“Kur isha prokuror i Tropojës, më bënin presion të ndaja gruan, se i vëllai, doli “agjent polak”, dhe e torturonte shoku i tij që…”/ Dëshmia e rrallë për vëllanë e “Heroit të Popullit”

May 15, 2020 | 14:02
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI/ Publikohet historia e panjohur e jurisit dhe prokurorit, Kristaq Ngjela, i cili në vitin 1975 kur ishte në funksionin e Prokurorit të rrethit të Tropojës, mësoi se ishte arrestuar kuanti i tij (vëllai i bashkëshortes), Vedat Buzi, i diplomuar për Kimi Industriale në Varshavë të Polonisë në fundin e viteve ’50-të, pasi së bashku me një grup prej 12 vetash, shumica e të cilëve ashtu si dhe ai ishin diplomuar në Poloni, akuzoheshin si “agjent polakë” dhe atë e torturonte vetë shoku i ngushtë i tij, që e familja e mbante si djalin e shtëpisë. 

kristaq ngjela

Dëshmitë e rralla të Kristaq Ngjelës, lidhur me peripecitë që ai kaloi me kolegët e tij, që nga momenti që i shkoi në shtëpi kunatit dhe gjeti hetuesit duke bërë kontroll banese, presionet e bëra nga Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti që ai të divorcohej nga bashkëshortja e tij, Luftare Buzi, pasi i vëllai, i doli “armik i popullit”  edhe pse vëllai tjetër, Hiqmet Buzi ishte “Heroi i Popullit”, dhe i ati i tyre “Dëshmor i Luftës”, deri tek qëndrimin që mbajtën kolegët dhe miqtë e tij në qytetin e “Bajram Currit” ku ai vazhdoi të punonte si Prokuror  rrethit…?!

“Unë nuk lashe vënd pa ndërhyre që të paktën ta lejonin ta takonte ajo halla që e kishte rritur. Ajo e takoi në hetuesi dhe kur erdhi na tha: ‘Booo booo, ç’a i kishin bëre djalit…dhe kush, një nga ata që e kishte shok të ngushtë…’? Ishte Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, Nusret Dauti, kushëri i parë i Ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbi Dautit. Ime shoqe, Luftarja e njihte më mirë se ai kishte qenë shok i ngushtë i Vedatit, pasi edhe dy vëllezërit e tyre, që ishin dëshmorë dhe me titullin “Hero i Popullit”, Hiqmet Buzi dhe Mit’hat Dauti, kishin qenë po ashtu shokë gjatë Luftës.

Dhe nisur nga ky fakt, Luftarja, më kish treguar se Nustreti vinte vazhdimisht në shtëpinë e tyre, dhe ajo plaka e shkretë, hallo e tyre, i thoshte 100 herë “të keqen nëna, të keqen nëna” dhe e puthte si djalin e vet”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al., është Kristaq Ngjela, jurist i njohur me funskione të larta në organet e Drejtësisë që në fillimin e viteve ’70-të dhe më pas deri në fillimin e viteve 2000, i cili tregon një nga ngjarjet më të vështira të jetës së tij profesionale e familjare, atë të arrestimit të kunatit të tij, Vedat Buzit, ish-kryeinixhinier dhe Drejtor i Kombinatit Ushqimor  “Ali Kelmendi” në Tiranë, që u dënua me 10 vjet burg politik, pasi ishte akuzuar si “agjent i polakëve” së bashku më një grup prej 12 personash, shumica e të cilëve si dhe ai ishin diplomuar në Poloni në vitet ’50-të.

Zoti Ngjela, kur dhe në ç’rrethana jeni njohur fillimisht me Vedat Buzin, vëllanë e bashkëshortes suaj?

Unë jam njohur me Vedatin që në vitin 1970, pak kohë pasi isha njohur Luftaren, bashkëshorten që kam tani. Ate vit shkova dhe takova Vedat Buzin në Kombinatin Ushqimor “Ali Kelmendi” këtu në Tiranë, per t’i thënë për lidhjen tone. Ai ishte kryeinxhinier i kombinatit, më priti mirë dhe më tha që nuk kishte kundërshtim, por tha që: “Ki kujdes, se nuk mund te mbahen dy kunguj në një sqetull. Ti je djale i ri, ajo vajze e re, prandaj kujdes. Unë nuk kam asnjë kundërshtim, por më mirë prisni kur të mbaroni fakultetin”. Vajta edhe njëherë më vonë dhe u bënë të njejtat muhabete. Ai më pas, nga kryeinxhinier, bë drejtor i Kombinatit “Ali Kelmendi”, kurse ne u transferuam në rrethin e Tropojës ku unë u emërova me punë si Prokoror i rrethit dhe kështuqë u larguam pak fizikisht.

Kur jeni takuar më pas?

Në 1975-ën Vedati na ftoi për herë të parë që të bënim Vitin e Ri për herë të pare bashkë me të dhe me të motrën që kishin, duke na porositur që po të mundeshim, t’i gjenim ca mjaltë për djalin e tij të vogël, pasi Tropoja njihej për mjaltin e mirë që bënte. Kështu që siç i’u kishim premtuar, ne erdhëm në 28 dhjetor në Tiranë. Shkuam te shtëpia e motrës, pritëm të vinte por s’erdhi. Pritëm në 29 dhe s’erdhi.

Ç’farë kishte ndodhur me të?

Ne u bëmë shumë merak dhe i thamë djalit të motrës të shkonte njëherë dhe të pyeste në Kombinatin Ushqimor ku ai ishte drejtor. Ai shkoi në kombinat dhe pyeti e i thanë se kishte shkuar me shërbim në Sarandë. “Ç’është ky shërbim në Sarandë, sot e gjeti ai, në 29 dhjetor”?! thamë ne me njëri tjetrin. U bëmë shumë merak dhe i thashë Luftares që të shkonim njëherë te shtëpia dhe të shohim. Kur vajtëm te shpija, doli e shoqja e cila ishte e tmerruar, mezi fliste dhe mezi qëndronte në këmbë.

Ç’farë ju tha ajo?

Sa hapi derën, ne i thamë: “Hë moj Argjiro ca bën”? Ajo ma bëri me shenjë që të mos flisnim dhe hymë brenda. Aty gjetëm dy persona, që deri në atë kohë nuk i njihja dhe pas pak ata i thanë: “Na firmose këtë proces-verbal tani”. U zgjata dhe i’a morra nga dora atë dhe pashë se aty ishte një proces-verbal për kontroll në shtëpinë e të arrestuarit Vedat Buzi, që akuzohej për “agjitacion dhe propaganda kundër pushtetit popullor”.

Kush e kishte urdhëruar atë kontroll?

Në fund, të proces-verbalit ishte emri dhe firma e hetuesit, Koço Josifi.

Pasi e patë atë dokument, a folët me ata dy personat?

Ne u habitëm dhe unë i’u drejtova atij, duke i thënë: “O zoti hetues, i di rregullat ti? “Po pse” tha ai dhe shtoi: “Ti je prokurori i Tropojës”? “Po ç’të duhet ty se kush jam unë”, i’a ktheva? Dhe ai vazhdoi: “Pse s’e le zonjën ta lexojë”!?  “Ajo se di, se cfar është”, i’a ktheva unë dhe kështu debatuam në këtë aspekt, deri sa ai më tha: “Do rrish urtë, apo si e ke hallin…”?!

Po personi tjetër me të kush ishte?

Me të ishte edhe një nga këta anëtarët e Këshillit Popullor të lagjes, siç merreshin atëhere.

Ç’farë bëtë më pas?

Pasi e morëm vesh se si ishte puna, u shqetësuam shumë. Ishte shumë problem, pasi ne ishim në Tropojë, ndërsa motra e tij Argjiro-ja, ishte anëtare partie dhe s’kishte se kush do interesohej për të. Ndrësa e shoqja e Vedatit, brenda muajit e ndau, pra e divorcoi, edhe nga presionet që mund t’i kishin bërë.

Gjatë kohës që Vedati ishte në hetuesi, a kishit ndonjë informacion se ç’ndodhte më të dhe a lejohej njeri nga familja për t’i çuar ushqime e veshje?

Jo vetëm në hetuesi që nuk shkoi njeri dhe nuk dinim se ç’ndodhte me të, por as në gjyq nuk morëm vesh ç’u bë sepse asnjëri nga familja nuk vajti. Shkoi vetëm një halla e tyre, që i kishte rritur këta. Dhe ajo me shumë frikë se këta ishin familje e lidhur me Luftën, vëllai i Vedatit, Hiqmet Buzi ishte “Hero i Popullit” dhe babai i tyre, “Dëshmor i Atdheut” dhe në familjen e tyre për çdo 5 Maj vinin këta të udhëheqjes dhe personalisht, Hysni Kapo, deri sa ishte gjallë.

Po ju, nisur nga fakti se ishit në ato funksione, a mundët që të ndërhynit të pyesnit ndonjë, se ç’po ndodhte me kunatin tuaj?

Patjetër, unë nuk lashë vend pa ndërhyrë që të paktën ta lejonin ta takonte ajo halla që e kishte rritur. Ajo e takoi në hetuesi dhe kur erdhi na tha: “Booo booo, ç’a i kishin bërë djalit…dhe kush, një nga ata që e kishte shok të ngushtë…”?!

Për kë e kishte fjalën?

Ishte Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, Nusret Dauti, kushëri i parë i Ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbi Dautit.

Ju e njihnit personalisht atë?

Ime shoqe, Luftarja e njihte më mirë se ai kishte qenë shok i ngushtë i Vedatit, pasi edhe dy vëllezërit e tyre, që ishin dëshmorë dhe me titullin “Hero i Popullit”, Hiqmet Buzi dhe Mit’hat Dauti, kishin qenë po ashtu shokë gjatë Luftës. Dhe nisur nga ky fakt, Luftarja, më kish treguar se Nustreti vinte vazhdimisht ne shtëpinë e tyre, dhe ajo plaka e shkretë, hallo e tyre, i thoshte 100 herë “të keqen nëna, të keqen nëna” dhe e puthte si djalin e vet.

Po ndonjë nga motrat e Vedatit, mundën që ta takonin para se të dilte në gjyq?

Unë u mundova më vonë që të vente motra, Luftarja, ta takonte, ndërhyra deri te Prokurori i Përgjithshëm, por ai më tha: “Jo, nuk lejohet”.

Po ju që ishit në atë funksion, a patëm probleme, pasi kunati juaj po dënohej si “armik i popullit, a ju thirri njeri”?!

 

Jo mua nuk më thirri njeri, por shkova vetë te zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Panariti, më datën 2 janar 1975 dhe ai me tha:

“Kico, mirë që më erdhe, se do të thoja vetë që të më vije”.

“Pse, ke ndonjë problem”, i’a ktheva unë?

“Pse, s’e ke marrë vesh ti për kunatin tënd”, më tha ai?

“E mora vesh, po ti se ke marrë vesh”, i thashë?!

“Jo, ma thanë që ishte kunati jot, por ishte vonë dhe s’kisha ç’bëja”, m’u përgjigj ai.

Si vazhdoi biseda, ç’farë ju tha më pas?

Ai më tha: “Tani ti e kupton që duhet të ndashë gruan. Do ta ndash detyrimisht gruan. Po doli ashtu siç mendojmë, do ta ndash se s’bën. Po doli ndryshe, ta shikojmë pastaj….”

Ç’farë i thatë ju?

Unë i thashë: “O shoku Dhori, ti je prokuror mbas meje, kështu që këto gjëra, i di më mirë unë se ti. D.m.th. ti thua që: po doli për spiunazh, s’kemi ç’bëjmë, po doli agjitacion propogandë, ta shikojmë”?!

“Po- tha ashtu… Prandaj fol me mua si jurist”

Unë i thashë: “E ke me gjithë mënd ti”?!

“Po”, më tha.

“Po pse duhet ta ndaj”?!, i’a ktheva unë.

“Po është motra e armikut”, më tha ai.

“Kjo gruaja ime ka një vëlla “Hero të Popullit” dhe babain dëshmor”, i thashë unë.

“Lëri ata’ më tha ‘po merru me këtë, prandaj duhet ta ndash gruan”, tha ai duke e ngritur tonin.

Ç’farë i thatë ju pas kësaj?

Unë i thashë: “Ma thua ti këtë, apo ma thotë Partia”?!

“Partia s’besoj ta thotë kështu”?!

“Po ti i di regullat’ më tha, ‘nuk është hera e parë që ndodh kështu”!

“Mos u mundo kot’ i thashë, ‘sikur nami të bëhet unë se ndaj gruan. Unë kam dy vajza dhe s’mund t’i lë rrugëve se doni juve”.

“Jo se dua unë’ tha, ‘por e thotë Partia”.

“D.m.th. ta quajmë të mbyllur këtë muhabet”, i thashë unë.

“E ke marrë parasysh që do të heqin si Prokuror rrethi? Dhe do të dërgojmë në një Kooperativë Bujqësore”?! ma ktheu ai.

“Ti më shikon kështu të dobët’ i thashë, ‘por e di sa i fortë jam unë fizikisht, unë bëj dy norma në ditë. Në qoftë se ju e quani orientim të Partis, pyesni Hysni Kapon dhe n.q.s. është ai dakort, jam edhe unë”.

Faktikisht, kishte ndonjë rregull të shkruar për këto gjëra, flas për organet ku bënit pjesë ju?

Aty rregulli ishte kështu, që ishte një drejtori më vete që i binin materialet dhe i shikonin ata, kishte apo jo vend për t’i arrestuar, ata pastaj ja çonin Prokurorit të Përgjithshëm. Kështu edhe për rastin e Vedatit, i kishin studjuar materialet dhe i kishin thënë Prokurorit të Përgjithshëm, që nuk ka material këtu për t’i arrestuar.

Po pse u arrestua?!

Po në atë kohë, Prokurori i Përgjithshëm ishte shumë inferior ndaj Ministrit të Brendëshëm, pasi bëhej si donte Sigurimi i Shtetit që drejtohej nga ministri

Po kur u kthyet në Tropojë, si i’u pritën, a kishin dijeni për këtë problem?

Kur vajta në Tropojë, pashë se kishte vajtur muhabeti dhe filluan të më largoheshin njerzit dhe kolegët, që nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme e Kryetari i Gjykatës që hynim e dilnim tek njeri tjetri, etj., më ndërronin rrugë edhe në mënyrë demonstrative. Kurse Sekretari i parë i Komitetit të Partisë, Hysen Papa, absolutishtit nuk mbajti ndonjë qëndrim, por vazhdoi njëlloj si më para mardhëniet me mua. Po kështu dhe Kryetari Hetuesisë, Ishan Vladi, mbajtën mardhënie të rregullta e korrekte me mua.

Po kush tjetër përveç Kryetarit të Degës i’u largua apo mbajti qëndrim të keq?

Kryetari i Gjykatës që ishte dhe Sekretari i Partisë të organizatës bazë më mori në telefon, dhe më tha: “Hajde pak në zyrën time”, se ishim në një godinë. I thashë: “Kush je ti mo”?! –

“Jam filani”, më tha.

“U bëre ti të më thërrasësh mua”?!

“Jam Kryetar i Gjykatës”, më tha. –

“Unë jam Prokuror i rrethit dhe n.q.s. ke punë me mua hajde këtu”, –

“Jo’ më tha ‘po të thërras si sekretar i Partisë”.

A vajtët për ta takuar?

Vajta e takova, ishte bashkë me një që ishte zëvëndës sekretar.

“Kiço, na trego pak, çka ndodhur me kunatin tënd?

“S’di gjë hiç’ i thashë, ‘pse di gjë ti?!

“Jo’ tha ‘e shikojmë në organizatë çfarë mase do të marrim”. –

“Po ta them shqip’ i thashë, ‘për masë thuaji Prokurorit të Përgjithshëm, bisedo me të dhe unë se çaj kokën për asgjë”.

Morrën masë ndaj jush?

Jo, nuk u zu më në gojë ky muhabet.

Po kur doli në gjyq kunati juaj, ishte njeri nga familja?

“Në gjyq nuk u ftua njeri nga familja, por unë atë ditë rastësisht u ndodha në Tiranë dhe shkova nga Gjykata, bile shkova njëherë nga Prokuroria e Përgjithshme, ku më pa Prokurori Përgjithshëm, Dhori Panariti, dhe i thotë asaj shefes së kuadrit: “Paska ardhur Kiçua”?!

Ç’farë i’u thanë te Gjykata?

Kur shkova nga Gjykata, morra vesh si ishte gjyqi i “spiunëve polakë”, mirpo brënda s’të linin të futeshe. Më pas, meqë kisha një shokun tim në Gjykatën e Lartë, kërkova të merrnin dosjen në Gjykatën e Lartë që ta shikoja njëherë vetë.

U’a dhanë dosjen?

E pashë dosjen në fakt, e lexova komplet, nuk ishte ndonjë gjë që të thoshte që kta konkretisht, bënin agjitacion propogandë. Të gjithë, jo vetëm Vedati.

Po si i kishin arrestuar, kur s’kishte gjë…?!

Por ishte vetëm një gjë që më bëri përshtypje dhe nuk arrita ta zgjidh, ishte ankesa e Vedatit. Në ankesë thuhej që: “Unë e pranoj akuzën që më është bërë”, dhe kështu e quajtën sikur e kishte pranuar akuzën…?!

Sa u dënua Vedati?

I dhanë 10 vjet për agjitacion propogandë dhe 4 vjetë për shpërdorim detyre. Ky neni për shpërdorim detyre pastaj, ishte turp i madh, ça të them.

Si e mësuat vdekjen e tij në burg?

Disa herë ai dërgoi letra që ishte sëmurë nga veshkat dhe ne e dinim. Vetëm kur e morëm vesh që ndodhi vdekja, e operuan nga veshkat dhe vdiq.

Kush u’a tha?

Unë e pashë atëherë në komunikatat që vinin atëhere në Prokurorinë e Përgjithshme, kurse këto pastaj e morën vesh nga të tjerët, nga një infermiere./Memorie.al

2 Familja-e-Vedat-Buzit Familja-e-Vedat-Buzit-2 kristaq ngjela 1 Vedat Buzi VEDAT_BUZI-1 VEDAT_BUZI-2 VEDAT_BUZI-3 VEDAT_BUZI-5 Vedat-Buzi-1 Vedat-Buzi-2 Vedat-Buzi-3 Vedat-Buzi-4

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura