Kur lideri populist merr mesazhe nga populli

Dec 10, 2015 | 11:44
SHPËRNDAJE

AGIM NESHO_1AGIM NESHO

Një milion shuplakat duket se u kthyen në të kundërtën. Protesta e 8 Dhjetorit tregoi se populli ka shumë pakënaqësi nga mënyra arrogante e qeverisjes, mungesa e vizionit dhe mungesa e shpresës për të ardhmen. Legjitimiteti i kësaj qeverisjeje vihet në pikëpyetje, jo vetëm nga protesta dhe numrat e saj, por edhe nga largimet në masë të shqiptarëve të dëshpëruar nga vendi i tyre; jo vetëm nga ndarja e pushtetit me oligarkët, por edhe rritjes së korrupsionit dhe tenderave abuzivë; jo vetëm për inkriminimin e politikës për qëllimin e marrjes dhe mbajtjes së pushtetit, por për mungesën e një demokracie funksionale në vend.

Te liderët populistë si Rama ky legjitimitet mbaron në raportin e tij me masën, me popullin, i cili nuk mund të mbetet një turmë që mund të manipulohet nga liderët e radhës. Rama arriti të merrte pushtetin dy vite më parë si një lider populist, kur vendi dëshpërimisht kërkonte ndryshim dhe ishte i lodhur nga mosndryshimi i elitave drejtuese që vazhdonin të drejtonin në një tranzicion të gjatë.

Ai erdhi me një projekt të tij ambicioz të Shqipërisë së gjeneratës së re duke zgjuar shpresën te shqiptarët. Pavarësisht se përdori kartën e “populistit”, ai nuk mund ta ndante projektin e tij me shumicën në vend, por vetëm me një grup “apostujsh” të urtë dhe të bindur që besonin në misionin e tij. Jo rrallë ai shprehej që nuk ishte politikan, por misionar, që në politikë do të sillte ndryshimin.

I njohur për talentin e tij në marrëdhëniet me publikun, anarkist dhe empirist në trajtimin e çështjeve, Rama përcaktoi për veten e tij rolin historik të një udhëheqë- si të New Deal (si udhëheqësit amerikanë pas Depresionit të Madh ’29-’33) që do t’i mundë- sonte jetëgjatësi në pushtet. Imazhi i liderit populist të përkushtuar ishte ai që iu paraqit dhe servir elektoratit për të marrë pushtetin. Nga ana tjetër, Rama e personalizoi pushtetin, zhduku strukturat dhe institucionet e partisë dhe i zëvendësoi ato me oligarkët dhe përfaqësues të krimit të organizuar nën motivin se do të bëhej aleancë me këdo, edhe me qelbësirat, për marrjen e pushtetit.

Për të ruajtur protagonizmin e tij, projekti i Rilindjes u personalizua dhe u krijua një lidhje direkte lider-masë. Pa fund ishin takimet e tij në të gjithë anët e vendit në town hall-e të mbushura me militantë entuziastë, në pritje të ndarjes së pushtetit. Institucionet mbeteshin të heshtura, të margjinalizuara dhe depersonalizuar, përderisa pranonin të bashkëpunonin me krimin. Në një demokraci normale institucionet kanë rëndësinë e tyre të veçantë. Ato shërbejnë, përveç të tjerash, për të amortizuar goditjet dhe pakënaqësitë që vijnë nga populli. Ato veprojnë për të parandaluar dhe korrigjuar ato veprime, të cilat krijojnë një perceptim negativ në opinionin publik.

Kritikat ndaj qeverisë për ministra të korruptuar, veprimet në mbrojtje të njerëzve të inkriminuar, si dhe keqmenaxhimi i të ardhurave publike në vend duhej domosdoshmërisht të çonin në reflektim të thellë të institucionit qeverisës, por në të kundërt u mbrojtën nga lideri populist, për të mos u treguar i dobët dhe dështues në projektin e tij. Kjo është edhe humbja e legjitimitetit të liderit populist, i cili për të fituar çdo gjë mund të humbasë çdo gjë. Paprekshmëria e tij përpara institucioneve, arroganca e shfrenuar e pushtetit, merr fund kur prishet raporti i tij me masën.

Protestat popullore janë dhe drama e madhe e Ramës, janë fundi i raportit të tij të imagjinuar me historinë. Rama sot ndodhet detyrimisht në një udhëkryq ku ai duhet të marrë vendimet e nevojshme. Protesta e opozitës është vetëm maja e ajsbergut e pakënaqësisë popullore. Në atë protestë nuk mori pjesë masa gri e elektoratit, që gjithmonë e më shumë po mendon se përkrahja e Ramës në 2013-n ishte një gabim i madh, i shtyrë nga parimi pragmatist shqiptar për të votuar të keqen më të vogël. Mungesa e një vizioni qeverisës, arroganca e pushtetit, klientelizmi politik dhe korrupsioni i ngritur në sistem mund ta detyrojnë këtë masë t’i bashkohet protestës popullore për të bërë ndryshimin e nevojshëm.

Dhe kjo masë nuk vepron instinktivisht si militantët e partive politike, por vihet në lëvizje nga racionaliteti për nevojën për ndryshim. Ajo ka një masë më të madhe graviteti për t’u vënë në lëvizje, por kur lëviz, bëhet e papërballueshme për çdo regjim në pushtet. Dy mund të jenë lëvizjet që Qeveria Rama mund të ndërmarrë në këto momente të legjimitetit të vënë në dyshim. Së pari, të kërkojë falje dhe të korrigjohet.

Të kërkojë falje për inkriminimin e politikës, të heqë dorë nga arroganca dhe të zhbëjë tenderat korruptivë të klientelës së pushtetit, të pastrojë qeverinë nga ministrat e korruptuar dhe ata të paaftë, të mbledhë autoritetet më të mira financiare të vendit për një projekt ekonomik që do t’i mundësojë vendit daljen nga kriza, rishqyrtimin e politikave shtrënguese për biznesin dhe taksat, të bëjë transparencë të plotë dhe të heqë dorë nga propaganda e shfrenuar për sukseset.

Kjo është rruga më e vështirë, por më e drejtë për të dalë nga kriza politike ku është zhytur vendi, pavarësisht se i jep fund projektit të një kryeministri të dashuruar me veten e tij. Së dyti, të pranojë zgjedhjet e parakohshme ose të vazhdojë të qëndrojë duke thelluar një krizë që mund të prodhojë përplasje sociale dhe ta çojë vendin në destabilitet politik. Dilemat e Ramës mund të jenë të mëdha, por ai duhet të japë një zgjidhje. Përndryshe vepron aksioma “kur nga turma vjen, nga turma do të shkosh”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura