DR. FATMIR SEJDIU
Pas vendimeve të Konferencës së Londrës, në bazë të të cilave u copëtuan kufijtë e hapësirës etnike shqiptare, pasojat për popullin shqiptar do të jenë të mëdha. Këto pasoja do të ndihen në shumë rrafshe dhe veçanërisht në viset e mbetura jashtë shtetit të ri shqiptar. Metodat e ndryshme të shtypjes se shqiptarëve kishin vetëm një qëllim: zhbërjen e etnisë shqiptare. Kosova dhe viset e tjera shqiptare nën Serbinë dhe Mbretërinë e Jugosllavisë midis dy Luftërave Botërore do të jetë caku themelor i gjenocidit shtetëror që organizohej pa ndërprerë kundër saj.
Shtypja dhe terrori ndaj shqiptarëve bëhej në të gjitha rrafshet. Një nga to ishte edhe mosarsimimi i popullsisë dhe lënia e saj në shkallën më të lartë të analfabetizmit. Kjo kishte lënë pasoja të mëdha. Në periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore, me okupimin e Shqipërisë dhe më vonë të hapësirave të tjera shqiptare, nën atë gjendje kur ishte krijuar “Shqipëria Etnike” që përfshinte hapësirat nën Italinë, ministri i atëhershëm i Arsimit, Ernest Koliqi, kishte marrë vendim për hapjen e shkollave shqipe dhe dërgimin e disa qindra mësuesve në Kosovë. Kjo, pavarësisht zhvillimeve të tjera, kishte lënë gjurmë të mira.
Nën të njëjtin model, por në rrethana të reja, atëherë kur marrëdhëniet shqiptarojugosllave ishin të mira deri me prishjen e tyre në vitin 1947, në Kosovë dhe vise të tjera nga viti 1945 u dërguan disa qindra mësues për të ndihmuar shkollimin e popullsisë shqiptare.
Ishin këta mësues dhe profesorë të përkushtuar në misionin e tyre fisnik. Në mesin e tyre ishte edhe Pretash Zef Kaçaj nga Bajza e Kastratit. Pretashi si pjesëtar i fisit të Kaçajve të njohur për të mirë, ishte shkolluar në Liceun “Iliricum” të Kuvendit Françeskan të Shkodrës. Liceu, i cili ishte udhëhequr nga personalitete të shquara, siç ishte At Gjergj Fishta dhe shumë të tjerë që do të qenë emra me peshë dhe që do të kontribuojnë në lëmet e ndryshme të dijes. Aty ai do të përgatitet si një personalitet i pajisur me dije solide nga fusha të ndryshme, nga shkencat ekzakte, filozofia dhe nga gjuhët e huaja, duke filluar nga latinishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja.
Me një përgatitje të tillë dhe si i ri, pas përfundimit të luftës çlirimtare, së cilës edhe i ishte bashkangjitur, ai do të shërbejë në disa shkolla të Kosovës. Ai kishte dhënë mësim në Suharekë, pastaj në fshatrat e Prizrenit dhe të Klinës. Sikur edhe mësuesit e tjerë ishte shembull i mirë i pedagogut dhe i atdhetarit.
Sigurisht se ajo kohë për të kishte lënë mbresa të veçanta. Dhe më e vështira kishte qenë ndarja, kur pothuajse të gjithë mësuesit nga Shqipëria do të detyrohen të lëshojnë Kosovën. Marrëdhëniet midis dy shteteve ishin prishur.
Pretashi më vonë do të kalojë nëpër kohë shumë të vështira që përshkohen me përndjekje, arrestime dhe internime me gjithë familjen. Këto ishin bërë me akuza të pabaza e të vazhdueshme nga regjimi i diktaturës së asaj kohe. Vite të rënda i kishte kaluar në ato rrethana, por nuk ishte dorëzuar.
Pas shumë vitesh dhe kalvarit të përjetuar, sërish kishte marrë detyrën e mësuesit.
Pretash Kaçaj me qëndrimin dhe veprimtarinë e tij i kishte mbetur besnik idealit të një burri të fisëm, një mësuesi shembullor dhe një atdhetari të përkushtuar. Ai mbrojti idealin e tij.
Kosova u është mirënjohëse gjithë këtyre mësuesve që dhanë shumë për njerëzit e saj!
* President i Republikës së Kosovës 2006-2010
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al