“Kur ka mbretër tradhtarë me monument…”, Brokaj: Ballistët e kanë humbur një luftë, tani të humbasin edhe tjetrën

Nov 4, 2019 | 20:25
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Nderimi i heronjve të Luftës së Dytë Botërore në prag të festimeve për 75-Vjetorin e Çlirimit të vendit konsiderohet si një gjë shumë normale për deputetin Musa Ulqini dhe ish-deputetin Sabit Brokaj.

Brokaj-ndertimet

Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Brokaj u shpreh i ashpër me ata që e kundërshtojnë këtë vendim për t’i nderuar heronjtë, duke thënë se vepra e tyre meriton një vlerësim të tillë. Brokaj shton me tej se lufta ka fitimtarë e humbës dhe ajo nuk mund të ndryshohet, por mund të bëhen shtesa apo korrigjime të vogla.

“Është krejt normale që fotot e heronjve dhe dëshmorëve të dalin dhe të bëhen publike e të nderohen. Ata me veprën e tyre e kanë nderuar vendin dhe veten e tyre, këtu nuk ka asgjë për diskutim. Aq më tepër kur ka mbretër tradhtarë, apo vrasës të 4 shkurtit me monumente, si mos të jenë heronjtë që siguruan çlirimin dhe lavdinë e këtij vendi”, tha ish-deputeti i PSsë. Brokaj ka edhe një përgjigje për ata që ai i quan ballistë, duke thënë se me këtë kauzë që kanë ngritur për fotot e heronjve, kanë për të humbur siç humbën edhe në Luftën e Dytë Botërore.

“Sa i përket luftës vëllavrasëse, unë nuk merrem me koncepte ballistësh. Ata, pasi kanë humbur një luftë, vazhdojnë të humbasin edhe në luftën tjetër tani. Le t’i marrin 100% të votave, por unë them se nuk marrin as një për qind. Për mendimin tim, ata e kanë plotësisht. Ajo luftë përcaktoi fituesit dhe humbësit dhe nuk kthehet në thelb. Korrigjime dhe plotësime mund të ketë, por të vërtetat nuk ndryshojnë dot”, u shpreh Sabit Brokaj.

Në të njëjtën linjë me Brokajn ishte dhe deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetës “Panorama”, Ulqini u shpreh se nderimi i heronjve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është gjëja më normale e mundshme. Sipas tij, janë njerëzit e duhur që nderohen në vendin e duhur dhe në një moment të përshtatshëm, duke iu referuar datës jubilare të 75-Vjetorit të Çlirimit të vendit.

“Është gjëja më normale. Unë kujtoj që e njëjta gjë u bë edhe për njerëzit e persekutuar kur erdhi Papa dhe është 75-Vjetori i Çlirimit, një vit jubilar i lavdishëm dhe është krejt normale që njerëzit që e rreshtuan Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore me fituesit me tri aleatët e mëdhenj që luftuan kundër nazifashizmit, të nderohen në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, është saktësisht vendi ku duhen nderuar, janë saktësisht njerëzit që duhen nderuar dhe është koha për t’i nderuar”, tha deputeti socialist.

Ndërkaq, për debatin që është ngritur në lidhje me disa figura që nderohen në bulevard, Ulqini theksoi se të gjithë ata që ngritën armën kundër fashizmit dhe nazizmit meritojnë nderim nga të gjithë, pa ndasi.

“Sa i përket debatit për provokim, unë refuzoj që të bëhem pjesë e këtij debati, pasi kam nderim të madh për të gjithë ata që në Luftën e Dytë Botërore u ngritën me armë në dorë për ta çliruar Shqipërinë dhe për ta bashkuar me fituesit. Nëse nuk do të kishte ndodhur kjo gjë, Shqipëria nuk dihej se si do e kishte fatin. Refuzoj ta përziej këtë gjë me debate të tilla”, u shpreh deputeti Musa Ulqini.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura