e mesazhit të saj, duke na ftuar madje të mos biem pre e përkthimit të gabuar. E ftova zonjën ministre të na ofrojë përkthimin e saktë, por nuk ka kthyer ende përgjigje.

Zonja ministre e Kulturës, njëherazi deputete, si edhe përkthyese e profesore universiteti, së pari duhej të kërkonte ndjesë për plagjiaturën. Ajo e di mirë se citimi ka nevojë për thonjëza në fillim dhe në fund, si edhe për emrin e autorit në fund. Jo vetëm kaq, por citimi nuk lejon shtesa (fjalia e dytë për eksplorimin, nuk është e autorit), sepse përndryshe është falsifikim dhe plagjiaturë (për pjesën e saktë). Pra, zonja ministre, ju bëtë plagjiaturë! Por qeveria juaj, ndër të tjera, është edhe qeveri e plagjiaturistëve, kështu që ju nuk bëni përjashtim…

Së dyti, zonjë, një artist, në komunikime jozyrtare, mund të ndodhë ta përdorë atë fjalën që fillon me “f” në anglisht (e përdori së fundi Robert De Niro, në ceremoninë e çmimeve “Emmy”), por duhet të jesh injorant fare, që të mos e dish se nuk e përdor askush në komunikime zyrtare. Dhe cicërimat tuaja në “Twitter”, sa kohë jeni ministre e Kulturës, janë komunikime zyrtare! Por, edhe në këtë sens, ju nuk jeni e para. Kryeministri juaj ka një histori të tërë me incidente të kësaj natyre… Herë tjetër zonjë, para se të bëni të tillë lapsuse, ju lutem kujdesuni të përdorni një medium me akses të kufizuar për fëmijët e 9-vjeçares. Unë do të doja që çdo mesazh pro leximit të mbërrinte tek im bir, por jo i shoqëruar me fjalor të papërshtatshëm! Kaq për sa i takon mesazhit të parë, në anglisht.

Ndërsa mesazhin tuaj të dytë, zonjë, do t’ia jap tim biri, si ushtrim drejtshkrimi dhe sintakse. Është e tmerrshme, madje më e tmerrshme, të lexosh shqipen tuaj, sesa të pranosh fjalorin tuaj në anglisht. A ka mundësi që një përkthyese e profesore universiteti të mos dijë se prapa presjes duhet të ketë gjithmonë hapësirë?! Që çdo fjali, sado e përbërë, mund të ketë një dhe vetëm një kryefjalë?! Që nuk hiqen ë-të fundore për t’u zëvendësuar me apostrof, për më tepër kur fjala që pason është shkruar pa hapësirë në mes dhe është vënë madje mes thonjëzave?!

Së fundmi zonjë, ju nuk jeni as adoleshente “cool”, as ndonjë artiste “hippie”. Silluni si i ka hije moshës dhe statusit suaj social. Keni pesë vjet që drejtoni Kulturën e këtij vendi, më gjatë se kushdo tjetër, pas Tefta Camit në vitet ’80. Bëni diçka, sado të vogël, që të mund t’ju kujtojmë për diçka të mirë, pasi të keni rënë nga froni. Nëse e besoni vërtet atë e keni shpallur si moton tuaj në “Twitter”, se “Pa kulturë nuk ka zhvillim”, bëni pra një gjest të vogël, në mbështetje të zhvillimit të këtij vendi: kërkoni që buxheti i Kulturës për vitin 2019 të jetë i barabartë me atë të Maqedonisë, e cila e ka plot 4 herë, ose 400% më të lartë. E di me siguri se Kryeministri, jo vetëm nuk do ta miratojë, por do t’ju shajë me fjalë vulgare, në shqip. Mund t’ju qëllojë edhe me stilolaps apo gotë uji. Mund edhe t’ju lirojë nga detyra menjëherë, por më besoni, është e fundit gjë që ju ka mbetur të bëni, nëse doni që ndonjë nga studentët tuaj të ruajë një fije respekti për ju kur të jeni sërish qytetare e zakonshme e këtij vendi. Sa për artistët, jua thonë apo nuk jua thonë hapur, ta dini se ju përbuzin dhe ju urrejnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura