Kur kultura kapet për fyti dhe vihet në shërbim të korrupsionit

May 19, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA sami_neza1_8326

Kryeministri Rama, me një gjetje aspak të denjë për të, publikoi sot në faqen e tij projektin e teatrit të ri në përpjekje për të qetësuar sadopak ndenjën e lënduar të mijëra e mijëra qytetarëve të vet. Publikimi ngriti një valë të re zemërimi dhe urrejtjeje që nuk është parë, artikuluar, por siç duket as ndierë kaq thellë, shprehur përmes komenteve poshtë tij, në të gjithë historinë e demokracisë në vend.

Njerëzit ndihen të prerë në besë, disa të poshtëruar, të tjerë të shpërfillur, ndërsa grupi që ndodhej në teatër, përveç gjithë këtyre, edhe të rrahur, poshtëruar e masakruar prej policëve.

Projekti i ri nuk bën asgjë tjetër veçse e mahis plagën duke e bërë atë edhe më të rëndë. Mijëra qytetarë nuk shohin kurrfarë reflektimi, as sa të vrasësit për viktimën, te Kryeministri i tyre. Një ndarje si me thikë, një hon që Edi Rama, mjeshtri i PR, që më shumë paguan për publicitet sesa për analiza financiare, kërkon ta mbushë po me mjetet e krimit projektin e ri. Projekti i ri është mjet krimi, pasi përmes tij u shndërrua në ligj nga Parlamenti shqiptar vjedhja e tokës publike në favor të një oligarku. Në zemër të projektit nuk qëndron teatri i ri, as nevoja për një teatër të ri, as shqetësimi për një teatër me standarde, por të grupit të kullave, projektit të biznesit disa qindra miliona eurosh, që frymëzoi edhe projektin e teatrit si koperturë dhe model edhe më i pamëshirshëm se çdo rast tjetër, model ku kultura i shërben korrupsionit. Mos pafshin hajër! Është njësoj si t’i kthejmë kishat e xhamitë në vende ku punohet kundër perëndisë.

Kjo ishte edhe arsyeja që dialogu i ditës së fundit mes komunitetit dhe Bashkisë së Tiranës nuk u bë. Dialogu që e kërkuan me ngulm edhe zyrat ndërkombëtare në Tiranë, bile edhe ato zyra që bashkëpunojnë me qeverinë ditën dhe natën për të forcuar organizatën e qeverisë.

Nuk kishte si të bëhej një dialog midis ofertës financiare korruptive dhe ofertës kulturore. Se si mund të ndajnë ide korrupsioni me kulturën. Se Budina mund të fliste me gjuhën e tij për vlerat e ndërtesës dhe historisë së saj. Po në anën tjetër, nuk kishte një version tjetër kulturor, por një version korruptiv. Prandaj, qeveria dhe bashkia nuk e bëri këtë debat. Se nuk mund të bënte një debat që e kishte të humbur bile edhe materialisht, pasi paratë e rindërtimit të teatrit ishin gjetur nga “Europa Nostra”, ishin gati për t’u investuar. Kështu që, pazari i Veliajt për të shitur tokën publike për lekët e teatrit ishte zhbërë. Nuk mungonte asgjë për një marrëveshje normale pa kosto shpirtërore. Edhe pa kosto financiare po deshët. Dhe kjo ishte arsyeja se pse Teatri u shemb, duke shembur ndërkohë urën që lidh qytetarët me pushtetin, që janë besimi dhe dëgjimi i fjalës.

Projekti i ri që na paraqiti Rama dhe që është që në krye të debatit po ai projekt, nuk është për teatër, por për shopping center. Ai është në shërbim jo të audiencës së kulturës, por të biznesit. Audienca e teatrit sillet aty me biletë teatri dhe më pas shitet si klient te dyqanet. Projekti i ri i mashtron ata që shkojnë për teatrin atje. Është një projekt që kthen nga një oaz kulturor zonë e teatrit, në një oaz biznesi, ku secili nga aksionerët e oazit, që janë aksionerët e organizatës së qeverisë, merr pjesën. Nuk po përmendim tashmë projeksione të tjera të stërthëna, që e nxjerrin jashtë loje këtë projekt për zonën historike ku do ngrihet një ndërtesë e tillë, që nuk ngjan më pak keq sesa restoranti përballë me vetrata teke ngjyrë kafe mbi murin e kalasë së Tiranës. E shikoni urën poshtë Teatrit në projekt, urë që të lëvizin njerëzit, është urë për te dyqanet. Kjo është ura që lidh korrupsionin me bashkinë dhe qeverinë në vend të urës shpirtërore, urës së historisë dhe kujtesës. Po cili është argumenti tjetër për prishjen e Teatrit. Argumenti tjetër ndërtohet kundër protestës, duke margjinalizuar efektet e çdo proteste me projeksionet e efekteve të saj në të ardhmen. Pra, protestat janë ‘retro’ dhe projektet e organizatës së qeverisë ‘metro’.

Edhe Rama, edhe Veliaj e kanë fjalën për parkun e fëmijëve te Liqeni, një tjetër projekt korruptiv. Ka qenë protesta e opozitës dhe e shoqërisë civile që pengoi që ai projekt, ashtu siç ishte fillimisht, me kafe dhe restorante, të mos shkatërronte Parkun e Liqenit. Veliaj dhe Rama gënjejnë ashiqare teksa thonë se protesta u bë kot. Protesta ndali kthimin një qendër biznesi të të vetmit brez të gjelbër të Tiranës njëmilionëshe. Ai projekt, edhe sot është një projekt i keq dhe kushdo që të vijë pas barbarit në krye të bashkisë, duhet ta prishë. Askush nuk dërgon fëmijën e tij te Liqeni që të kapet te muri, por që të vrapojë në lëndinë. Ai është projekt për brenda lagjeve dhe për nga vendi që ka zënë, i bie në qafë Tiranës. Fare pak fëmijë të një zone shumë të ngushtë, vetëm të Tiranës së Re, mund ta shfrytëzojnë si park lojërash. Nëse ka sjellë dikush fëmijë nga Ali Demi, Porcelani, Po ligrafiku, Kombinati, Unaza e Re, Zogu i Zi të luajë të Parku i Erionit dhe vetëm për këtë gjë, pranoj gjithë ditën se e kam gabim. Parku i fëmijëve u ndërtua për t’i hapur gojën korrupsionit dhe është rasti ku fëmijët u përdorën në shërbim të korrupsionit, është rast i pamëshirshëm.

Rasti tjetër është ai stadiumit, sërish një formulë korruptive. Këtu protestat jo se dështuan, por nuk ndalën zullumin më shumë se vetëm para fasadës së vjetër të stadiumit që tashmë duket për gjynah, e dhunuar dhe e sakatuar nga vetratat kuqezi, pa shije, nga kulla e lartë dhe e hollë si një hu. Stadiumi mund të ishte ndërtuar në një vend tjetër, edhe më i madh, pa sjellë gjithë trafikun në mes të Tiranës dhe stadiumi që ishte rikonstruktohej dhe ruhej edhe si vlerë përdorimi, por edhe si traditë, edhe si dëshmi. Por jo, pasi vetëm në qendër të qytetit toka shitet shtrenjtë dhe biznesi mund të bëjë pazar. Stadiumi ka mbaruar, por qytetarët e Tiranës e shohin gjithë ditën si rastin kur sporti vihet në shërbim të korrupsionit. Ndeshjen e parë që u luajt në atë stadium, qindra karrige u thyen në shenjë proteste, për qëllimin që ishte përdorur sporti prej organizatës së qeverisë.

Ndërsa në lidhje me Pazarin e Ri dhe Bulevardin e Ri, të dy ishin projekte në zbatim nga bashkia tjetër e Tiranës, që drejtohej nga Lulzim Basha. U bllokuan nga qeveria e Edi Ramës për t’i marrë më të mirën në funksion të organizatës së qeverisë, tri-katër vitet e fundit.

Kujdesi që ka pasur për trashëgiminë Bashkia e Tiranës, kjo e organizatës, është si kujdesi që ka ujku për qengjin në një ditë dimri në afërsi të tunelit të shembur të Rrugës së Arbrit në malet e Martaneshit. Lista e vitit 2007 është sakatuar. Të bëjmë një shëtitje me hartë në dorë dhe me listë në dorë për të gjetur vilat që janë monument kulture. Nuk janë më. 160 leje ndërtimi për kulla, komplekse dhe pallate janë të mjaftueshme për të shembur gjithë kulturën, gjithë trashëgiminë për arkën korruptive të pushtetit.

Rama, teksa flet për oligarkinë, thotë se nuk ka të tillë në Shqipëri, pasi sipas tij, oligarkët janë ata që urdhërojnë qeverinë apo ndikojnë qeverinë për të marrë vendime. Në dijeninë time, thotë Rama, nuk ka të tillë. Ashtu është. Edhe në dijeninë e oligarkëve nuk kanë urdhëruar ndonjëherë qeverinë, pasi qeveria dhe bashkia ofertohen vet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura