Kur kartelat e pacientëve shkruheshin gjermanisht e frëngjisht

May 13, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

MENTOR PETRELA

Fëmijë i rritur shfletoja me pasion ilustrimet e Gustave Dore të “Komedisë Hyjnore”, një nga librat e preferuar të tim eti. Duke më vëzhguar, ai nisi të më shpjegojë përmbajtjen e tyre, duke recituar vargjet treshe, të atit, birit e shpirtit të shenjtë që Dante Aligeri kishte zgjedhur si stil. U ndal gjatë pasi më recitoi hyrjen në Ferr:

mentor petrela

Në mes të shtegëtisë së ksaj jete.

U gjeta në një pyll krejt errësi,

Se kishe humbë unë rrugën e vërtetë

Do ta kuptosh më vonë, më tha im atë. Në një bisedë tjetër, sapo isha diplomuar në Mjekësi, më tregoi aktivitetin e doktorëve hebrenj, që shërbyen në periudhën e Mbretit Zog. Me sa duket, informacionet mbi ta vinin nga dr. Ludwig Kalmari dhe dr. Frederik Shiroka, të dy mjekë dhe miq të familjes.

Në rrethin e parë të Ferrit, kënga e katërt, shkruhet për paganët:

Nga këto fjalë, fort zemra m’u gandue,

Njerz njohta, aty që gzuen t’madh vlersimin,

E pezull tash n’atë Limb janë tue qëndrue,

(Përkthim i Pashko Gjecit).

Të parët poetë, Homeri me shpatë dallohet për “Iliadën”, Horaci, Ovidi, filozofët; Sokrati, Platoni, Aristoteli e më pas shkencëtarët; Avicena, Averroe e të tjerë, gjithë monarkia universale e shprehur me trinitetin e shenjtë dantesk, prisnin në Limb si jo kristianë.

Pas rënies së komunizmit u shtyva të kërkoj gjurmët e profesorëve, doktorëve hebrenj në Shqipëri dhe fatin e tyre më pas. Në funksionin e drejtorit të QSUT-së në vitin 1993, zbulova se në bodrumin e godinës historike të spitalit (foto e inaugurimit 1932) ekzistonin një mamuth kartelash e dokumentesh të asaj kohe, që bashkëjetonin me protokollet e mbledhjeve të organizatave të PPSH-së.

Mora kartelat e para. Shfletosja e tyre më jepte një ndjesi respekti ngaqë prekja me duar ato fletë ku ishte ADN-ja e profesorëve Lehmann e Schlesinger, me kaligrafinë e tyre të bukur dhe me përshkrime klinike, që nuk i gjen as sot në mjekësinë shqiptare. Kishte të drejtë në një raport, drejtori i asaj kohe i shëndetësisë kur thoshte se me ardhjen e profesorëve nga Vjena e Berlini, niveli i shërbimit u rrit cilësisht, përfshirë këtu stafet dhe diskutimin.

Një Nota Bene e tij tregon se disa mjekë shqiptarë e lanë spitalin dhe u instaluan në praktikë private pas ardhjes së tyre. Kuptohet se testosteroni i hierarkisë funksiononte shumë më mirë në atë kohë. Pas vitit 2000, vazhdova kërkimet e dokumenteve dhe kartelave të pacientëve pranë Arkivit Qendror të Shtetit. Në bazë të raportit të xhandarmërisë për lejeqëndrimet e hebrenjve, Lehmann, vetë i tretë, rezultonte në 1933 (faksimile AQSH). Duke mos pasur datat ekzakte të hyrjes në Shqipëri nuk gjeta gjurmët e duhura të Lehmannit në ato vite, 1933-1935. Për ironi, të pranishmit që konsultonin në sallën e AQSH-së me pyesnin shpesh:

Hë, a gjete gjë doktor? E kishin fjalën për pronat. Walter Max Ludwig Lehmann lindi në 17 nëntor 1888 në Frankfurt. Ai studioi mjekësinë e më pas specializohet në kirurgji. Në SHBA neurokirurgjia ishte ndarë si specialitet i veçantë me Harvey Cushing në Boston. Sipas raportit vjetor të Bent Brigham (Harvard), Walter Lehmann kaloi rreth një vit pranë Cushing-ut duke mësuar anestezinë me eter, pambukun, muskujt për mbrojtjen e trurit dhe hemostazë si dhe përdorimin e kapëseve të argjendit për mbylljen e enëve të gjakut.

Më vonë, ai hasi vështirësi për t’u instaluar në Berlin për arsye se kirurgët e përgjithshëm, që kryenin aty edhe operacionet e trurit, në kontradiktat e xhelozive mes tyre, nuk mund ta pranonin profesor Lehmann-in që kishte ardhur me përvojën e përparuar amerikane. Në një letër drejtuar Harvey Cushingut ai i shpreh keqardhjen për këtë fakt dhe i thotë se nuk ka ardhur koha, prandaj po kthehem në Frankfurt. Ndërkohë, ai kishte publikuar 61 artikuj shkencorë dhe librin “Bazat e Neurokirurgjisë” sipas modelit amerikan, i pari tekst në këtë fushë në Gjermani.

Ai martohet me pediatren Wera von Kuczkowski, nga familje fabrikantësh çokollate. Ardhja e Hitlerit në pushtet me frymën antisemite, megjithëse Walter Lehmann ishte pagëzuar familjarisht katolik shumë kohë më parë, krijoi miazme për ushtrimin e profesionit dhe jetës normale në Gjermani.

Pas 1933, ai filloi përpjekjet për t’u vendosur në SHBA, pranë Cushing-ut dhe institucioneve të tjera, por edhe atje gjeti një frymë jomikpritëse. Çifti lindi dy fëmijë, Klaus dhe Hans, ndërkohë që furia e nazistëve po rritej, duke shkaktuar largimin e hebrenjve. Një diferencë jo e vogël me totalitarizmin komunist. Ndërkohë, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Herman Bernstein me origjinë hebre po negocionte me Mbretin Zog për krijimin e një enklave hebrenjsh në Shqipëri.

Ambiciet e Mbretit Zog për reformimin e sistemit shëndetësor me inaugurimin e spitalit në 1932 dhe me shkollën e infermierëve dhe të mamive, këshilluar këto nga dr.Jani Basho, bënë që ai të fillojë të ftojë aty profesorë e mjekë hebrenj, që largoheshin nga Gjermania dhe Austria. Një ftesë e tillë i mbërriti dhe Lehmann-it, i cili ndërkohë familjen e kishte transferuar tek i vëllai Julius në Zyrih. Në dhjetor 1935 ai arrin në Tiranë me avion nga Roma, i shoqëruar nga vëllai i vogël Artur. Takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Shëndetësisë, i cili i propozon një kontratë si kryekirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës (sot kirurgjia QSUT).

U morën vesh për një kontribut në organizimin e shëndetësisë shqiptare dhe si konsulent personal i Mbretit Zog. Nga prilli 1936 prof.Lehmann u vendos në Vlorë në një ndërtesë të administratës lokale, pasi burokracia e atëhershme detyronte firmosjen e kontratës së tij nga organet ushtarake dhe jo nga drejtori i Shëndetësisë civile. Iu deshën katër javë që të instalohen me mobiliet e ardhura nga Gjermania në një mjedis disi të egër, në raport me jetën që ata ishin mësuar në Frankfurt.

Spitali i Vlorës, i ndërtuar nga italianët gjatë Luftës së I Botërore, me fasadë nga deti Adriatik kishte kushte jo të mira dhe, për më tepër, një koleg shqiptar nxiste personelin e pacientet kundër tij. Me mungesat e materialeve, ai përdorte fijet e mëndafshit, që kishte sjellë e shoqja Wera për rrobat. Ajo shërbente si asistente, me durim në shumë ndërhyrje. “Zelli me të cilin shërbenin që të dy, shpesh i bënte të harronin lodhjen nga stresi i punës kirurgjikale”, dëshmonte edukatorja e fëmijëve, Ingmar.

Në ndryshim nga Gjermania, ai u përball me sëmundje të ndryshme, që nuk i kishte parë më parë, e që mjekoheshin me duhan e gjethe bimësh, pasi pacientët stigmatizonin spitalin dhe më shumë kishin besim te nuskat e hoxhallarëve. Ai ushtroi aktivitetin kirurgjikal, kryesisht në traumatologji, sidomos si shkak i hakmarrjeve dhe konflikteve religjioze. Shumë shpejt shqiptarët e fituan besimin te prof. Lehmann dhe i ishin mirënjohës atij. Edhe pse të varfër, ata i ofronin atij prodhimet e tyre si; mjaltë, zogj pule, qëndisma e dhurata të tjera.

Në 1936, prof. Lehmann transferohet në Tiranë si kryekirurg për të dy spitalet, atë civil dhe atë ushtarak. Wera kreu me kujdes transferimin së bashku me fëmijët në Tiranë. Sipas referencave, ai kreu operacione në kirurgjinë e përgjithshme dhe në neurokirurgjinë, me instrumentet që kishte sjellë nga Gjermania. Profesor Xhelal Kurti, që hapi Klinikën e Neurokirurgjisë në 1964, filloi operacionet me kompletin e neurokirurgjisë së prof. Lehmannit që mbetën në Shqipëri, sipas letrës drejtuar drejtorit të spitalit, dr. Sabri Tefikut në 1939. Relacionet e shkëlqyera që krijoi dr. Tefiku me profesorët hebrenj tregojnë kompetencën dhe autoritetin e tij.

Sipas dokumenteve, profesor Schlesinger kishte në dispozicion një veturë me shofer që paguhej nga shteti, ndërkohë që dy ministra të qeverisë së asaj kohe kishin një veturë e një shofer. Dëshmi kemi operimin në kolonë vertebrale të babait të humanistit Sami Repishti (kushëriri im) dhe operacionet në rastet e absceseve në tru me dr. Besim Zymën e në vazhdimësi i tumoreve në tru. Vështirësitë që haste me biopsitë, kur kishte dyshime, i zgjidhte, duke i dërguar në Zyrih. Dr. Frederik Shiroka, asistent i tij, ka qenë pjesëmarrës kryesor i aktivitetit neurokirurgjikal të prof. Lehmann-it.

Ndërkohë, Wera Lehmann i siguronte materialet qepëse dhe të kujdesit të plagëve në ecejaket e saj Tiranë-Zyrih. Në shtëpinë e tyre në Tiranë organizoheshin party. Duke qenë se profesor Lehmann ishte edhe një muzikant i mrekullueshëm, ai luante vetë në piano. Të ftuar të rregullt të mbrëmjeve festive në shtëpinë e tij ishin kolegët, nëpunës të shtetit, ambasadorët, ku çaji dhe brixh nuk mungonin asnjëherë.

Preokupimi kryesor i tij u bë kur Mbretëresha Geraldinë mbeti shtatzënë. Sipas të dhënave të Ingmar, ai thoshte se “pasuesi i fronit duhet të vijë në jetë mëse i sigurt si fëmijë dhe pa probleme shëndetësore”. Nga presioni i Italisë, siç e kishte parashikuar pesë vite më parë, në një artikull në “New York Times” ambasadori Bernstein, situata në Shqipëri po përkeqësohej. Lehmanni, sipas shërbimeve sekrete italiane, përndiqej në aktivitetin e tij dhe ai filloi përpjekjet për të siguruar një vizë në Konsullatën Italiane. Në mënyrë konspirative, çifti Lehmann bashkë me fëmijët ishin asistuar nga Ambasada Amerikane për emigrim në SHBA.

Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, prof. Lehmann asiston në lindjen e Lekës së I-rë dhe udhëton me anijen e fundit nga Durrësi në Bari, më 5 prill 1939. Më pas, instalohet në SHBA. Ai ndërron jetë aty, në 20 korrik 1960 në Carmel Kaliforni. Fëmijët e tij në një letër në 2013 shkruajnë se një herë, ati i tyre u kishte thënë se vitet në Shqipëri kishin qenë vitet më të mbushura të jetës së tij. Memoriali i Walter Lehmann-it ndodhet në Shërbimin Universitar të Neurokirurgjisë, blloku i sallave të operacionit mban emrin Lehmann së bashku me parafernalian. Në kongresin vjetor të Shoqatës Amerikane të Neurokirurgjisë AANS në New Orleans, në 2 maj 2018, në seancën e historisë së neurokirurgjisë u prezantua dhe punimi “Walter Lehmann, që filloi neurokirurgjinë në Shqipëri”. Prezantimi i tij tërhoqi vëmendjen dhe u propozua për botim në formë artikulli në prestigjiozet: “Journal of Neurosurgery” dhe “World Neurosurgery”. Ka pasur një heshtje të gjatë për ta, në histori duhen të vërtetat, jo pasionet, duke menduar me empati jetën e Lehmannit, kuptoj guximin e matur e vështirësitë e tij.

Prof. Fejzi Hoxha, më seriozi, në librin e Historisë se Mjekësisë në Shqipëri 1962, i përmend shkarazi mjekët hebrenj, më pas ata mbetën sërish në Limb. Mjekët hebrenj mbetën të harruar, të syrgjynosur e të tradhtuar, siç më shkruan edhe kolegia Ulrike Eisenberg. “Shoqëritë totalitare, nazizmi, komunizmi, i kanë rrënjët e thella dhe nuk shkulen me lehtësi”, fliste Konica mbi “Theory of Mind”, kush e lejoi për pesë dekada?!” Sot e përdorin si stoli figurën e Faik Beut, siç i drejtohej atij, me respekt Noli. Nuk po irritohen brezat me mendjet e tyre.

Kultura e nderit te shoqëria shqiptare e para komunizmit nuk është e mjaftueshme për çrrënjosjen e ideologjisë totalitare, duhet strategji kombëtare e edukim moral vazhdimisht në të gjitha nivelet e shoqërisë. Shënimet e profesor Schlesinger-it, presin në bodrumin e spitalit me interpretimet e para të elektrokardiogramave të doktor Quastler-it, me imazheritë e irrigoskopitë të dr. Nobel e të tjerëve me shkrimet e tyre në gjermanisht ose frëngjisht, në kartela me nivel mjekësie europiane, akte këto të kryera shumë më përpara se ato që janë të shkruara si Histori e Mjekësisë Shqiptare për studentët nga nostalgjikët e komunizmit.

Hapjen e Fakultetit të Mjekësisë, profesorët e nderuar hebrenj ia propozuan Mbretit Zog në 1937, sipas shënimeve të profesor Xhavit Gjatës. Ndokush nga romantikët e shumtë të komunizmit, nga injoranca, duke lexuar këto rreshta do të ndiejë “zemërimin në ajër” ose në avion, të përshkruar në librin “Behave” (Sjellja) të Robert Sapolskit. Harresa e gjatë e profesorëve hebrenj në Shqipëri është danteske, ashtu siç është detyrimi historik i nxjerrjes së tyre nga Limbi i Ferrit për në Parajsë.

Titulli origjinal i autorit: Kur kartelat e pacientëve shkruheshin gjermanisht e frëngjisht

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura