“Kur i hoqëm litarin nga fyti, zgurdulloi sytë dhe…”- Zbardhet dëshmia e ish-oficerit të Policisë Sekrete: Ju rrëfej torturat ndaj Teme Sejkos! Ç’më kanë parë sytë në vilën e Maminasit

Nov 18, 2020 | 15:33
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Ata ishin tre nga oficerët e lartë të Sigurimit të Shtetit, që kreu i Ministrisë së Brendshme u besoi misionin e frikshëm e të mistershëm njëherazi. Kolonelët e policisë sekrete, Qemal Birçe, Islam Gjondeda e Qemal Xhaferri, me metodat e tyre çnjerëzore do të nxirrnin nga goja e Teme Sejkos, pasi ishte dënuar me vdekje, ato që nuk kishte mundur t’i zbulonte hetuesia për 12 muaj me radhë.

Teme Sejko-Deshmia-Polici-sekrete

I regjur me histori të tilla, Kadri Hazbiu, ministri karizmatik i Ministrisë së Brendshme, i besonte idesë se më në fund, tani që Teme Sejko priste vetëm plumbat në zbatim të verdiktit të Gjykatës, do të hapte gojën e do të shtjellonte me imtësi ato që ishte rezervuar t’i thoshte para hetuesve e gjykatësve. Plani i tij nisi zbatimin me largimin në fshehtësi të Sejkos nga Burgu i Tiranës drejt një baze sekrete në periferi të Tiranës.

Tre të besuarit e tij nuk do të përgjigjeshin vetëm për ruajtjen e të dënuarit me vdekje, por do të aplikonin ndaj tij edhe torturat më makabre vetëm e vetëm për të mësuar diçka që Sejko nuk e kishte deponuar më parë. Fakti që Hazbiu e ndiqte nga afër tërë këtë proces, për tre të besuarit e tij do të thoshte përkushtim i jashtëzakonshëm dhe agresivitet i pakufishëm ndaj viktimës, që ende nuk kishte shkuar para skuadrës së pushkatimit vetëm për llogari të ministrit të Brendshëm, që shpresonte pafundësisht në një sjellje tjetër të Sejkos.

Ajo ç’kanë parë e përjetuar “tre musketierët” e policisë së fshehtë ato ditë në vilën sekrete, siç pohojnë 20 vite më vonë, ka qenë një llahtarë e tmerrshme. Në numrin e kaluar zbardhëm të plotë dëshminë e Qemal Birçes, kolonelit të Ministrisë së Brendshme, që bënte fjalë për mënyrën e ruajtjes speciale të Teme Sejkos në Burgun e Tiranës pas vendimit të Gjykatës për dënim me vdekje, pushkatim dhe transportimin e tij në masa të rrepta sigurie prej aty në një bazë të fshehtë të Sigurimit të Shtetit. Gjondeda përshkruan me detaje çfarë ka përjetuar gjatë këtij operacioni, duke u ndalur me hollësi te llojet e torturave që janë ushtruar mbi trupin e Sejkos me urdhër të Hazbiut dhe zëvendësve të tij.

Në memorien e kolonelit, tashmë në pension, ka lënë gjurmë sakaq një vizitë e fshehtë e ministrit të Brendshëm pas mesnate në qelinë e Sejkos vetëm pak ditë pas komunikimit të vendimit të gjykatës për dënimin e tij me vdekje. Në vijim publikojmë dëshminë e kolonel Islam Gjondedës dhe Qemal Xhaferrit…

ISLAM GJONDEDAJ: Ç’MË KANË PARË SYTË NË VILËN E MAMINASIT

Kam për të dhënë këto gjëra: vitin e saktë nuk e mbaj mend, por duhet të ketë qenë viti 1960. Isha në Drejtorinë e Policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sektorin e Ziçishtit, i cili na tha që do të ruani Teme Sejkon dhe Tahir Demin.

Temen e Tahirin, siç mora vesh aty, pasi i dënuan me vdekje, i prunë aty. Se pse, nuk e di. Unë për vete e dija deri atë ditë se ata qenë pushkatuar.

Temen dhe Tahirin i kishin vendosur në dy dhoma përballë njëra-tjetrës në katin e dytë, që ndaheshin me një korridor në mes. Edhe ushqimin atje e hanin. Aty kemi qëndruar rreth një muaj. Aty bënim roje katër veta, që s’i mbaj mend cilët ishin. Roje bënim dy e nga dy. Gjatë kohës që qëndruam aty, mbaj mend që kanë ardhur Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari, që futeshin në dhomat e këtyre, se ç’bënin, nuk e di, se e mbyllnin derën.

Tjetër njeri nuk më kujtohet të ketë ardhur. Një mbrëmje erdhi Mihallaq Ziçishti me Nevzatin dhe shofer Jorgon. Sonte tha Mihallaqi do ta heqim Teme Sejkon. Dhe me sa kujtoj unë, që atë natë e hoqën Temen, e çuam me makinën e Jorgos në një shtëpi në Maminas, midis vreshtit. Atje nuk banonte njeri. Mua më kujtohet se atje kemi qëndruar rreth dy ditë. Aty, veç neve të shërbimit, erdhi edhe Mihallaqi me Jorgon. Tjetër njeri unë nuk mbaj mend të ketë ardhur. Mua më caktuan dhe qëndrova roje aty te dera e shtëpisë.

Unë Teme Sejkon e kam njohur shumë mirë, sepse atë e kam pasur komisar batalioni një vit, më 1944-ën, në batalionin e disiplinës në Gurrë të Tiranës. E kam parë edhe më pas kur ka qenë në Vlorë. Edhe te burgu i vjetër dhe që e morëm në makinë dhe e çuam në Maminas, unë kam qenë prezent dhe Temen e kam ruajtur e shoqëruar.

Kam qenë prezent edhe kur e kanë nxjerrë Teme Sejkon jashtë nga shtëpia në oborr, i vumë një litar me lak në fyt dhe katër veta, dy në një krah e dy në një krah, e shtrënguam sa Temja vdiq. Mihallaqi tha ta lëviznim njëherë. Ne e kthyem në Linëz (Linzë) në disa kodra. Qëndruam atje ku kishte qëndruar Mihallaq Ziçishti. Prezent ishte edhe Nevzat Haznedari. E morëm kufomën unë me shokë dhe e çuam te gropa që ishte bërë përpara, se nga kush, nuk e di, dhe ishte rreth 100-200 metra larg xhadesë, në një vend të pjerrët me shkurre. E hodhëm në gropë dhe e mbuluam me baltë.

Nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë veprim tjetër aty me kufomën. Kujtoj gjithashtu që gjithë këto veprime janë bërë në errësirë, po a ishte herët në mëngjes pa u gdhirë mirë, a ishte mbrëmje, nuk e mbaj mend. Unë nuk kam dijeni nëse Temen e kanë rrahur gjatë kohës që e mbajtën në Maminas dhe nuk mbaj mend nëse e kishin dëmtuar në fytyrë me gjak etj. Më kujtohet vetëm një gjë: që kur i hodhëm litarin në fyt, ia bëri vetëm njëherë “ah”, sytë i zgurdulloi dhe nuk foli më…

VIJON

 

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.


LEXO EDHE:
 Zbardhet dëshmia rrënqethëse e ish-kolonelit: Ja kush e urdhëroi mbytjen me litar të Teme Sejkos! Si e zhdukëm trupin ish-Komandantit në kodrat e Linzës

 

“E goditëm me 100 shkopinj”- Zbardhet dëshmia, ish-koloneli rrëfen torturat: Si e masakruam Teme Sejkon pas bisedës me Kadri Hazbiun

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura